MENU

Projeksionet për ekonominë shqiptare

BB: Rritja ekonomike nuk shkon më shumë se 3.6%

11.01.2019 - 09:07

Ashtu si çdo fillim vit, Banka Botërore ka publikuar e para projeksionet e rritjes ekonomike. Për sa i përket ekonomisë shqiptare, ato janë rishikuar lehtë në rritje. Megjithatë, rritja nuk do të shkojë më shumë se 3.6%, shifër kjo më e ulët në raport me rritjen e vitit 2018.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Norma e 4% është objektiv i vazhdueshëm i qeverisë shqiptare ndërkohë që niveli i 5% vlerësohet nga vetë ajo si minimum i nevojshëm në mënyrë që rritja ekonomike të ndihet edhe te xhepat e qytetarëve.

Përgjatë këtij horizonti, deri në 2021, Banka Botërore nuk sheh asnjë arsye përse të projektojë një rritje më të madhe se 3.5%. Përjashtim të vogël bën viti aktual, ku rritja projektohet në 3.6%, lehtë mbi projeksionet e mëparshme dhe bindshëm përtej vlerësimeve paraprake të rritjes gjatë vitit që lamë pas, ku shifrat sinjalizojnë një normë në 4%.

Në rajon ndërkohë, Kosova dhe Shqipëria vlerësohet të jenë dy ekonomitë me rritjen më të shpejtë këtë vit, në 4.5% dhe 3.6% respektivisht, ndërkohë që ekonomia me rritjen më të dobët projektohet ajo e Malit të Zi, me një normë në 2.8%.

Ajo që bie tjetër në sy është fakti se, Banka Botërore ka ulur ndjeshëm projeksionet për Kosovën, me 0.6 pikë përqindje për 2018, dhe me nga 0.3 pikë përqindje për këtë vit dhe atë të ardhshëm. Ky zhvlerësim vjen në një kohë që qeveria e Kosovës është futur në një përplasje totale me Serbinë duke bllokuar tregtinë, ndërkohë që reagimet e Bashkimit Europian kanë qenë deri diku të ashpra.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN