MENU
klinika

Po aq sa në 2017

2018, çmimet u rritën me 2%

10.01.2019 - 13:06

Çmimet në ekonominë shqiptare u rritën mesatarisht me 2% gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave të Instat, inflacioni vjetor qëndroi afërsisht në të njëjtin nivel me vitin 2017. Edhe për dhjetorin, rritja vjetore e çmimeve rezultoi 1.8%, në të njëjtën vlerë me muajin nëntor.

Pavarësisht se inflacioni mesatar qëndroi në të njëjtin nivel, struktura e tij dhe faktorët që e ndikuan gjatë vitit të kaluar pësuan ndryshime. Nëse gjatë vitit 2017, inflacioni ishte formuar sidomos nga çmimet e ushqimeve, që u rritën me pothuajse 4%, vitin e kaluar, rritja e çmimit të tyre ishte më e përmbajtur, me 2.7%.

Çmimet e ushqimeve dhe të lëndëve të para në përgjithësi kanë një shkallë të lartë luhatshmërie, por ndërkohë edhe kërkesa për to është më pak elastike, pavarësisht çmimit. Ndaj, këta komponentë përgjithësisht përjashtohen nga përllogaritja e inflacionit bazë, që jep një ide më të qartë mbi shëndetin e kërkesës në ekonomi për afatin e gjatë.

Një kontribut më të madh në inflacion për vitin 2018 dhanë grupet “qira, ujë, lëndë djegëse, energji”, “transporti” dhe “veshje dhe këpucë”. Megjithëse edhe këtu ka një ndikim të konsiderueshëm nga çmimet e lëndëve të para dhe nga çmimet e administruara, një shpërndarje më e gjerë e inflacionit në më shumë grupe mund të jetë sinjal i një përmirësimi të lehtë të kërkesës së brendshme në ekonomi.

Një faktor që ka pasur ndikim të lartë për vitin e kaluar ishte edhe kursi i këmbimit. Mbiçmimi i fortë i lekut me gati 8% amortizoi presionet inflacioniste nga importi. Banka e Shqipërisë nuk parashikon që inflacioni të kthehet në objektivin prej 3% as gjatë këtij viti. Kjo pritet të ndodhë vetëm në vitin 2020.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


1.8% për nëntorin

Inflacioni ulet më tej