MENU
klinika

Ankthi dhe si mund të çlirohemi prej tij?

21.01.2019 - 07:21

Në jetën tonë të përditëshme përballojmë frikë. Frika në vetvete është e mirë, pasi parandalon shumë rreziqe, por ankthi është një frikë e tepruar që buron nga thellësia e qenies sonë të tmerruar, përballë gjërave edhe situatave që nuk i përballon dot forca psikologjike dhe fizike.

Nuk janë vetëm fenomenet e frikshme natyrore që shkaktojnë ankth, por  edhe sigurimi i gjërave të domosdoshme të jetës (kur ato mungojnë),si ushqimi, veshja dhe strehimi, është një ankth i vazhdueshëm për shumë njerëz, kryesisht për ata që jetojnë në varfëri.

Ankthin çuditërisht e gjejmë me tepricë edhe tek njerëzit me mirëqënie të lartë, në shoqëritë me hiperkonsum dhe teknologji të përparuar, siç janë vende të zhvilluara ekonomikisht. Mund të themi se ankthi është bërë një sëmundje mendore e qytetërimit modern.

Ankthi shoqërohet me çrregullimin bipolar, çregullime në ngrënie, dhimbje koke, çrregullime gjumi e shqetësime të tjera. Për të hequr ankthin, shumë njerëz abuzojnë me substanca qetësuese si antidepresivë apo narkotike, që në të vërtetë e përkëqësojnë gjendjen e ankthit. Kur ankthi bëhet një stres i vazhdueshëm edhe i pamenaxhueshëm, ka të gjitha gjasat që të kthehet në një gjendje depresive, duke i bërë njerëzit të paaftë për jetën normale.

Njerëzit me probleme ankthi, kanë tri deri në pesë herë më shumë gjasa për të shkuar te mjeku dhe të shtrohen në spital për çrregullime psikiatrike, sesa ata që nuk vuajnë nga probleme të tilla. Ankthi nuk krijon vetëm probleme mendore-psikologjike, por edhe ndikon në të tjera komplikacione edhe sëmundje të rënda trupore.

Kris Carr, shkrimtare i New York Times, activiste e jetës së shëndetshme dhe një prej të mbijetuarve nga kanceri, thotë: “Nëse mendoni se ankthi juaj, depresioni, trishtimi dhe stresi, nuk ndikon në shëndetin tuaj fizik, mendohuni dhe njëherë. Të gjitha këto emocione shkaktojnë reaksione kimike në trupin tuaj, të cilat mund të çojnë në inflamacion dhe në një sistem imunitar të dobësuar”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 13 veta vuan nga ankthi në botë. OBSH raporton se problemet e ankthit janë bërë çrregullimet mendore më të zakonshme në mbarë botën, me pasoja të mëdha depresive.

Këto statistika nuk vijnë vetëm nga bota e varfër, por siç përmëndëm edhe më sipër, ankthi po bëhet mbisundues edhe në vende të zhvilluara. Si p.sh., sipas statistikës  nga “Anxiety and Depression Association of America” (Shoqata Amerikane e Ankthit dhe Depresionit) na thuhet se: problemet e ankthit janë sëmundja më e zakonshme mendore në Shtetet e Bashkuara, duke ndikuar tek rreth 40 milionë njerëz që nga mosha 18 e sipër, ose 18.1% të popullsisë çdo vit. Çrregullimi i përgjithshëm i ankthit (GAD) shpesh bashkë-ndodh me depresion të thellë.

Edhe në Shqipëri, si një vend me shumë probleme sociale edhe pasiguri për të nesermen, ka shumë ankth tek njerëzit. Kjo vërtetohet, pasi sasia e përdorimit të antidepresivëve, rritet nga viti në vit. Importet e antideprsesive si Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it,  janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit.

