MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

“Dua edhe unë të fle me Xheniferin” – tha Muçi

22.01.2019 - 19:01

Pjesmarrësit janë ulur këmbëkryq dhe drejtuesi i emisionit ka vënë katër pyetje në “dërrasën e zezë”. Nuk do shumë arsyetim për të kuptuar se fronti i përgjigjes së tyre shtrihet nga lindja në perëndim…. Megjithatë në thelb, drejtuesi i emisionit kërkon përgjugje nga te katër kolegët vetëm për një cështje ; se si do t’ja bëjë opozita për të hequr qafe Ramën.?

Kjo detyrë vetëm në pamjen e parë është e vështirë… Ajo duhet realizuar gati dy vjet para zgjedhjeve të reja. Nuk meret vesh, Rama ka lodhur opozitën, njerëzinë në përgjitjësi api edhe pjesëmarrësit aty në emision në veçanti. Ashtu si dhe partive opozitare, asnjërit prej folësve nuk i vete ndër mënd se janë shumë kohë para zgjedhjeve normale, se pozita që pas 1990-tës, thuajse për herë të parë e me zgjedhje të certifikuara e ushtron vetëm pushtetin. E ca më keq, për të cilën vetëm gojët e liga thonë poshtë e përpjetë se nja 4 a 5 deputetë të tjerë nga të opozitës duan ti bashkohen Ramës, duke e kuptuar se kauza e tyre tashmë ka humbur….

Nuk e di se pse mu kujtua një barcoletë që  Ceka, e tregon për bashkëqytetarët e tij të Elbasanit. Aty rreth periudhës së fundit të sundimit të Turqisë, pleqtë e vjetër të qytetit, shtrinin këmbët në ujin e ngrohtë të hamamit, flisnin për ç’të mundeshin derisa njëri thoshte…

“ More si nuk po bën një luftë ky sulltanin ynë xhanëm?! Të dërgonim djemtë e të mernim ndonjë haber nga fronti…”

 Në emission, është e njëjta frymë diskutimi. Në pikën e parë të planit të realizimit të Ramës, është ajo e lidhur me protesta masive dhe të ashpra. Pika e dytë, mundësisht bërja e zgjedhjeve të parakohëshme dhe mundësisht pa prezencën e tij në krye të qeverisë. Dy dy pikat e tjera janë akoma më të lehta…

Në fakt duke i dëgjuar me qetësi pa ndonjë inat të brendshëm, a mbajtje ane partjake, mendon se je brenda vazhdimit të barcoletës së Cekës. …

Duke dëgjuar ata, mund të mendosh, se Rama  ka rënë dhe folësit nëpërmjet arsyetimit, duket se me çdo mënyrë duan të na i kursejnë atë luftën që do të bëjë Sulltani dhe që e kërkojnë pleqtë e Elbasanit….

Jam i prirë të respektoj kolegët që flasin në emision e që në gjysmën e dytë të tij, thuajse e kanë  “plasur” Ramën përdhe dhe po merren me ca imtësira se si ky operacion vërtet të kaloj me sa më pak dëme për popullatën. Janë pothuajse të gjithë të bindur për këtë gjë dhe mua gati sa nuk po më zë gjumi, sepse nuk dëgjoj zhurmë apo diskutime të mëdha që të ma prishin atë…

Por pa pritur, pa bërrtitur dhe në stilin e tij të njohur, dëgjohet  zëri i Mustafa Nanos i cili thotë:

“Daleni djema, se e bërë shumë të lehtë këtë punë. Edhe unë dua të fle me Xheniferin ( Lopezin), po ku e di unë do apo jo, ajo?!” 

 Qeshin të gjithë, bile edhe drejtuesi i emisionit, po kjo nuk i pengon të vazhdojnë arsyetimet e holla….

Mua vetë më kujtohet një bisedë nga kapitulli “Pijetorja është parlamenti i popullit”, e librit të famshëm “Fshatarët” të Balzakut. Të gjithë janë mbledhur aty duke kërcënuar gjeneralin plak apo pronarin real të fshatit, i cili nuk i lë të mbledhin kallëza gruri në fushat e tij, pa pasur “ Dëshmi vobektësie”.  Të gjithë bërtasin se do t’ja mbledhin gjeneralit dhe ai  nuk ka nga t’ja mbajë dhe do të dorëzohet.

