MENU
klinika

Pse u shkishërua?

Babai i komedisë franceze

15.01.2019 - 17:34

Molieri (Zhan Batist Poklen) lindi më 15 janar 1622 e vdiq më 17 shkurt 1673.

Është një nga figurat më të ndritura të letërsisë botërore, që hodhi themelet e komedisë franceze. Jetoi veprimtarinë e vet dramatike në të ashtuquajturin “shekull të artë” të monarkisë absolute, që shënonte etapën më të lartë të feudalizmit si rend shoqëror dhe fillimin e shpërbërjes së tij.

Së bashku me disa dashamirës të tij, formon një trupë me nëntë aktorë, të cilën e quan “Teatri mbreteror”, pikërisht në këtë kohë e ndërroi emrin dhe u quajt Molier.

Ai ushtronte në të njëjtën kohë detyrën aktor, regjisor, drejtues trupe dhe autor tekstesh. Jeta e tij ishte lidhur ngushtë me teatrin.

Duke i shpërthyer rregullat e ngurta të doktrinës klasiciste autor-aktor-regjisor, në emër të arsyes e të logjikës së shëndoshë, krijoi komedi, e cila godiste çdo ves ose shfaqje negative të kohës dhe të njeriut në përgjithësi.

Temat delikate që trajtonte, i nxirrnin shumë telashe në jetë.

Për shembull, vënia në dukje e hipokrizisë së klerit tek Tartufi, e detyroi ta përpunonte tri herë tekstin për ta shpëtuar nga censura, ndërkaq guximin për ta shfaqur me çdo kusht para publikut, e pagoi me shkishërim.

Molieri shprehu nëpërmjet teatrit mendimin e tij për shumë nga problemet kryesore të epokës kur jetoi, si për shembull: hipokrizinë klerikale dhe shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, preciozitetin, kopracinë, tendencën e një pjesë të borgjezisë për të imituar fisnikërinë, martesën borgjeze e despotizmin prindëror etj.

Teatri i Molierit është i veçantë, origjinal dhe krejt i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve të vet.

Molierin nuk e shqetësonte shumë ideja e respektimit të rregullave të ngurta të klasiscizmit. Para së gjithash, ai dëshironte “ t’i pëlqente publikut ” dhe për të “ky është rregulli i madh i të gjithë rregullave”.

Sipas tij komedia duhet ta bëjë spektatorin të vetëkorrigjohet duke qeshur. Kjo cilësi u quajt katarsis komik, domethënë të pastohesh shpirtërisht nëpërmjet së qeshurës.

Veprimi komik në veprat e tij rrjedh natyrshëm, shpejt dhe me tensionime. Kjo karakterizohet jo vetëm me situatat e freskëta komike, kthesat e papritura dhe kontrastet e ashpra, por edhe me dialogun e gjallë e shumë dinamik.

Me mjeshtëri Molieri krijon atmosferë të nxehtë, të shkaktuar nga veprimet dhe pasionet e personazheve sipas mënyrës së të folurit dhe pasioneve të tyre i nënshtrohen plotësisht idesë kryesore: përqeshja dhe demaskimi i ashpër i së keqes shoqërore dhe triumfi i drejtësisë.

Veprat më të njohura të Molierit mbahen: Tartufi, Don Zhuani, Mizantropi, Kopraci dhe Borgjezi fisnik.

Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve.

Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit, i cili atë që mori nga jeta, ia riktheu asaj me gjenialitetin e vet.

Së bashku me Shekspirin, Molieri ishte pa dyshim një nga dramaturgët më të mëdhenj e më popullor botërorë.

Kopraci

Në komedinë Kopraci Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative.

Harpagoni koprac e fajdexhi jeton në ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve.

Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Herpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.

Duke i vendosur titullin Kopraci, Molieri e përcakton qysh në titull pjesën e tij si komedi karakteri, në të cilën përqeshen personat që e bartin këtë ves të lig e asocial.

Pikënisjen për Kopracin Molieri e ka marrë nga komediografi romak Plauti, i cili në pjesën me titull Kusia tregon se si Euklioni, që gjeti një ditë një kusi plot me monedha të arta, jo vetëm qe nuk harxhoi asnjë grosh, por edhe humbi rehatinë e gjumin nga frika se mos ia merrte kush kusiçkën e shtrenjtë.

Molieri e quan kopracin e vet me emrin Harpagon dhe e paraqet si qënie të robëruar nga vesi i vet, në atë masë sa të qënit koprac përbën thelbin e karakterit të tij. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët