MENU
klinika

Vendimi i Gjykatës

Trump nuk harron! Nis ‘shfarosja’ e Obama Care

15.12.2018 - 09:20

Një gjykatës federal nga Teksasi ka vendosur të shpallë si antikushtetues një pjesë të konsiderueshme të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm (ACA), i njohur ndryshe edhe si “Obamacare”.

Një koalicion prej 20 shtetesh kishin argumentuar se i gjithë ligji ishte shfuqizuar nga një ndryshim fiskal i vitit të kaluar, që shmangu në këtë mënyrë një penalitet për mospasjen e një sigurimi shëndetësor.

Presidenti Donald Trump komentoi shumë shpejt në rrjetet sociale, duke e quajtur këtë një lajm të madh për Amerikën. Çështja tashmë me shumë gjasa do të shkojë drejt Gjykatës Supreme.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte premtuar prej fushatës ta zhbënte ligjin historik të vitit 2010 të ndërmarrë nga ish-presidenti Barack Obama, i cili supozohej të ofronte mbulim shëndetësor të përballueshëm për shumë amerikanë, të cilët e kishin të pamundur të siguroheshin.

Por, pavarësisht se Partia Republikane ka pasur shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, “ACA” vijon ende të jetë funksional.

Gjithsesi, Kongresi shfuqizoi në vitin 2017 kushtin (apo të ashtuquajturin mandat individual) që njerëzit duhej të blinin sigurim shëndetësor, ose do të përballeshin me një penalitet fiskal.

Trump e shfrytëzoi menjëherë vendimin e gjykatësit nga Teksasi, për të nxitur kreun e pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, si dhe kryetaren demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, “të kalojnë një ligj të fuqishëm që ofron kujdes shëndetësor të shkëlqyer”.

Vendimi erdhi vetëm një ditë përpara afatit përfundimtar, për t’u siguruar në “Obamacare” për vitin e ardhshëm.