MENU

Kuriozitet kulturor

Çfarë është sindroma e Stendalit?

24.01.2019 - 13:27

Sindroma Stendal, e njohur ndryshe edhe si sindroma e Firences (qytet ku është manifestuar shpeshherë), është një ndjenjë psikosomatike e dallueshme në subjekte të ndryshme kur gjenden përpara veprave të artit me bukuri të jashtëzakonshme, veçanërisht nëse ato janë ngjeshur në hapësira të kufizuara. Por në ç’mënyrë shfaqet kjo? Dhe, mbi të gjitha, cilat janë simptomat?

 Origjina e fjalës

Dukuri e verifikuar shpeshherë në prani të veprave të Karavaxhios dhe Mikelanxhelos, termi i sindromës i detyrohet shkrimtarit francez Stendal. Ishte pikërisht ai që i përshkroi për herë të parë në veprën “Roma, Napoli dhe Firence”, shkruar në vitin 1817, efektet e kësaj patologjie psikosomatike, eksperimentuar në vetën e parë.

Në të vërtetë, në një nga dritaret e udhëtimeve të tija, Stendali rrëfen se gjatë një vizite në Bazilikën Santa Croce në Firence, e kapi një krizë që e detyroi të dilte nga ndërtesa, vetëm e vetëm që të rimerrte veten nga ai reaksion marramendës që i shkaktoi në shpirt ai vend arti.

Analiza psikologjike

Graziella Margherini, psikiatria italiane, falë botimit të një libri, i bëri të njohura efektet e kësaj gjendjeje, duke përshkruar më shumë se 100 raste.

Graziella Margherini, përgjegjësja e shërbimit shëndetësor mendor ASMN të Firences, në vitin 1979 shkroi: “Sindroma Stendal. Dobësia e udhëtarit përballë madhështisë së artit”. Studimi mori spunto nga trajtimi i turistëve, të cilët dilnin nga ambientet e mbyllura dhe, në kthetrat e shqetësimeve të çuditshme, kërkonin ndihmë në spitalin fiorentin.

Në studim janë mbikqyrur kryesisht subjekte meshkuj, të moshës midis 25 dhe 40 vjeç dhe me një nivel të mirë shkollimi, që udhëtonin vetëm, nga Evropa Perëndimore apo Amerika e Veriut, për më tepër tregoheshin shumë të interesuar sa i përket aspektit artistik të itinerarit të tyre.

Fillimi i shqetësimit shfaqej pak kohë pas mbërritjes së tyre në Firence, për më tepër ndodhte gjithnjë brenda muzeve gjatë vëzhgimit të veprave të artit.

Duke folur në lidhje me kërkimin e saj, Graziella Magherini thekson: “Analiza e sindromës Stendal e vë theksin tek ndërveprimet komplekse psikosomatike që mund të shkaktohen tek disa individë, me kushte të veçanta predispozuese psikike, kur konteksti mjedisor favorizon aspektet e çrrënjosjes në raport me zakonet e jetës së përditshme.

 

Bukuria dhe vepra e artit janë në gjendje të godasin thellësisht në përgjithësi natyrat e ndjeshme të shikuesve, si dhe për t’i  kthyer në situata dhe struktura të cilat zakonisht hiqen”.

“Në studim, – vazhdon studiuesja, – kemi vërejtur forma të ndryshme.

Shumica e turistëve shfaqnin gjendje paniku, disa shfaqnin çrregullime të përmbajtjes dhe formës së mendimit me njohuri dhe perceptime delirante të shoqëruara me çrregullime të sensit/perceptimeve të ndjenjave me halucinacione dëgjimore, të tjerë perceptonin fenomene iluzionesh dhe cenestofrenie; të tjerë paraqisnin çrregullime emocionale, me humor të prirur në sensin depresiv me përmbajtje holotike të fajit dhe shkatërrimit ose, anasjelltas, në gjendje maniake me eufori dhe manifestime ekstaze.

Të tjerë shfaqnin simptoma që i referoheshin kritereve aktuale diagnostikuese për çrregullime paniku, me kriza akute të ankthit të lirë ose situacional; dhe, së fundi, disa, përveç një ndjesie të fortë shqetësimi, e perceptonin qytetin vizitues, thuajse armik, sikur të ndiheshin të persekutuar jo nga një entitet, por nga vetë qyteti”.

Mikelanxhelo dhe arti i rilindjes

Realizuar në Firence, studimi kishte për qëllim mbikqyrjen e shqetësimeve të shkaktuara kryesisht nga soditja e veprave të Rilindjes. Në veçanti, hyjnori Mikelanxhelo është artisti i cili ka kontribuar më së shumti në pështjellimin e mendjeve të personave.

Në të vërtetë, Graziella Magherini pohon: “Në studimet e mia për Mikelanxhelon, unë u përqendrova kryesisht mbi pikturën e Davidit. Davidi ka karakteristika të jashtëzakonshme: pikë së pari, ai ka një bukuri të jashtëzakonshme anatomike dhe më pas, në të njëjtën kohë, ai është një hero biblik dhe, për qytetin, një hero qytetar.

Mbi të gjitha, ajo që godet cilindo, është ana estetike: ajo është një nudo e bukur dhe kjo mund të ndikojë në shpirtin e disa personave, duke i shtyrë ata drejt ngazëllimit, depresionit e kështu me radhë, duke ndikuar kështu ndjeshmërinë e shikuesit, në një kuptim ose në një tjetër”.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Lirika e gjuhës së mprehtë

Azem Shkreli pena origjinale bashkohore

Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar

Shqipëria dinjitoze në Kanë

“Furgoni” mes 11 filmave pretendentë

Albanologu, përkthyes e kritik... iku!

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt