MENU
klinika

12.2% në tremujorin III

Ulja e papunësisë prek rekord të ri

12.12.2018 - 14:55

Papunësia në ekonominë shqiptare shënoi një rekord të ri në rënie për tremujorin e tretë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, shkalla e papunësisë ra në 12.2%, nga 12.4% që kishte qenë në tremujorin e dytë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare ka rënë me 1.4 pikë përqindjeje. Bazuar në statistikat zyrtare, papunësia në ekonominë tonë aktualisht ndodhet në nivelet më të ulëta që nga rënia e regjimit komunist.

Mes femrave, shkalla e papunësisë është 11.7%. ndërsa mes meshkujeve 12.6%. Por, një zhvillim negativ në tremujorin e tretë ishte rritja e papunësisë mes të rinjve, që arriti në 23.2%, nga 22.6% që kishte qenë në tremujorin e dytë.

Fakti që papunësia mes të rinjve është gati dy herë më e lartë se mesatarja e ekonomisë dëshmon qartë problemet e përfshirjes së të rinjve në tregun e punës.

Aktualisht, më pak se 40% e të rinjve mes 15 dhe 29 vjeç janë në marrëdhënie pune. Ndërsa në total, shkalla e punësimit në ekonomi u rrit në 52.7%, nga 59.2% që kishte qenë në tremujorin e dytë. Kjo do të thotë se, sipas statistikave zyrtare, Shqipëria ka aktualisht numrin më të lartë të të punësuarve kundrejt popullisë në moshë pune.

Megjithatë, tregu i punës në Shqipëri vazhdon të ketë probleme, që pjesërisht maskohen nga metodologjia e statistikave. Shkalla e papunësisë mund të ndikohet edhe nga luhatjet në forcën e punës dhe në popullsinë ekonomikisht jo aktive. Në përgjithësi, Shqipëria vazhdon të ketë një pjesëmarrje të popullsisë në forcën e punës, sidomos mes grave. Vetëm 51% e grave mbi moshën 15 vjeç janë të punësuara ose në kërkim të një pune.

Ata që nuk punojnë sepse nuk kërkojnë punë nuk mund të klasifikohen si të papunë; por fakti është se kjo është një pjesë e madhe e popullsisë së vendit. Këtu nuk përfshihen vetëm invalidët, të pamundurit, apo nxënësit dhe studentët, por edhe të dekurajuarit. Sipas Instat, 9% e shqiptarëve në moshë pune nuk kërkojnë punë pasi kanë humbur besimin se mund ta gjejnë atë. Kjo përqindje është më e lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfshihen 76 mijë punëkërkues

Ahmetaj: Trajnim i detyrueshëm për të papunët