MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 5 janar?

05.01.2019 - 08:52

1555 – Gjon Buzuku përfundoi veprën e tij që njihet si “Meshari”. E kishte filluar më 20 mars 1554 (viti 2014 shënon 460-vjetorin). Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqipe. Kush ishte, nga ishte, ku punoi, mbi ç’baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur përgjigje të plotë. Gjon Buzuku ishte famullitar i thjeshtë, që, me sa duket punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Libri i plotë ka pasur 110 fletë (220 faqe), por, ashtu siç na ka arritur sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera përmes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj.

1913 – Lufta e Parë Ballkanike: Gjatë betejës së Lemnos, admirali grek Pavlos Konduriotis detyron flotën turke të tërhiqet në bazën e saj të Dardaneleve, prej nga mbeti e pa aktivizuar gjatë gjithë luftës.

1914 – Lajme nga fronti i punës: Kompania Ford Motor e Henry Fordit shpall me krenari një pagë të re ditore minimale prej 5 dollarësh dhe një ditë pune prej 8 orësh.

1919 – Themelohet Partia e Punëtorëve gjermanë – Më 1920 ajo do të quhej Partia Naziste, dhe pas një viti, Adolf Hitler do të bëhej kryetar i saj.

1933 – Fillon ndërtimi i urës Golden Gate (Porta e Artë) për të lidhur dy brigjet e gjirit të San Franciskos. Ngjyra e urës është portokalli, sepse plotëson mjedisin natyror dhe rrit dukshmërinë e urës në mot me mjegull.

1943 – Gazeta shqiptare – amerikane “Dielli” boton tekstin e një telegrami që krypeshkopi Fan Noli i kishte dërguar në dhjetor 1942, Anton Logorecit në Londër, i cili mbante lidhje me Komitetin Shqipëria e Lirë themeluar në Boston nga Çekrezi. Në telegramin e tij Fan Noli i drejtohej Logorecit me këto fjalë: “Në këtë situatë emergjente, ata që kundërshtojnë mbretin Zog si kryetar legjitim të një qeverie shqiptare në megrim, me një vend në Konferencën e Paqes, bëjnë pavetëdije lojën e armiqve të Shqipërisë. Ju bëj thirrje juve dhe miqve tuaj për të sheshuar mosmarrëveshjet me mbretin Zog si e keqja më e vogël deri në konferencën e ardhshme të paqes dhe përkrahni Frontin e Bashkuar shqiptar, që është e vetmja mënyrë për të ndihmuar sa më mire si Shqipërinë edhe Kombet e bashkuara, për të garantuar tërësinë tokësore të Shqipërisë”.

1953 – Në Queens të Nju-Jorkut lindi George Tenet, ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit. I ati i tij nga fshati Qeparo i Shqipërisë u vendos fillimisht në Francë ku punoi në një minierë qymyri para se të emigronte përfundimisht në Shtetet e Bashkuara. Tenet u rrit në lagjen Queens, ku kreu edhe shkollën e mesme, ndërkohë që punonte si pjata-larës në restorantin e vogël të familjes. Tenet u diplomua nga Universiteti Georgetown në vitin 1976 dhe mori një diplomë Master për Çështje Ndërkombëtare nga Universiteti Columbia në vitin 1978.

1957 – Në një fjalim për Kongresin, presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower shpall krijimin e asaj që më vonë do të quhej Doktrina Eisenhower, sipas së cilës, një vend mund të kërkojë ndihmën amerikane nëse ndjehej i kërcënuar ushtarakisht nga një shtet tjetër. Eisenhower veçoi kërcënimin sovjetik në Doktrinën e tij, duke autorizuar angazhimin e forcave.

1968 – Alexander Dubçek vjen në pushtet: “Pranvera e Pragës” fillon në Çekosllovaki .

1972 – Presidenti amerikan Richard Nixon urdhëron zhvillimin e një programi për vajtje ardhje në Hapësirë. Presidenti tha se NASA do të vazhdojë zhvillimin e një sistemi ripërdorues të anijeve hapësinore me kosto të ulët – dhe nënshkroi ligjin që autorizonte, jo pak, por 5 presje 5 miliardë dollarësh për këtë qëllim.