E gjithë kjo vazhdon derisa një nga fshatarët i del pak pija dhe  me frymën e Muçit thotë: 

“Mirë mire, po gjenerali sikur të mos dojë e të thërrasë policinë  dhe ne e kemi pastaj punën pisk…”

Thua ta bëjë dhe Rama e të përsërisë 21 Janarin… ku Berisha me mjete që I dukeshn atij legjitime thirri gardën dhe tha që nuk linte njeri ti mirrnin karrigen në. atë mënyrë. E di mirë që Rama nuk bën hynere të tilla…. Në fakt edhe nuk ka asnjë arësye ti bëjë sa  të ketë opozitë të tillë përballë, e cila rri e rri pastaj kujtohet se kësaj radhe do ta hedhë me këmbë përpjetë, e paskësaj shkon praapë në shtëpi të saj.

Emisioni i djeshëm vazhdon, ka kohë që vazhdon. Çdo ditë, në çdo ekran. Të gjithë janë të lodhur dhe thuajse të gjithë ankohen kundër Ramës. Asnjë nuk e kujton se koha e zgjedhjeve te reja është larg. Larg nga kalendari zyrtar që i përcakton ato. Asnjëri nuk e kujton apo kupton se LSI-ja dhe PD-ja, qoftë edhe në formën e organizimit janë kopje të shëmtuara, jo të PS-së, por  të PP-së së vjetër. Asnjëri nuk e kupton se Rama nuk e lëshon dot ashtu pushtetin, se ai mundet vetëm me ide të reja. Jo, Jo, asnjëri nuk e do këtë, do vetëm pushtetin e tij apo rrëzimin e qeverisë bazuar vetëm në atë këngën e njohur “ Në ato maja rripa-rripa…”

Në të vërtetë nuk është çudi. Personazhet janë vjetëruar aq shumë sa nuk dijnë këngë tjeter.

Opozita nuk ka asnjë ide. Lideri i saj kopjon pikë për pikë Ramën e tetë vjetëve më parë dhe zhytet herë pas here në botën e shifrave, të cilat po si Rama ka zor ti kuadrojë tamam. E dëgjova një ditë duke folur për ‘Skandalin e Astirit” ku pa e vrarë mëndjen tha që Rama do të ndërtojë një rrugë dy kilometra me 40 miion euro dhe një centimetër i saj kushtonte 2000 euro.

Pasoi një tallje, se lideri kish bërë një gabim të vogël . Rruga po ti besoje llogarisë së tij për centimentër, kushtonte 12 miliardë euro.

E ngatërruar dhe kokolepsur në historitë e saja, opozita ngatërrohet po me të njëjtën llogari në emisione. Duke mos e kuptuar asnjëherë, se tani pas gati tridhjetë vjetësh tranzicion vëndi ka nevojë për një klasë të re politike. Ai ka dështuar jo vetëm në të po dhe në shtyp në personazhe që mbeten të njëjtët e që thonë të njëjtat gjëra përditë, po gjithnjë e një zë më plakur e të zvargur..

Është e kotë ashtu si në emision të thuash se Rama nuk mundet kështu…. Nuk mundet edhe sic përpiqej të arësyetonte një analiste e vjetër. E cila i bënte thirrje PS së ta rrëzonte Ramën brënda saj, pasi opozita e kishte të pamundur ta bënte këtë gjë.

Në fakt duket se koha ka ngecuar në vitin 1989 dhe të gjthë përfshirë politikanë dhe analistë të kujtojnë shkruajtësit e artikujve të atyre kohëve që mbasi flisnin për njëmijë e një të meta  mbaronin me fjalët…

Pikërisht për këtë lypset. Te fjala  …lypset,  fillonte dhe derdhej një lumë i madh këshillash etj etj.

Nuk di cfarë të thuash. Mund të bëhesh me opozitën, e të kërkon rrëzimin e Ramës që nga dita e parë, mund të bëhesh me analistët që thurin dhe ata lloj arësyetimesh për të na e bërë të kuptueshme sa e lehtë është rrëzimi I tij dhe në cfarë fazash reale duhet të kalojë ky rrëzim.

Po mund të bëhesh apo të buzëqeshësh kur dëgjon në tërë këtë kakofoni, me frazën e Nanos që avash avash do të dëgjohet gjithnjë e më shumë…

Dua dhe unë të fle me Xheniferin, po a do vallë ajo?

Në fakt po i ngjajmë gjithnjë e më tepër pleqëve të Elbasanit për të cilët flet Ceka…