Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i ka bëtrë apel opozitës të rikthehet në Kuvend. Ai ka folur nga Kryesia e Kuvendit për gazetarët ku tha se PD duhet të depozitojë propozimet për anëtarë të KQZ si partia më e madhe e opozitës.
“Apeli im është që PD një orë e më parë të vijë në Kuvendin e Shqipërisë. Seanca e parë është në 30 janar. Ne kemi zgjedhur mandatin e komisioni zgjedhor me 30 ditë që të mos humbim më kohë.
Komunikimi më i fundit me opozitën ka qenë pak ditë më parë në konferencën e kryetarëve. Në seancën e fundit kryeministri e preku rëndësinë që ka bashkëpunimi për reformën. Ky semestër i parë i 2019 është një semestër i rëndësishëm për axhendën tonë të integrimit.
Së pari ne presim që PD të depozitojë në Kuvend dy anëtarët për KQZ, i takojnë partisë më të madhe në opozitë dhe PD ka detyrimin institucional që të depozitojë kandidaturat përkatëse”, deklaroi Balla.
Ai tha se në Kuvend maxhoranca ka depozituar më herët një draft që garanton standarde të larta zgjedhore në Shqipëri, duke folur për rritje të barazisë gjinore dhe përfaqësim sa më të lartë të grave.
“Të gjitha gratë të jenë të përfaqësuara në nivel sa më të lartë në Këshillat Bashkiakë. Të rrisim barazinë gjinore në Kuvendin e Shqipërisë. Sot kemi në kuvend të depozituar një draft të shkëlqyer që garanton standarde të larta zgjedhore në Shqipëri në referencë të plotë të të gjithë raporteve të OSBE-ODIHR por nuk është kodi zgjedhor të garanton standarde por në radhë të parë duhet vullnet”, u shpreh Balla.
Ai tha se për të gjithë ecurinë tonë të rrugës europiane, secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. “6 vjet e njëjta këngë besoj se ka ardhur momenti tërësisht për një qasje tjetër”, u shpreh Balla.