Çmimi i karburantit me të cilin furnizohen avionët pritet të ulet, pasi në treg po futet një operator i dytë. Tregu i furnizimit me karburant në aeroportin e Tiranës ka qenë historikisht monopol, por, së shpejti, pritet të ofrohet edhe nga një operator tjetër.
Kostot e karburantit zënë një peshë të konsiderushme në çmimin e biletës ajrore, ndërkohë që aktualisht furnizimi i avionëve bëhet nga kompania Air BP Albania.
Analizat krahasuese kanë treguar se çmimet e furnizimit me karburant në aeroportin e Tiranës janë ndë rmë të lartat në Europë. Ky është një nga faktorët që rrit kostot e operimit në këtë aeroport dhe përcillet në çmime të larta të biletave.
Falë pozitës monopol në tregun e furnizimit me karburant të aeroportit të Tiranës, AIR BP Albania ka arritur norma shumë të larta fitimi për vitet me radhë. Në vitin 2016, Air BP Albania u bë objekt edhe i një hetimi të thelluar nga Autoriteteti i Konkurrencës.
Grupi i inspektimit propozoi që shoqëria të shpallej fajtore për abuzim me pozitën dominuese dhe të gjobitej sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, por Komisioni i Konkurrencës e mbylli hetimin pa marrë masa ndëshkuese ndaj Air BP Albania.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi një udhëzim që rregullon tregun e ofrimit të shërbimeve të tokës në aeroporte, çka gjithashtu, pritet të ndikojë në çmimet e biletave.
Shërbimet e tokës janë shërbime, të cilat ofrojnë aeroportet për kompanitë ajrore, ku bëjnë pjesë: përpunimi i bagazheve, përpunimi në vendqëndrimin e avionëve; furnizimi me karburant e vajra lubrifikante, përpunimi i mallrave dhe postës, etj.