MENU
klinika

As plani i të ardhurave s’u realizua

Buxheti, dështuan 46 mln euro investime

26.01.2019 - 13:06

46 milionë euro investime publike nuk u realizuan vitin e kaluar. Sipas treguesve paraprakë fiskalë, investimet e parashikuara me fonde buxhetore vitin e kaluar u realizuan vetëm në masën 93%.

Ashtu siç pritej, edhe vitin e kaluar pati një përqendrim masiv të shpenzimeve publike gjatë muajit dhjetor. Në përpjekje për t’i realizuar shpenzimet brenda vitit buxhetor, vetëm gjatë dhjetorit u financuan 21 miliardë lekë investime.

Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të realizuar planin vjetor dhe gjatë vitit 2018 u investuan 5.8 miliardë lekë më pak se plani.

Nga ana tjetër, buxhetit të shtetit për vitin 2018 i mungojnë rreth 12.5 miliardë lekë. Të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2018 janë realizuar në masën 97%, duke arritur në rreth 449.4 miliardë lekë.

Performancë më të dobët në këtë drejtim kanë pasur taksat doganore me realizim 89% dhe akciza e renta minerare me 93%. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 34.5 miliardë lekë dhe realizim në masën 102% të planit. Ndërsa taksat nacionale dhe të tjera, në masën 101% e planit, apo rreth 38.6 miliadrë lekë.

Tatimi mbi vlerën e shtuar është realizuar në masën 98%, pavarësisht godtijes që ka dhënë kursi i këmbimit me rreth 143.5 miliardë lekë të ardhura.

Megjithatë, për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve, sërish deficiti buxhetor rezultoi më i ulët se plani. Buxheti u mbyll me një deficit prej 26.5 miliardë lekësh, afro 6 miliardë lekë më pak se plani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN