Turqia është duke grumbullar një pjesë të trupave në kufirin e saj jugor në drejtimin e Kurdistanit sirian (Rojava) në lindje të lumit Eufrat. Erdogani deklaroi “Nëse terrorristët nuk largohen nga kufiri ynë jugor, është detyra jonë që t’i përzëmë me forcë dhe ne nuk do të ngurrojmë ta bëjmë për sigurinë e Turqisë.
Problemi qëndron në faktin se kë quan Erdogani terrorrist në konstelacionin e rebelëve në Siri. Dhe ai nënkupton kurdët e YPG që mbështeten direkt nga SHBA.
Këtu loja komplikohet shumë dhe duket se po i afrohemi një pike mjaft të rrezikshme të zhvillimeve në Siri, dhe që për herë të parë nuk kanë të bëjnë direkt me Asadin.
Po ta shikosh në një plan më të gjerë Turqinë, është shumë e vështirë ta futësh tek grupi i vendeve pjesëmarrëse fituese.
Dhe ky konkluzion vjen po të analizosh 3 objektivat kryesorë që e përfshinë Turqinë në këtë konflikt 6-vjeçar nga më të pergjakshmit e 20 viteve të fundit.
Dhe tre objektivat primarë rezultojnë të parealizuar.
Së pari Bashar al Asadi ia doli që me mbështetjen ruso-iraniane të qëndrojë në pushtet, duke mposhtur ISIS dhe duke zotëruar tashmë mbi 70% të territorit ku banojnë mbi 80% e popullsisë së Sirisë. Ministri i Jashtëm turk Cavusoglu deklaroi dje se nëse Asadi do të fitojë në zgjedhjet dmokratike të ardhshme me kushtetutën e re ne do të bashkëpunojmë me të.
Së dyti marrja e Alepos, qytetit më të madh dhe qendrës ekonomike të Sirisë nga rebelët pro-turq dhe krijimi i një protektorati turk në Veriun e Sirisë si plani më i madh strategjik i Erdoganit dështoi. Rusët rezultuan determinant në këtë betejë që praktikisht përcaktoi gjithë fatin e luftës në Siri.
Dhe jo vetëm kaq por në Turqi u dyndën, ku janë edhe sot në pjesën me të madhe, mbi 3 milion refugjatë duke rënduar së tepërmi situatën e brendshme dhe të sigurisë.
Objektivi i tretë, ai më kryesori, që të mos lejonte një konsolidim dhe pavarësi të Kurdistanit Sirian po rezulton i dështuar. Faktet nga terreni dëshmojnë se kurdët sirianë, tashmë gëzojnë një pavarësi të plotë për momentin dhe janë duke krijuar me mbështetjen amerikane një forcë ushtarake me rreth 40 000 trupa të armatosur rëndë duke përbërë një rrezik të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare të Turqisë.
Nga ana tjetër, midis Kurdistanit irakian dhe atij sirian nuk ka më kufi fizik dhe ata bashkërendojnë së bashku kundër Turqisë. Ky është makthi më i madh strategjik i Turqisë. Të shikojë një entitet kurd të bashkuar në gjithë kufirin e saj jugor nga brigjet e Eufratit e deri në kufirin Iranian, dhe që të kordinojnë me kurdët e Turqisë duke rrezikuar stabilitetin e saj.
Në fakt Turqia nuk qëndroi pasive, sidomos tre vitet e fundit ndaj lëvizjeve të kurdëve.
Në një dakordësi me Putin, falë një marrëveshje shumë atipike dhe e kundërshtuar ashpër nga SHBA dhe NATO, Erdogani ndërmori dy operacione që nga pikëpamja ushtarake mund të quhen të realizuar.
I pari “”Euphrates Shield”” që rezultoi me marrjen e qytetit të Jarablusit duke bllokuar praktikisht bashkimin e kurdëve në një maxi-rajon nga Afrini në Hassaka. Dhe i dyti në 2017, “Olive Branch” që konsistoi në pastrimin e rajonit perëndimor të Afrinit nga milicianët kurdë, bile edhe duke përzënë rreth 100 mijë kurdë nga rajoni. Kjo konsiderohet humbja më e madhe e kurdëve në gjithë luftën e Sirisë kur të gjithë i lanë vetëm nën goditjet e një nga ushtrive më të armatosura të globit.
