MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 14 janar?

14.01.2019 - 08:38

1539 – Spanja anekson Kubën. Ishulli i Kubës ishte i banuar nga fise të shumta autoktone para zbulimit nga eksploruesi italian Kristofor Kolombi, në vitin 1492. Pas mbërritjes së Kolombit, Kuba u bë koloni spanjolle. Në vitin 1762, ishulli ra nën kontrollin britanik, para se t’i kthehej Spanjës në këmbim për Floridën. Një seri e rebelimesh gjatë shekullit të 19 nuk arriti t’i jepte fund sundimit spanjoll. Megjithatë, rritja e tensioneve midis Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara, që arriti kulmin me luftën amerikano-spanjolle, më në fund çoi në tërheqjen e Spanjës; në vitin 1902 Kuba fitoi zyrtarisht pavarësinë nga Spanja.

1822 – Lufta greke e Pavarësisë : Akrokorinthi (Korinthi i Epërm) merret nga trupat e Theodor Kolokotronit, udhëheqës i Revolucionit grek kundër perandorisë Osmane. Kolokotroni, ky “shqiptar” i quajtur arvanitas, fliste arvanisht (arbërisht), paraardhëse e drejtpërdrejtë e shqipes së sotme.

1896 – Karlo Ponzi emigron nga Italia në Shtetet e Bashkuara, ku ai organizoi një skemë piramidale, krim financiar që sot mban emrin e tij. Pas kapjes dhe ekstradimit në Itali më 1934, Ponzit iu dha një post i lartë në sektorin financiar italian, të cilin ai e shfrytëzoi duke përvetësuar shuma të mëdha të hollash. Kur u zbulua, Ponzi u arratis në Brazil, ku vdiq në vitin 1949.

1943 – Lufta e Dytë Botërore: Franklin D. Roosevelt dhe Winston Churchill fillojnë Konferencën në Casablanca të Marokut, për të diskutuar strategjinë për fazën e ardhshme të luftës. Në këtë zhvillim, Roosevelti bëhet presidenti i parë amerikan që udhëton me aeroplan, kur shkoi nga Miami në Marok për t’u takuar me Çurçhillin.

1973 – Koncerti i Elvis Presleyt Aloha (Përshëndetje) nga Hawaii transmetohet drejtpërdrejtë me satelit, duke vendosur rekord në shikueshmëri të një këngëtari solo në historinë e televizionit.

14 Janar 1919 – Lind politikani i njohur italian Giulio Andreotti

Andreotti ishte një politikan dhe shtetar italian, i cili shërbeu si kryeministri i 41-të i Italisë, dhe udhëheqësi i Partisë Demokracia Kristiane. Ai është kryeministri i gjashtë më jetëgjatë që nga bashkimi i Italisë, dhe kryeministri i dytë më jetëgjatë i pasluftës pas Silvio Berlusconi. Andreotti, konsiderohej gjerësisht si politikani më i fuqishëm dhe i shquar i të ashtuquajturës Republika e Parë.

2000 – Një vendim i gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte, dënon pesë kroatë boshnjakë me deri në 25 vjet burgim për vrasjen e mbi 100 myslimanëve në një fshat të Bosnjës në vitin 1993.