MENU
klinika

Tërheqja e trupave amerikane nga Siria

Trump po heq dorë nga vendimi?

31.12.2018 - 10:04

Një republikan i lartë ka thënë se Presidenti i SHBA Donald Trump mbetet i angazhuar për të mposhtur Shtetin Islamik (IS) në Siri, pavarësisht planit të tij për të tërhequr trupat amerikane.

Senatori Lindsey Graham tha se tërheqja ishte ngadalësuar, pasi takoi presidentin të dielën.

Plani i tërheqjes së trupave të Trump mori kritika të forta nga aleatët kryesorë, dhe republikanë si Graham. Por Shtëpia e Bardhë ende nuk i ka komentuar vërejtjet e senatorit Graham.

“Unë mendoj se jemi në një situatë pauze ku po rishqyrtojmë se cila është mënyra më e mirë për të arritur qëllimin e presidentit”, tha Graham.

Ai nuk e shpjegoi këtë, por The New York Times raporton se ai mund t’i referohet garancive që u jepen zyrtarëve ushtarakë që ata mund të kenë më shumë se 30 ditë për të siguruar një tërheqje të rregullt të trupave.

Më 19 dhjetor, zoti Trump njoftoi tërheqjen e rreth 2,000 trupave, duke pohuar se IS ishte mundur.

Kritikët e planit kontestojnë këtë pretendim, duke argumentuar se masa mund të çojë në një ringjallje të IS-së, e cila do të dëmtonte sigurinë kombëtare. Trupat amerikane kanë ndihmuar të shpëtojnë pjesën më të madhe të verilindjes së Sirisë nga grupi xhihadist.

Dy persona kanë dhënë dorëheqjen që nga shpallja e vendimit, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe një zyrtar i lartë i SHBA në luftën kundër IS, Brett McGurk.

Lindsey Graham, iu tha gazetarëve:  “Ai premtoi ta shkatërronte Isisin. Ai do ta mbajë atë premtim”. “Unë mendoj se ne po i ngadalësojmë gjërat në një mënyrë të zgjuar”, tha senatori i Karolinës së Jugut.

Duke folur më vonë në CNN, Graham gjithashtu shprehu shqetësimin se tërheqja e SHBA do të linte aleatët e tyre, kurdët, në veri të Sirisë të ekspozuar ndaj sulmeve nga Turqia.

“Nëse do të largohemi tani, kurdët do të vriten,” tha ai.

Trupat tokësore amerikane u përfshinë së pari në Siri në vjeshtën e vitit 2015, kur Presidenti Barak Obama dërgoi në një numër të vogël forcash të veçanta për të trajnuar dhe këshilluar luftëtarët kurdë lokalë që po luftonin IS.

Gjatë viteve pasuese, numri i trupave amerikane në Siri u rrit, dhe sot është rreth 2,000. SHBA gjithashtu ka qenë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që kryen sulme ajrore kundër IS dhe militantëve të tjerë./konica.al