Gjithashtu megjithëse në Idlib ka një situatë të ngrirë duket se Erdogani me Putinin do ta gjejnë nje zgjidhje për të shpëtuar rebelët, midis të cilëve edhe proturq që ndodhen të rrethuar për mëse 3 muaj.
Por Turqia po kupton se koha nuk punon për të, në raport me kurdët dhe konsolidimi i përditshëm i tyre në lindje të Eufratit po bëhet një rrezik shumë i madh për gjithë planet e saj gjeopolitike dhe po kërcënon seriozisht sigurinë e saj.
Janë mbi 25 % e popullsisë kurde në Turqinë e sotme dhe një konsolidim i Kurdistanit sirian dhe bashkimi me atë Irakian do të kërcënonte edhe stabilitetin e vetë shtetit turk.
Prandaj Erdogani dhe gjitha kasta ushtarake po synon që tashmë ka ardhur koha të ndërhyjnë përtej Eufratit lindor. Turqia në këto 6 vjet ka ndërhyrë gjithmonë në krahun perëndimor të Eufratit dhe asnjëherë nuk ka kaluar brigjet lindore të lumit.
Por nëse për dy operacionet e mëparshme ka qenë dashur një lloj marrëveshje me Putinin, tashmë duhet të dakordohet me SHBA, dhe këtu komplikohet gjithçka. SHBA ka mbi 2000 trupa speciale në këtë rajon ku ka ngritur pikat e saj të vëzhgimit dhe ka investuar shumë në furnizimin ushtarak të kurdëve për luftën kundër ISIS.
SHBA i ka mbetur e vetmja kartë në Siri ajo e kurdëve në lindje të Eufradit pasi me ata në perëndim në Afrin. Turqia mbaroi punë. Braktisja e tyre do të thotë një dështim madhor jo vetëm ndaj kurdëve në Siri po edhe për besueshmërinë në gjithë Lindjen e Mesme. Pra problemi është gjeostrategjik.
Si rrallëherë SHBA duhet të zgjedhë ndërmjet një aleati madhor në planin gjeostrategjik botëror siç është Turqia, anëtar i NATO-s dhe një aleati strategjik rajonal siç janë kurdët. Veçanërisht në skakierën e komplikuar të Lindjes së Mesme, kundër aksit shia të udhëhequr nga Irani i Ajatollahëve dhe kthimit agresiv të Russisë së Putin.
Problemi është se SHBA kanë përdorur të gjitha format në këto 6 vjet për të sjellë në një emërues të përbashkët Turqinë me kurdët, por kjo ka rezultuar përfundimisht e pamundur. Këto dy palë nuk mund të pajtohen për arsye politike, historike dhe etnike.
Erdogani deklaroi javën e shkuar se ne nuk k gjë kundër SHBA, por do të luftojë kundër terroristëve kurdë për sigurinë e Turqisë. Një gjuhë e drunjtë për një ekuacion me të vërtetë shumë të komplikuar, pasi kurdët janë në një shtet tjetër, në tokën e tyre dhe për herë të parë me amerikanët aleatë.
Dhe në sfond Putini dhe Asadi që nuk do t’i vinte keq që dy aleatët më të rëndësishëm të NATO-s të hynin në konflikt mes tyre me kurdët në mes.
Të dielën e shkuar Trump bisedoi me Erdogan pikërisht për situatën në lindje të Eufratit. Erdogan deklaroi se u morrën vesh me Presidentin amerikan. Se çfarë kupton Erdogan me frazën “u morrën vesh” kjo është një enigmë, pasi ai ka një mënyrë përkthimi shumë të veçantë.
Por një gjë është tashmë e qartë se ndodhemi në prag nisje të një operacioni ushtarak që mund të kalojë pikën e moskthimit me shumë konseguenca për aleancat e deritanishme në Lindjen e Mesme por edhe më gjerë./konica.al