MENU

Situata në qarqe

Bora bllokon qarkullimin, pezullohet mësimi

09.01.2019 - 12:16

Dëbora e rënë mbrëmjen e kaluar në pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë edhe zonat e ulëta ka shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Dëbora ka mbuluar Gjirokastrën, Korçën, Elbasanin, Dibren, Shkodren si dhe qytete të tjera të vendit. Në Gjirokastër, Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi për ditën e sotme në të gjitha shkollat.

Shkodër dhe Lezhë
Edhe në Shkoder dhe Lezhë është pezulluar mësimi në disa shkolla si pasojë e reshjeve të borës dhe vështirësimit në qarkullim.

Gjirokastër
Raportohet se rreth 20 cm reshje dëbore kanë mbuluar sërish qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat. Reshjet e borës që nisën mesnatën e mbrëmshme kanë qenë intensive gjatë gjithë natës dhe po kështu edhe në ketë moment, duke vështirësuar qarkullimin në qytet dhe në akset nacionale.

Rreth orës 3 të mëngjesit aksi drejt Kakavijës përshkohet me vështirësi dhe pati shumë bllokime dhe rrëshqitje të mjeteve në rrugë. Aktualisht akset kombëtare nuk janë të kalueshme për mjete të vogla, por vetëm me goma dimërore dhe me zinxhirë.

Edhe në rrugën për në qafën e Muzinës drejt Sarandës duhen përdorur zinxhirë. Të bllokuara janë zonat e Zagorisë e Pogonit, disa fshatra në Cepo dhe komuna Kurvelesh në Tepelenë ku trashësia e bores shkon në 40- 50 cm.

Bllokime ka patur gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit edhe në aksin Tepelenë – Gjirokastër. Në qytet qarkullimi i mjeteve është pothuajse i pamundur për momentin, por po punohet nga bashkia për hapjen e rrugëve kryesore. Në shumë lagje ngricat kanë çarë ose bllokuar tubacionet e ujit të pijshëm dhe mungesa e ujit është prezente.

Vështirësitë më të mëdha janë për lagjet e sipërme ku sasia e borës është më e madhe. Ngrohja e munguar në shkolla ka bërë që pjesëmarrja sot të mos i kalojë 20%.

Për këtë arsye Drejtoria arsimore ka vendosur pezullimin e mësimit në shkolla dhe zëvendësimin e saj në ditët e ardhshme. Situata paraqitet e njëjtë edhe në rrethet e tjera të qarkut.

Gjithë territori i bashkisë Përmet është mbuluar nga bora. Trashësia e dëborës varion nga 10 cm në lugine deri në 20 cm në njësinë Administrative Frashër.

Rruga nacionale Këlcyrë –Përmet-Tri Urat, është e kalueshme vetëm me zinxhirë për momentin. Rrugët rurale në njësinë administrative Çarçovë, Petran, Frashër janë të bllokuara.

Mjetet e rënda të bashkisë po punojnë për hapjen e rrugëve të qytetit. Mësimi në shkollat e qytetit të Përmetit ka nisur normalisht, pavarësisht orëve të shkurtuara dhe pjesëmarrjes së ulët, ndërsa ne Çarshovë, Frashër, Petran është ndërprerë për shkak të bllokimit të rrugëve. Nuk ka raportime për probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë.

Rruga nacionale Këlcyrë -Ura e Leklit është e kalueshme vetëm me zinxhirë, po kështu dhe rruga Këlcyrë –Ballaban.
Mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat e bashkisë Këlcyrë për shkak të bllokimit të rrugëve.

Në fshatin Ballaban është ndërprerë furnizimi me ujë për shkak të ngrirjes së tubacionit. Po punohet ndërkohë për pastrimin e rrugëve te qytetit.