MENU
klinika

Kupa e Italisë

Befasia e madhe, Atalanta eliminon Juven

30.01.2019 - 22:45

Juventus ka pësuar humbjen e dytë sezonale, pas asaj me Manchester United në Champions, por e sotmja i ka kushtuar shumë. Atalanta ka fituar 3-0 në Bergamo ndaj bardhezinjve, duke eliminuar Ronaldon me shokë.

Pjesa e parë ka qenë për t’u harruar për kampionët e Italisë. Në minutën e 27-të dëmtohet Chiellini dhe vendin e tij e zë Cancelo. Në të 37-n, Castagne kalon në avantazh vendasit.

Pa kaluar as 2 minuta, shënuesi më i mirë i Serie A, Zapata, dyfishon shifrat dhe pjesa e parë mbyllet thuajse në mënyrë të përkryer për Atalantën, që në fushë kishte Etrit Berishën në portë dhe Berat Gjimshitin në mbrojtje.

Pjesa e dytë ka pasur vetëm një skenar, Juventus që ka sulmuar pa fund dhe Atalanta që është mbrojtur fort. Ronaldo, Dybala dhe të tjerë kanë provuar disa herë, por Berisha nuk është thyer.

Dhe kur shënon, e pëson. Sërish Zapata ndëshkon bardhezinjtë. Minuta e 86-të dhe 3-0, Juventus kapitullon. Atalanta kalon në gjysmëfinale dhe do të ndeshet me Fiorentinën, që po sot mposhti 7-1 Romën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN