532 – Shpërthen revolta në Kostandinopojë, trazira më e dhunshme në historinë e kryeqytetit të Perandorisë Bizantine; gati gjysma e qytetit u dogj a shkatërrua dhe dhjetëra mijëra njerëz u vranë; gjithë kjo ishte pasojë e zemërimit të tifozëve të garave sportive me karroca (trazira të ngjashme me ato të huliganizmit të tifozëve të futbollit në kohët moderne). Në atë periudhë, perandori Justinian ndodhej mes negociatave për paqe me persianët, dhe tani atij i duhej të përballej me një krizë të brendshme, krijuar nga tifozë. Më 13 janar, turmat vërshuan në hipodrom për të ndjekur garën me karroca, sporti më popullor në atë kohë. Perandori dhe oborrtarët kishin zënë vend në tribunë.
Ndërkohë, njerëz nga turma filluan të lëshonin fyerje ndaj Justinianit, dhe më pas vërshuan drejt tribunës; rojet perandorake u përgjigjën; zemërimi u shtua; trazirat u përhapën në mbare qytetin; trupat e udhëhequra nga gjeneral Belisarius, kundër-vepruan; si përfundim, rreth 30 mijë protestuesi u vranë. Pas kësaj, Justiniani rindërtoi Kostandinopojën dhe katedralen Hagia Sofia thuajse të shkatërruar plotësisht. Kjo, gjithashtu, i dha atij dorë të lirë për të vendosur sundim të hekurt, dhe për të ndjekur ëndrrën e tij për një Perandori Romake të bashkuar.
1842 – Një mjek i ushtrisë britanike mbërrin në bazën ushtarake britanike në Xhalalabad, Afganistan; ai ishte mbijetuesi i vetëm i një force anglo – indiane prej 16 mijë trupash që u masakruan gjatë tërheqjes nga Kabuli.
1893 – Themelohet Partia Laburiste britanike; fillimisht, objektivi i saj kryesor: “kolektivizimi i pronës, i mjeteve të prodhimit, i shpërndarjes dhe shkëmbimit”.
1822 – Pamja i flamurit grek miratohet nga Asambleja e parë Kombëtare në Epidaurus, pasi Greqia shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane në vitin 1821. Ky version i flamurit kishte një kryq diagonal në qoshe në vend të një katrori që përdoret tani; 9 vijat e flamurit thuhet se përfaqësojnë numrin e rrokjeve në frazën greke “Eleutheria H Thanatos” “Liri a vdekje!”, thirrje në betejë gjatë revoltës kundër pushtimit osman. Ngjyrat blu dhe të bardhë kanë shumë interpretime; ngjyrat e qiellit dhe detit (kombinuar me retë e bardha dhe valët); disa thonë se ato përfaqësojnë ngjyrat e veshjeve të banorëve grekë në ishuj e kontinent. Flamuri i tanishëm u miratua zyrtarisht nga Greqia më 22 dhjetor 1978.
1898 – Artikulli i shkrimtarit francez Emile Zola, J’accuse, ekspozon mashtrimet, prapaskenat dhe komplotin lidhur me çështjen Dreyfus (oficer francez dënuar gabimisht me burgim të përjetshëm për tradhti); Artikulli i Zolas, përfundimisht, çoi në pafajësinë dhe lirimin e Dreyfus nga burgu.
1937 – Shpallet i paligjshëm shërbimi i një amerikani në Luftën Civile të Spanjës. Por ligji nuk i shkurajoi ata që ishin të vendosur të shkonin; madje amerikanët formuan brigadën e tyre Abraham Linkoln, e përbërë me vullnetarë që shërbyen si ushtarë, teknikë, personel mjekësor dhe aviatorë për forcat republikane kundër Frankos dhe nacionalistëve spanjollë. Nga përafërsisht 2.800 vullnetarë amerikanë, rreth 800 u vranë duke luftuar apo vdiqën nga plagët ose sëmundjet.
1941 – Vdes në Zyrih të Zvicrës, James Joyce (58 vjeç) – cilësuar si shkrimtari më i madh i Irlandës; romani modernist i tij, Ulisses (1922) rendimet mes veprave më të mëdha të letërsisë botërore. Joyce e ndan “Uliksin” në 18 kapituj apo “episode”.
Kritikët thonë se në lexim të parë libri mund të duket pa-strukturë dhe kaotik. Në një rast, Xhoisi ka thënë: “në libër kam vënë aq shumë enigma e gjë-a-gjëza sa që studiuesve e profesorëve do t’u duhet të grinden për shekuj rreth asaj që kam dashur të them”.
1942 – Henry Ford regjistron patentën për prodhimin e një automobil plastik, 30% më i lehtë se një makinë e rregullt. Plastika e prodhuar nga soja, ishte një përpjekje e Fordit për të integruar industrinë me bujqësinë, për të kursyer karburantin, dhe për të lehtësuar gjendjen nga mungesa e metaleve që tashmë i nevojiteshin industrisë së armatimeve ndërsa Amerika kishte hyrë në Luftën e Dytë Botërore.
1953 – Marshalli Josip Broz Tito zgjidhet president i Jugosllavisë. Josip, lindur më 1892, ishte fëmija i shtatë nga prindër, i ati kroat, e ëma sllovene. Gjatë luftës së Parë Botërore (1914 – 1918), Tito shërbeu në ushtrinë austro-hungareze, edhe u gradua. Ai u plagos rëndë në këtë luftë dhe u kap rob nga trupat cariste ruse; u dërgua në një kamp pune në malet Urale, ku ra në kontakt me komunistët rusë; mori pjesë në Revolucionin e Tetorit; u bë anëtar i Gardës së Kuqe. Pas kthimit në Kroaci, ai e gjeti veten në Mbretërinë e re të Jugosllavisë, ku u bashkua me Partinë Komuniste. Tito ishte arkitekti kryesor i Jugosllavisë së dytë: Federatës Socialiste. Nga viti 1943 deri në vdekjen e tij në vitin 1980, ai mbajti gradën e Marshallit të Jugosllavisë; shërbeu si komandant suprem i ushtrisë Jugosllave, dhe së fundi president. Me një reputacion shumë të favorshëm mes dy blloqeve të Luftës së Ftohtë (Lindje e Perëndim), Tito, sa ishte gjallë, mori dekorata nga 98 vende të huaja. Pas vdekjes së tij, në vitin 1980, mes republikave jugosllave u shfaqën tensione, duke filluar me demonstratat në Kosovë më 1981; në vitin 1991 Jugosllavia u shpërbë, duke kaluar në një seri luftërash dhe trazirash që zgjatën deri në pjesën tjetër të mijëvjeçarit të tretë; ndikimi i të cilave vazhdon të ndjehet ne shumicën e ish-republikave jugosllave edhe sot e kësaj dite.
1953 – Një artikull në gazetën Pravda akuzon disa nga mjekët më të shquar, kryesisht hebrenj, në Bashkimin Sovjetik, se ishin përfshirë në komplot të gjerë për të helmuar anëtarë të udhëheqjes më të lartë politike dhe ushtarake sovjetike.
1960 – Qeveria e Tiranës lëshon një dekret sipas të cilit, çdo shtetas shqiptar mund të internohet pa proces gjyqësor, por thjesht me masë administrative. Në atë kohë, Shqipëria thuhet se kishte 14 kampe përqendrimi, ku mbaheshin të burgosur politikë. Ndërkohë, marrëdhëniet shqiptare – sovjetike po keqësoheshin dita ditës. Shqipëria kishte gjetur një aleat të ri tek Kina komuniste; të dyja bashkoheshin në kundërshtimin e tyre ndaj politikave të Hrushovit për de-stalinizim.
1990 – Douglas Wilder bëhet guvernatori i parë i zgjedhur afrikan Amerikan, ndërsa merr detyrën në Richmond, Virginia.
2012 – Anija e pasagjerëve Costa Concordia mbytet pranë brigjeve të Italisë, duke shkaktuar 31 vdekje të konfirmuara dhe një të zhdukur, mes 4232 pasagjerëve dhe ekuipazhit.