1922 – Për herë të parë, mjekët në spitalin e Torontos, Kanada, përdorin insulinën për trajtimin e diabetit në njerëz. Para vitit 1922, personat me diabet të tipit 1 nuk jetonin më shumë se 1 deri 2 vjet. Edhe pse nuk kuron diabetin, insulina është një nga zbulimet më të mëdha në mjekësi, e cilësuar si mrekulli – njerëzit me diabet në gjendje të rëndë, me vetëm pak ditë për të jetuar, falë insulinës, shpëtuan dhe u kthyen në jetë normale.
Insulina u zhvillua në laboratorin e universitetit të Torontos. Katër mjekë e laborantë u morrën me këtë punë, por në vitin 1923 vetëm dy mjekët u nderuan me çmimin Nobel për mjekësi; dhe mjekët, personalisht, vendosën t’a ndanin shpërblimin Nobel me dy laborantët e tyre.
1927 – Louis B. Mayer, drejtori i studios kinematografike Metro – Goldwyn – Mayer (MGM), shpall krijimin e Akademisë së Filmit, Arteve dhe Shkencave, gjatë një banketi në Los Angeles, Kaliforni.
Akademia është e njohur në mbarë botën për Çmimet Oskar, që shpërndan çdo vit për arritjet më të mira në fushën e kinematografisë.
1943 – Anarkisti italiano – amerikan Karlo Treska vritet me atentat në Nju Jork. Ai ishte redaktor gazete, orator, dhe organizator sindikalist gjatë viteve 1910. Treska u bë i njohur si kundërshtar kryesor i hapur i fashizmit, stalinizmit, dhe i shtrirjes së mafias në lëvizjen sindikale.
Një teori në atë kohë se kush e kreu atentatin, ishte se Treska u vra nga mafia e Nju Jorkut me urdhër nga Sicilia. Një tjetër teori ishte se Treska u eliminua nga shërbimi sekret sovjetik NKVD si ndëshkim për kritikat e tij ndaj regjimit të Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik.
1946 – Republika e dytë shqiptare: Të gjitha kishat e Shqipërisë, paralajmërohen t’u bien këmbanave rreth orës 1:30 pasdite kur Asamblea Kushtetuese të shpallte para popullit dhe botës se Shqipëria është Republikë Popullore; shpallja u përshëndet me 101 të shtëna topi dhe dy ditë festime në mbarë vendin.
Enver Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, u shpall kryetar i shtetit. Mbreti Zog në mërgim, u shpall “tiran brutal dhe tradhtar”. Oborri Mretëror e priti vendimin pa ndonjë habi dhe pa shumë protestë, por deklaroi se për shqiptarët ekziston një çështje shumë më serioze sesa forma e regjimit dhe ajo është çështja e integritetit kombëtar e territorial dhe e të drejtave të sovranitetit të popullit.
1964 – Kirurgu i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Dr Luther Terry, publikon raportin historik “Pirja e duhanit dhe Shëndeti: Raport i Komisionit Këshillues të Kirurgut të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se pirja e duhanit mund të jetë e rrezikshme për shëndetin – raporti shkaktoi brenda e jashtë vendit një valë kundër pirjes së duhanit.
1986 – Authori James Clavell nënshkroi një marrëveshje me shtëpinë botuese Morrow/Avon për 5 milionë dollarë si paradhënie për librin “Wirlwind”.
Libri është një roman 2 mijë faqesh dhe sipas përllogaritjes, Klavelli u pagua 2 mijë e 500 dollarë për një faqe të shkruar.