Njerëzit sot në botë kanë kaq shumë ankth sa janë bërë obsesivë, ashtu si na thuhet tek Libri Jobit: “Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.” (Jobi 3:25)

Nga se shkaktohet ankthi?

Pavarësisht faktorëve të jashtëm fizikë apo socialë, ankthi është  një problem psikologjik, që i vjen njeriut kur ai ndihet i dobët dhe i vetmuar brenda qenies,  ose kërkon me egoizëm eusforik  të qëndrojë i vetëm përpara sfidave të papërballushme të jetës.

E quajmë eusforik, sepse ankthi vjen nga djalli (Eusfori), ashtu siç e cilësojnë edhe njerëzit e ndriçuar të kohëve tona të cilët me lutjet e tyre dhe orientimin shpirtëror  kanë ndimuar shumë njerëz të çlirohen nga akthi. Shën Pais Agjoriti (1924-1994) thotë:“Kur të shikoni ankth, ta dini se aty ka vënë bishtin e tij djalli”.Po ashtu shën Porfiri (1906-1991) i cili ishte atë shpirtëror, thotë, duke bërë pyetjen:“Çfarë do të thotë ankth, nerva, sëmundje psikike?” Dhe ai vet përgjgijej: “Unë besoj se brenda këtyre është djalli. Ne nuk i bindemi Krishtit dhe vjen djalli dhe na trazon”.

Djalli si një qenie shpirtërore rebele dhe e korruptuar, është në një gjendje të vazhdueshme ankthi, sepse  pret ndëshkimin e merituar nga Krijuesi, ashtu siç Krishti tha për atë: “Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!” (Jn. 12:31-33). Gjithashtu në librin e fundit të Shkrimit të Shenjtë, tek Zbulesa, shkruhet: “Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit … edhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve” (Zbul. 20:10).

Këtë gjendje të tij të ankthit ai e injekton fshehtas tek njerëzit, veçanërisht tek ata që nuk besojnë në providencën e Perëndisë. Djalli, si energji mendore, i nxit njeriut egon dhe krenarinë, duke i përshpëritur në vesh: “ti je «perëndi»”. Në këtë gjendje deliri eusforik, kur njerëzit  i japin krahë fantazisë që i tejkalon fuqitë e tyre për zgjidhjen e problemeve imagjinare, vjen djalli  dhe  injekton në psikikën e tyre ankthin dhe pasigurinë për të nesërmen, shëndetin, familjen dhe për çdo gjë që u del jashtë kontrollit për shkak të pamundësisë së tyre.

Themi probleme imagjinare, sepse askush nuk e di se çfarë ka rezervuar e ardhmja për ne. Ne njerëzit që lëvizim brenda kohës edhe hapsirës, njohim vetëm të shkuarën edhe të tashmen, sepse e ardhmja është e panjohur për çdo krijesë të arsyeshme. Ajo njihet vetëm nga Krijuesi i Kudopranishëm dhe i Gjithëditur, i Cili ekziston përtej kohës dhe hapsirës, njeh  gjthçka, si të shkuarën, të tashmen edhe të ardhmen pa asnjë limit, sepse  tek Zoti çdo gjë është tani.

Prandaj apostulli Jakovi, nxënësi i Krishtit, thotë për njerëzit egoistë, që bëjnë plane për të ardhmen, pa ia parashtruar ato Perëndisë Transhedent: “Ejani tani ju që thoni: Sot e nesër do të shkojmë në këtë qytet, edhe do të bëjmë atje një vit, edhe do të tregtojmë e do të fitojmë; ju që nuk dini se ç’do të bëhet nesër. Sepse ç’është jeta juaj? Eshtë me të vërtetë një avull që duket për pakëzkohë, e pastaj humbet. Në vend që të thoni: Në dashtë Perëndia, edhe në rrofshim, do të bëjmë këtë ose atë. Po tani mburreni me mendjemadhësitë tuaja; çdo mburrje e tillë është e ligë” ( Jak. 4:13-16).

