Analizë nga Armenida Qyqja Jolldashi
Gruaja! Cili është vendi i saj në ketë botë, në historinë e këtij njerëzimi çalaman? Mohim pas mohimi dhe prapë ajo ngrihet!
Nuk ka se si të mos ngrihet! Që në fillim prezenca e saj ishte një domosdoshmëri krijimi dhe e tillë nuk ka sesi të rrijë në heshtje, në mohim. Këtë është përpjekur të thotë dhe Donna Woolfolk Cross duke risjellë ne jetë nga pluhuri i kohërave Papën Xhoan.
Një libër që, jo vetem u bë më i shituri në botë (international bestseller), por u adoptua dhe në film në 2009. Papa Xhoan, papa femër. Thonë se nuk ka baza të sigurta për një të vërtet të tillë historike sepse dokumentacioni Vatikanit është i mangët, ka nje hapësirë të munguar kohore në regjistrat e tij. Dora e Vatikanit!
E pse duhet t’i besojmë kësaj dore? A nuk kemi një Maria Magdalenë që ende mundohet të pastrojë njollën e pamerituar të imoralitetit e të ngjitet në vendin e duhur krahë Krishtit?
Shkrime, rishkrime, fshirje të regjistrave, ungjijve. Vete kristianizmi doli nga ilegaliteti i katakombeve në sajë të perandorit Konstandin ne vitin 312 es, dhe këtë ai e bëri se i duhej.
Pra ungjijtë u morën e përpunuan nga dora e priftërinjve 300 vjet pas vdekjes se Krishtit. Dihet tashmë që qysh në fillim kemi përshtatjet, rregullime, fshirje…
Në fillim ishte Zoti, Fjala dhe Fryma e shenjtë. Fryma!…që jep jetë…Mos kemi një forcë femerore të koduar? Muza e jetës? Fryma e saj?.. Fshirje, fshehje, kode…A e dimë të vërtetën absolute? Historia shkruhet nga fitimtarët, thuhet ose shkruhet nga dora që mban penën.
Ka kaq libra dhe art lidhur me këtë figurë, me këtë ngjarje të paimagjinueshme jo atëherë në 855-ën, por as edhe ne ditët tona, që të shpie të mendosh që nuk ka se si të jetë thjeshtë nje trillim.
Kronika e parë për të është shkruar në vitin 1250 nga Jean de Mailly, ku përmendet udhëheqja e një pape femër si dhe një agjirim katër ditor i quajtur “agjërimi i papës femër”. Të tjera kronika e rrëfime vijuan.
Në vitin 1600 ishin protestat e fetarëve që çuan në heqjen e bustit të saj nga katedralja e Sienës. Një numër i konsideruar artistësh si Johanne Ëolfe, Hatmann Schendel, Iaoanis Boccatti etj, të frymëzuar nga kjo figurë.
Piktura, kronika, libra e gjer te karrigia me vrimë në muzeun e Vatikanit, për ekzaminimin fizik të priftërinjëve para pranimit në post.
A mund të jetë vetëm një legjendë ose thjeshtë një ekzagjerim i një papë jo shumë burror por i tredhur? Atëherë si shpjegohen dhe kronikat që flasin për shmangjen e proçesionit nga papat e me vonshëm pikërisht në atë vend ku ndodhi turpi, ekspozimi i saj nga një lindje e hershme në mes të rrugës, në mes të proçesionit?
Lindje fatale! Disa kronika thonë që e mbyten me gurë atë dhe foshnjën duke e lidhur pas bishtit të kalit e duke e zvarritur nëpër rrugë ndërsa njerëzit e qëllojnë me gurë pamëshirshëm.
Të tjera kronika thonë që vdiqën nga lindja. Disa thonë që i mbyllën dhe ajo vuajti pendesën e izoluar gjer në vdekje, ndërsa djali i saj jetoj dhe u bë bishopi i Ostias.
E para totalisht e besueshme. A nuk sollën para Krishtit një grua për t’a vrarë me gurë sepse burri e akuzonte për tradhëti?
A nuk e vranë me gurë Hipatian vetëm sepse ishte e ditur, matematiciene, astronome, filozofe dhe këshillare e konsullit romak në Aleksandria?
Dije që asnjë femër nuk është njohur t’i arrije! U akuzua si mbështetëse e paganizmit dhe të krishteret e “devotshëm” i zunë prite në rrugë, e tërhoqën zvarrë nga karroca e saj dhe e qëlluan me gurë deri sa vdiq.
Një Papë që del femer dhe është shtatzanë?! Patjetër që e meriton të vritet me gurë! Patjetër duhet mbytur ky turp! Si u ngjit kjo femër gjer aty?
Këto janë totalisht trille, sepse jeta e saj nuk dihet me të vërtet përpara se të mbërrinte në Vatikan. Autoria na jep një variant tejet të bukur duke na përshkruar një kalvar te mundshëm.
Gërshetimi i historive na jep një dritare të gjerë në atë botë të errët kur Kristianizmi po terrorizonte besimtaret paganë, po shkatërronte dijet dhe po shtype femrën në mënyrën më brutale.
Djegiet e mbytjet e magjistricave kishin lëshuar hijet mbi kokën e çdo femre pak të zgjuar sidomos.
E pra, kjo femër e rrallë aspiron vetëm një gjë, dijen. Eshtë dëshira e madhe për dijen që e mban manastireve, sepse ato i lejojnë asaj marrjen në dorë të atyre librave të rrallë që kanë mbetur pa u asgjesuar dhe është pikërisht kjo dije që ajo zotëron që e ngjit gjer në postin e papës.
Një histori dashurie qe të lë pa frymë, trillim i merituar sepse duhej të ketë qenë e tillë, ndryshe si do të rrezikonte kjo grua jo vetëm fronin e Papës që luftoj kaq shumë per t’a marrë por edhe jetën.
Dhe ajo kishte vite që sakrifikonte e fshehur pas teshave të burrave dhe pas identitetit të vellait të saj të vdekur. Mbështësi i saj, i barabarti i saj!
Një burrë që vlerësonte dijen dhe adhuronte një grua te zgjuar, të mençur! Dashuri e vërtetë. Sakrificë! A duhet të jetë ky emri i gruas! Tempuj perëndish pagane që kërkojnë flijimin e virgjereshave, anije që nuk mund të nisen pa i flijuar Poseidonit të zemeruar një fëmje.
Poseidonit të zemeruar një femër, mure që kërkojnë ngurosjen e një gruaje, gra që ende flijohen, nuk mund të shkollohen, gra vetëm me sytë jashte burgut të një veshje, gra që mbyten me gurë ende në disa vende të botës.
Gra që nuk vlerësohen baraz me një burrë, gra që shtypen me këmbë, gra të shkatërruara nga mentalitete të mykura. Gra që ende flijohen vetem se flijimi ka një formë, fytyrë tjetër…Gra të lodhura nga barra e rëndë mbi supe. Në vitet 2000! Kaq i avashet progresi!
1200 vjet me parë një grua guxoi të ngjitej me fronin e Papës, me qëllimin e vetëm për të ndryshuar rrjedhën e historisë! Ç’do t’u duhet grave të sotme per t’u ngritur jo aq lart, por të paktën per t’u ngritur në këmbë, për t’a parë në sy këtë botë burrore dhe për t’i thënë vlerësomë baraz me veten!?
“ Ishte gjithnje një mënyre, kur dikush e dinte ç’kërkonte”…Mjaft të dish ç’kërkon!