MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 10 janar?

10.01.2019 - 08:45

10 Janar 1920 – Themelohet Lidhja e Kombeve

Lidhja e Kombeve, nisi së funksionuari zytarisht kur Pakti i Lidhjes së Kombeve, i ratifikuar nga 42 vende të botës në vitin 1919, hyri në fuqi. Në vitin 1914, një vrasje me prapavijë politike në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës, shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që çuan në shpërthimin e luftës më të përgjakshme që kishte ndodhur ndonjëherë.

Teksa gjithnjë e më shumë të rinj u dërguan të luftonin në llogore, zëra me ndikim në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, filluan të bëjnë thirrje për krijimin e një institucioni të përhershëm ndërkombëtar për të ruajtur paqen në botën e pasluftës. Presidenti amerikan Uilson, u bë një avokat i zëshëm i këtij koncepti, dhe në vitin 1918, e përfshiu atë në propozimin e tij të famshëm prej 14 pikash, për t’i dhënë fund luftës.

Në nëntorin e vitit 1918, Fuqitë Qëndrore ranë dakord për një armëpushim. Dy muaj më vonë, aleatët u takuan me përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë së pushtuar në Versajë të Francës, për të arritur marrveshjen zyrtare të paqes. Presidenti amerikan Uilson, kërkoi një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por Anglia dhe Franca nuk ranë dakord, duke i imponuar pagimin e dëmshpërblimeve të mëdha armiqve të tyre të luftës.

Megjithatë, ngritja e Lidhjes së Kombeve u miratua, dhe në verën e vitit 1919 Uilson ia paraqiti senatit për ratifikim Traktatin e Versajës dhe Konventën e Lidhjes së Kombeve. Ai pësoi një goditje në tru vjeshtën e atij viti, gjë që e pengoi në arritjen e një kompromisi.

Shumica e kongresmenëve, mendonin se traktatet reduktonin autoritetin e SHBA-së në botë. Në nëntor, Senati refuzoi t’i ratifikonte të dyja dokumentet. Lidhja e Kombeve u themelua pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, duke mbajtur takimin e parë në Gjenevë më 15 nëntor 1920.

Gjatë viteve 1920, Lidhja, me seli në Gjenevë të Zvicrës, pranoi anëtarë të rinj dhe ndërmjetësoi me sukses mosmarrëveshje të vogla ndërkombëtare, por që shpesh u shpërfillën nga fuqitë kryesore. Ndërkohë, autoriteti i Lidhjes nuk u sfidua seriozisht deri në fillim të viteve 1930, kur një sërë ngjarjesh e ekspozuan atë si një institucion të të paefektshëm.

Japonia u largua nga organizata pas pushtimit të Kinës, edhe pse e dënua nga Lidhja. Kjo e fundit, qe gjithashtu e pafuqishme për të parandaluar riarmatimin e Gjermanisë dhe Italisë pushtimin italian të Etiopisë.

Ky organizëm praktikisht pushoi së funksonuari gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në vitin 1946, Lidhja e Kombeve u shpërbë zyrtarisht me themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. OKB u modelua sipas Lidhjes së Kombeve, por pati një rritje të ndjeshme të mbështetjes ndërkombëtare, për ta ndihmuar të mos përsëriste dështimet e të parës.

10 Janar 1962 – Orteku vret mijëra njerëz në Peru

Një ortek i madh në shpatet e një vullkani të shuar, vret më shumë se 4.000 njerëz në Peru. Nëntë qyteza dhe 7 fshatra të vegjël u shkatërruan tërësisht. Mali vullkanor Huaskaran në Ande ka një lartësi mbi 6500 metrash mbi nivelin e detit. Mbrëmjen e 10 janarit, kur shumica e njerëzve ishin mbledhur nëpër shtëpitë e tyre për të darkuar, një pjesë e një akullnaje gjigande u shkëput papritur nga mali, dhe u lëshua me shpejtësi poshtë luginës.

