MENU
klinika

Moti i keq

Bora në Shkodër, trotuarët si pista patinazhi

11.01.2019 - 19:09

Trotuaret e Shkodrës rrezikojnë të kthehen në pista patinazhi, pasi në mbi 90 % të territorit ato janë të mbuluara nga dëbora.

Qytetarët madje janë tejet kritik me kryetaren e bashkisë Voltana Ademi, që sipas tyre shpejtoi të thotë se rrugët janë pastruar, por realiteti në terren thotë të kundërtën.

Reshjet kanë pushuar por frika është se temperaturat e ulëta dhe ngricat mund të përkeqësojnë më tepër situatën. Problematikat më të mëdha po i kalojnë zonat malore, ku Dukagjini me 3 njësitë Pultin, Shalën dhe Shoshin kanë nga 40 cm deri në 1 metër dëborë.

I bllokuar është Mali i Shoshit, ndërsa në fshat nuk ka energji elektrike dhe as shërbim mjekësor. Në rrugën nacionale  Shkodër-Velipojë, në pjesën nga Mali Kolaj deri në Baks të Ri, veçanërisht në Qafë Shtiqën, për arsye të ngricave ka pasur probleme në qarkullimin e mjeteve. Rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë segmenet rrugë.

Ende nuk është hapur as segmenti Shirokë  – Zogaj i bllokuar prej 2 ditësh si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës. E premtja shënoi edhe numrin rekord të shkollave të mbyllura, ku 40 të tilla rezultojnë të mos kenë hapur dyert mes të cilave edhe shkollat 9 vjeçare në qytet Martin Camaj, Salo Halili, Branko Kadija, Xheladin Fishta, Ndre Mjeda dhe Ismail Qemali, si dhe gjimnazet Jordan Misja e 28 Nentori.