MENU
klinika

Deklarata

Balla apel: Të miratohet në kohë paketa për reformën zgjedhore

15.01.2019 - 13:33

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kërkon bashkëpunimin e opozitës për të kaluar sa më parë në Kuvend paketën për reformën zgjedhore në mënyrë që t’i paraprihet zgjedhjeve lokale të qershorit.

Gjatë një prononcimi për mediat nga ambientet e Kuvendit, Balla tha se është e mundur edhe mundësia për votimin elektronik në zgjedhjet lokale të qershorit.

“Duhet të kalojë në Kuvend sa më parë paketa për reformën zgjedhore. T’i miratojmë në kohë për t’i paraprirë zgjedhjeve të qershorit. Dua ta falënderoj ambasadorin e OSBE dhe te BE për mbështetjen që i japin procesit të reformës zgjedhore. Ambasada gjermane ka qenë e përfshirë në këshillim. Jemi në kohë për të pilotuar votimin e elektronik. I kemi mundësinë për ta bërë në zgjedhjet e qershorit dhe nëse kjo është funksionale, të bëhet edhe në nivel kombëtar. Për PS e vetmja kërkesë ka qenë çështja e votimit të shqiptarëve jashtë vendit. Me të miratuar këtë reformë zgjedhore të nisim punën edhe për çështje të tjera”- tha Balla.

Balla tha ndër të tjera se mazhoranca është dakord në parim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e DSIK dhe ka gati emrat e anëtarëve.

“Kur bie fjala për komisionet hetimore deri më sot nuk ka ndonjë kërkesë nga ana e opozitës që të jetë refuzuar prej nesh. Pavarësisht se në shumicën e rasteve kërkesat bien në kundërshtim me parashikimet e kushtetutës. Jemi dakord në parim me kërkesën, e cila në transpozimin nga kërkesë në vendim të Kuvendit duhet të jetë e qartë në përcaktimet që bën ligji për komisionet hetimore i vitit 2002, vendimet e gjykatës kushtetuese dhe duhet që vendimi duhet të jetë i qartë edhe sa i përket parashikimeve në ligjin për informacionin e klasifikuar. PS i ka gati emrat për anëtar të komisionit, opozita nuk ishte ende gati për emrat”- tha Balla.