Kur njerëzit dështojnë në planet e tyre egoiste dhe fillon ankthi, atëherë djalli e shton më shumë ndjeshmërinë edhe pasigurinë për të nesërmen, duke sfilitur psikikën e tyre i çon në mbilodhje mendore, në depsresion e deri në dëshpërim total, jashtë kontrollit, duke hequr edhe gëzimin për jetën e deri në vetvrasje.

Zakonisht kjo taktikë e tij është efikase tek njerëzit ateistë ose që kanë një besim të pakët për providencën e Perëndisë. Kjo na shpjegon shkakun përse ankthi është rritur në shoqërinë e sotme, që karakterizohet gjithnjë e më shumë si një shoqëri ateiste, ose gnostike duke krijuar “zota” jo personal edhe indiferent për problemet e njerëzve.

Shën Agustini i Hipos (354-430) thotë: “Nga çfarëdo që të kthehet shpirti i njeriut, nëse nuk drejtohet tek Perëndia, ai shkon në pikëllim, edhe pse gjërat jashtë Perëndisë, në të cilat kthehet, mund të jenë gjëra të bukura”. Pyetjes që dikush i bënë shën Paisit: “Jerond, përse shumë njerëz, ndërkohë që i kanë të gjitha, ndjejnë ankth dhe trishtim?” ai i përgjigjet kështu: “kur shikoni një njeri të ketë shumë ankth, trishtim dhe hidhërim, ndërkohë që nuk i mungon gjë, të dini diçka. I mungon Perëndia”.

Si mund të çlirohemi prej ankthit ?

Sipas besimit të krishterë, njerëzit nuk duhet të jetojnë me ankthin e të nesërmes por të jetojnë të tashmen me Zotin dhe të nesërmen duhet t’ja besojnë providencës së Perëndisë, i Cili është një person Hyjnor dhe Trashedent, plot dashuri dhe përkujdesje për gjithë krijesat, madje edhe ato më të voglat, si për zogjtë edhe për lulet, e aq më tepër për njeriun e krijuar sipas ikonës së Tij. Krishti si Fjalë dhe Biri i Perëndisë i mishëruar u thotë besimtarëve: “Po mos u shqetësoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim? Sepse gjithë këto i kërkojnë me ngulm kombet; sepse Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për gjithë këto. Po kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve. Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet për punët e saj; mjaft është në çdo ditë e keqja e saj” (Mt. 6: 31-34).

Kjo mënyrë për të përballuar ankthin nuk është vetëm një aksiomë e krishterë, por njerëzit si para dhe pas Krishtit, e kanë kuptuar këtë nga përvoja e jetës. Epiktiti (55-135) një filozof stoik, thotë: “Nuk mund të ndryshosh të kaluarën, por mund të shkatërrosh të tashmen duke u trishtuar për të ardhmen”, apo William Cowper(1731-1800): “Ankthi nuk e zbraz të nesërmen nga hidhërimet e tua, por zbraz të sotmen me fuqinë tij”, ose “E vërteta është se nuk ka stres ose shqetësim aktual në botë; mendimet tuaja krijojnë këto besime të rreme. Ju nuk mund të pakësoni stresin, prekni ose shihni atë. Ka vetëm njerëz të angazhuar në mendime stresuese” Wayne Dyer(1940-2015)

Por mësimi i Krishtit ndryshon  nga  të tillë njerëz të mençur, sepse çlirimi nga ankthi nuk është vetëm një autosugjestion psikologjik, por një orientim për mbështetje pa dyshim te providenca e kudondodhur e Perëndisë, të Cilit, Krishti si Biri i Perëndisë e quan Atin e Tij dhe ne na mëson t’i drejtohemi me lutje: “Aty ynë”.