Blloku i akullit ishte sa madhësia e dy grataçielave, dhe sipas përllogarritjeve peshonte rreth 6 milionë tonë. Orteqet nuk qenë të pazakonta për zonën, dhe zakonisht dihej se nga momenti i dëgjimit të zhurmës së shkëputjes së akullit dhe ardhja e një orteku, njerëzit kishin 20-30 minuta kohë për t’u larguar me shpejtësi në një terren më të lartë.

Megjithatë, këtë herë, orteku përshkoi 15 km në vetëm 7 minuta. Qytetet Ranrahirka dhe Huaraskuko u varrosën nën 40 metra akull, baltë, pemë, gurë dhe mbeturina të tjera. Vetëm një numër i vogël njerëzish në çdo qytezë mbijetuan. Akullnaja u ndal në lumin Santa, ku ndaloi rrjedhën e ujit, duke shkaktuar përmbytje në zonat e afërta.

Në total, rreth 4.000 njerëz humbën jetën në atë ortek. Disa trupa u transportuan deri në Oqeanin Paqësor, 160 km larg. Të tjerë u varrosën nën kaq shumë copëra materialesh, sa që trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Ndërkohë 10.000 kafshë nëpër ferma u vranë, dhe miliona dollarë të korra u shkatërruan. Tetë vjet më vonë, një tërmet shkaktoi një tjetër ortek të tmerrshëm në të njëjtën zonë.

10 Janar 1923 – Trupat amerikane largohen nga Gjermania

Katër vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Presidenti Uoren Harding urdhëroi rrikthimin në atdhe të trupave amerikanë që ndodheshin në Gjermani. Më 1917, pas disa vite luftimesh të përgjakshme përgjatë frontit të perëndimit, hyrja e forcave amerikane në Luftën e Parë Botërore, shënoi një pikë kthese në konfliktin botëror.

Kur përfundoi lufta në nëntor 1918, më shumë se 2 milionë ushtarë amerikanë kishin shërbyer në fushëbetejat e Evropës Perëndimore, dhe më shumë se 50.000 prej tyre kishin humbur jetën. Si pjesë e Traktatit të Versajës, nënshkruar vitin që pasoi, trupat e SHBA-së, së bashku me forcat e tjera aleate, ishin stacionuar në vendet e mundura, për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve të paqes.

10 Janar 49 P.E.S- Jul Çezari kalon Rubikonin, duke sinjalizuar fillimin e luftës civile.

10 Janar 1863 – Hekurudha metropolitane, hekurudha më e vjetër nëntokësore në botë, hapet midis Pedingtonit dhe Ferringdonit në Londër.

10 Janar 1920 – Hyn në fuqi Marrëveshja e Versajës, duke i dhënë fund zyrtarisht Luftës së Parë Botërore.

10 Janar 1946 – Mbahet në Londër mbledhja e parë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të u përfaqësuan 51 shtete.

10 Janar 1966 – Nënshkruhet Deklarata e Tashkentit, një marrëveshje paqeje midis Indisë dhe Pakistanit, që i dha fund Luftës Indo-Pakistaneze të vitit 1965.

10 Janar 1984 – Vatikani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rivendosin marrëdhëniet e plota diplomatike pas gati 117 vjetësh, duke përmbysur kësisoj vendimin e Kongresit amerikan të vitit 1867 për bllokimin e financimin publik për një të dërguar diplomatik në Selinë e Shenjtë.

10 Janar 1985 – Sandinisti Daniel Ortega bëhet president i Nikaraguas, dhe zotohet të vazhdojë transformimin në socializëm dhe aleancën me Bashkimin Sovjetik dhe Kubën. Politika amerikane, vazhdoi të mbështesë Kontrat në revoltën e tyre kundër qeverisë së Nikaraguas.

10 Janar 2015 – Një helmim masiv dhe i qëllimshëm i birrës gjatë një funerali në Mozambik, shkaktoi vdekjen e 56 personavem dhe shtrimin në spital në gjendje të rëndë të mbi 200 të tjerëve.