MENU
klinika

Arti Botëror

Alfred Sisley / piktori në hije i rrymës së impresionizmit

29.01.2019 - 13:58

Një frymë reformuese përfshiu historinë e artit në vitet 1970, kur një disiplinë akademike që dikur prirej drejt një vështrimi të ngushtë, mbi të gjitha filloi të mendonte për gjërat përtej formës dhe simbolizmit. Për të kuptuar pikturën e vërtetë franceze të shekullit të 19-të, pohojnë historianët, ju duhet të kuptoni edhe historinë e tyre sociale, rindërtimi urban dëshmuar nga parizianët borgjezë në një pikturë të Gustave Caillebotte ose ligjet shëndetësore që rregulluan prostitutat e Henri de Toulouse-Lautrec, ose ndarjet klasore shprehur me anë të veshjeve tek Shëtitësit e të dielës të Georges Seurat.

Qe një evolucion i bujshëm në historinë e artit, por pati edhe një efekt anësor: Disa piktorë të rëndësishëm, më pak të angazhuar në shoqëri se Manet ose Degas, përfunduan të klasifikuar në grupin B.

Alfred Sisley (1839-1899) është një nga ata piktorë. Ai u përfshi në ekspozitën e parë impresioniste në vitin 1874; u paraqit me tregtarin kryesor impresionist Paul Durand-Ruel, si dhe ruajti një miqësi të ngushtë me Monet, edhe pasi u largua nga Parisi drejt periferisë.

Por përqendrimi pothuajse ekskluziv i Sisley tek peizazhi ka bërë që tashmë të qartësohet, me të drejtë apo pa të drejtë, shumë në hijen e djemve të mëdhenj që jetësuan artin modern në mes të viteve 1860. Një retrospektivë në Muzeun e Bruce, ekspozita e parë e Sisley në Shtetet e Bashkuara në më shumë se dy dekada, ofron shansin për t’u përqëndruar tek një artist që mund të mos jetë në sërën e parë të artistëve francezë, por që meriton vëmendje më të madhe.

Ekziston një siguri e jashtëzakonshme tek pikturat e Sisley. 50 punimet përshkruajnë rajonin e Ile-de-France që rrethon Parisin, si dhe disa vende britanike, me hijeshi, me gjurmë penelesh dhe efekte të lehta dritëhijeje bërë me bojë gri dhe të bardhë.

Nëse pikturat e tij më të hershme janë paksa më të forta dhe të mëvonshmet paksa më të shpenguara, tek Sisley nuk gjejmë asnjë gjurmë të pashtruar, proto-abstrakte ekspresioniste të viteve të fundit të Monet.

Sisley ishte djalë i atmosferës dhe, thuajse si gjithë kolegët e tij, ai pikturoi në natyrë të hapur, duke marrë kanavacën dhe paletat për t’u prehur në brigjet e Seinës ose në perëndim të qytetit të Parisit. Sa u përket modeleve, qoftë fshatarët në peizazhe apo zbavitësit në barkë, ato janë uniforme pa fytyrë dhe ndonjëherë përshkruhen si vetëm disa arna me ton të mishit në hektarë blu dhe jeshil.

Sisley lindi në Paris nga prindër emigrantë me origjinë britanike dhe jetoi gati gjithë jetën e tij në Francë. Në vitet 1920, ai filloi të pikturojë peizazhet në pyllin Fontenblë, ku një brez i mëparshëm i artistëve francezë, si Camille Corot, Theodore Rousseau, Charles Daubigny dhe anëtarë të tjerë të shkollës Barbizon, filluan të mbushnin pikturat e peisazhit me subjektivitet më të madh.

Pjesa më e madhe e punës së hershme të Sisley është zhdukur. Shtëpia e tij në periferi të Parisit u pushtua nga prusianët gjatë luftës franko-prusiane dhe, në një letër dërguar një miku, ai thotë se humbi gjithçka që zotëronte. Si britanik, Sisley nuk luftoi, por dimë se shkoi në Paris dhe me siguri do ketë pasur kontak me miq artistë, duke luftuar për ushtrinë e dënuar franceze.

Kur përfundoi lufta, Sisley u kthye në Ile-de-France, ku u interesua në përshkrimin e periferisë me ndjeshmëri dikur të rezervuar për fshatrat. Piktura e portit në Marli, e përmbytur pasi Seina shpërthen bankinat mbrojtëse, unifikon qiellin, ujin dhe një kafene në një valëzim të gjithanshëm ngjyrimi. Vetëm rrallëherë peizazhet e tij zbulojnë transformimet që po bënte revolucioni industrial.

Paleta në pikturat e pasluftës është një uniformitet i tonaliteve: e kaltër, gri, e bardhë dhe e gjelbër. Ai bëhet pak më shumë eksperimental me ngjyrat në vitet 1880, madje peneli i tij merr një lloj lirie: pemët janë ngjyrosur me një penel të pjerrët dhe jo thjesht të zhytur horizontalisht.

Një nga pikturat e tij të fundme, bërë në një plazh në Uellsit gjatë viti të stuhishëm 1897, shohim rërë mbuluar në majë me valë të bardhë dhe pothuajse të kujton eksperimentet kromatike të Edvard Munch.

Nëse peizazhi ishte temë e rëndësishme e Impresionistëve, Alfred Sisley ishte i vetmi që iu përkushtua plotësisht asaj. Kjo veçori, ballafaquar me diversitetin e prodhimit të Monet, Renoir ose Pissarro, padyshim çoi në vlerësimin e Sisley si një piktor i rangut të dytë. 

Ky vendim u rishikua pas vdekjes, duke fituar në ditët e sotme vendin si peizazhisti më i frymëzuar dhe më i pastër i impresionizmit. Impresionizmi nuk prezantonte ideale, ide, probleme. Nuk ishte një mendim, ishte një riprodhim i natyrës/jetës në aspektin e tyre më të këndshëm e poetik.

Ardhur nga realizmi, ai u bë një nga piktorët më përfaqësues të lëvizjes impresioniste dhe veçanërisht një nga më besnikët. Stili i tij evoluon, por vetëm për të përsosur dimensionin impresionist.