Fjalët e Krishtit për të mos patur ankth për të nesërmen, nuk duhen kuptuar si “mos puno  për të sotmen“sepse ai që nuk punon, nuk duhet as të hajë”(2 Thesal 3:10). Por kur njerëzit punojnë për mbijetesën e tyre duhet të punojnë në sinergji (bashkëpunim) me Zotin, ashtu si na thotë shën Joani i Kroshtandit (1829-1909) “arsyeja përse ankthi vret më shumë njerëz sesa puna, është se më shumë njerëz kanë ankth sesa punojnë”

Po ashtu ankthi anjëherë nuk duhet ngatërruar me frikën pedagogjike që ndodhet tek njerëzit si një ndjenjë frenuese për t’iu shmangur një rreziku, ose për t’i dhënë respektin me nderim atij që i takon, dhe mbi të gjitha Perëndisë, ashtu si na thuhet tek psalmet: “Frika e Zotit është fillimi i diturisë” (Psalmi 110:10), ose siç shprehet shën Agustini për marrëdhëniet shoqërore: “Një frikë e shëndetshme do të ishte një kujdestar i përshtatshëm për qytetarët”.

Po ankthin e vdekjes si mund ta përballojmë ?

Përveç ankthit të sigurimit të jetës apo të asaj se çfarë mund të ndodhi në të ardhmen, të gjithë njerëzit janë përballë një ankthi që nuk i shmangen dot, ankthit të vdekjes. Vdekja, si një borxh që të gjithë njerëzit duhet ta paguajnë, vjen si hajduti aty ku nuk e pret. Fjalët e Krishti: “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj” (Mt. 24:42), janë aktuale në çdo kohë për çdo njeri, pavarësisht moshës edhe rethanave të jetës ku ndodhet.

Ankthi i vdekjes që është në zemrën e çdo njeriu, ndryshon kur besojmë në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, që  është i pari dhe i vetmi nga njerëzit që e mundi vdekjen në territorin e saj. Ai mori me vete ankthet e vdekjes duke iu lutur Perëndisë Atë: “Abba, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë kupë; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti” (Mk. 14:36)

Duke zbritur në thellësitë e ankthit njerëzor, Jisui bëhet, për ata që i besojnë ngjalljjes së Tij, ngushëllim dhe shpresë për ngjallje, ashtu siç na e sqaron apostull Pavli: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin,por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij.Pastaj do të vijë fundi, kur ai t`ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t`i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.”(1 Korintasve 15:22-26)

Tek besimtari, pavarsisht se frika e vdekjes mbetet, ajo pushon së qeni një ankth, sepse tashmë në Krishtin e ngjallur vdekja nuk është më një varr i mbyllur, por një derë që hapet për të shkuar përtej kohës edhe hapësirës, në jetën e përjetëshme në bashkimin me Zotin. Tani njeriu besimtar nuk ka ankth në përballjen me vdekjen, madje e sfidon, duke thirrur me triumf dhe me ironi therrëse: “O vdekje, ku është gjëmbi yt? O ferr, ku është fitorja jote? … Po të falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren me anën e Zotit tonë Jisu Krisht” (1 Kor: 15:55).

Besimi i krishterë e ndihmon njeriun që ta kapërcejë ankthin, si një problem psikologjik edhe të mund ta kthejë atë në energji pozitive për të sfiduar problemet e së tashmes, por edhe të vetë vdekjes, që gjithmonë na përgjon në të tashmen, duke bërë çdo ditë pa ankth të mirën për çastin që të ka falur Zoti dhe duke ja besuar të ardhmen providencës së Perëndisë Atë, i Cili me anën e Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, vepron si në të tashmen në të ardhmen dhe të përjetshmen për të mirë tonë, prandaj apostull Pavli thotë: “Mos kini asnjë ankth për ndonjë gjë, por në çdo gjë me anë të lutjes dhe përgjërimit me falenderim le t’i bëhen të njohura kërkesat tuaja Perëndisë” (Filip. 4: 6)

 

Miron Çako: përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës K.O.A.SH.