MENU
klinika

Profil/ Abraham Lincoln

E pa në ëndërr se do të vdiste…

26.01.2019 - 13:04

Abraham Linkoln (12 shkurt 1809 – 15 prill 1865) është presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili udhëhoqi vendin gjatë luftës civile amerikane, krizën më të madhe politike. Në këtë mënyrë, ai e ruajti bashkimin, hoqi skllavërinë, forcoi qeverinë federale, dhe modernizoi ekonominë.

Linkoln jetoi vetëm 56 vjet, pasi u vra varbarisht në 15 prill 1965, ndërkohë që shikonte një shfaqje në teatrin Ford në Uashington bashkë me të shoqen. Ndërkohë që vrasësi i tij largohej nga skena e krimit, presidentin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes. Vrasësi ishte aktori John Wilkes Booth, që kishte performuar më pare në atë teatër dhe e njihte mirë ndërtesën dhe stafin. Vdekja ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë.

Por shumë pak e dinë se Linkoln e kishte parashikuar vdekjen e tij. Ward Hill Lamon, ish-partner, mik dhe dikur truproja e Abraham Linkolnit,tregonte se presidenti e kishte parashikuar vdekjen e tij. Sipas tregimit, vetëm pak ditë para vrasjes së tij më 14 prill 1865, Linkoln i tha një grupi të vogël njerëzish, që përfshinte gruan e tij, Mary Todd dhe Lamon se ai kishte pare në ëndërr se do të vdiste. Në ëndërr ai kishte pare sikur kishte hyrë në Shtëpinë e Bardhë dhe kishte gjetur një kufomë të mbuluar, të rrethuar nga një turmë që qante. Kur Linkoln kishte pyetur një nga rojet se kush kishte vdekur,ai ishte përgjigjur: “Presidenti. Ai u vra”

Edhe nëse historia e Lamonit nuk është e vërtetë, Abrahami Linkoln duket se ishte mjaft i interesuar në kuptimin e ëndrrave. Dëshmi e kuriozitetit të tij janë edh historitë që tregojnë anëtarët e kabinetit të tij, që kujtojnë se presidenti thoshte se shihte shpesh një ëndërr ku një trup i panjohur notonte në ujë me shpejtësi të madhe, para pothuajse çdo ngjarjeje të madhe dhe të rëndësishme të Luftës.

Por kush ishte Abraham Linkoln?

Sipas historianëve, ai është konsideruar gjithmonë si një nga presidentët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, së bashku me Xhorxh Uashingtonin. Kjo për arsye se Abraham Linkolni luftoi për ruajtjen e unitetit të vendit në kohën më kritike, gjatë luftës civile.

Jeta e hershme

Abraham Linkolni vinte nga një familje e varfër. Ai u lind në një kabinë druri me madhësinë e një dhome, në Kenttucky (Kentaki) në Shkurt të vitit 1809. I ati Tomas Linkoln ishte marangoz. E ëma i vdiq kur ishte 9 vjeç dhe njerka, një grua e mirë, u kujdes për shkollimin e Abrahamit.

Atë kohë familja ishte shpërngulur në Indiana. Ejbi, siç e thërrisnin, u bë një djalë trup gjatë i hollë me shpatulla të gjëra, krahë të gjatë dhe të fuqishëm. Ai ishte i dhënë pas leximit dhe për të marrë një libër hua bënte kilometra të tëra në këmbë. Më pas ata u transeruan në Ilinois.

Rruga drejt suksesit

Abrahami i bëri të gjitha llojet e punëve. Kur ishte 21 vjeç, kishte filluar të hynte në jetën shoqërore e në debatet e kohës. Më 1833 ai filloi të punonte si postier në Nju Salem. Postieri që mbante letrat nën kapele udhëtonte kilometra në ditë për ta shpërndarë atë dhe për të bërë miq. Ai u bë i njohur në të gjithë zonën dhe një vit me vonë vuri kandidaturën për në dhomën e përfaqësuesve të shtetit të tij. Fitorja në zgjedhje hapi rrugën e karrierës për Abraham Linkolnin e ri. Ai hyri në shkollën e drejtësisë dhe në 1846 u zgjodh anëtar i Kongresit amerikan.

Kur çështja e skllavërisë u bë çështja më e rëndësishme e ditës, Abraham Linkolni u bashkua me partinë e re republikane të porsa formuar (1856) që ishte kundër skllavërisë. Në 1858, kjo parti e zgjodhi atë si kandidat për senator të Ilinoit.

Në fillim të vitit 1860, në mbledhje e konferenca Abraham Linkolni mbronte pikëpamjen e mosndërhyrjes së shtetit federal aty ku skllavëria ekzistonte, por nga ana tjetër kundërshtonte përhapjen e skllavërisë në shtetet që po lindin në territoret e reja amerikane. Fjalimet e tij e bindën popullin që ai ishte njeriu më i përshtatshëm për kandidat për president në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti që udhëhoqi Luftën Civile

Pas zgjedhjes së tij si president, Karolina e jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet i pavarur. Për Linkolnin shkëputja nga Shtetet e Bashkuara ishte një refuzim i demokracisë. Ai tha midis të tjerash se “Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vendi jo.” Mesazhi ishte i qartë. Njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta. Lufta civile filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet.

Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi. Kthesa vendimtare e luftës u bë me betejën e Getisbërgut, qytet i vogël i Pensilvanisë, në korrik të atij viti. Qe një betejë e vështirë me humbje të mëdha. U vranë 3000 ushtarë të Unionit dhe 4000 të Konfederatës.

Disa muaj me vonë, në Pennsilvania, në 19 Nëntor 1863, presidenti Linkoln mbajti fjalimin e famshëm që ka hyrë në historinë amerikane si fjalimi i Getisbërgut. Ai ishte vetëm 10 rreshta i gjatë, por përmblidhte në vetvete esencën se përse ishte bërë lufta dhe përfundonte me fjalët  “Gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vend, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë, dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”

Fitorja e luftës erdhi me dorëzimin e gjeneralit Robert Lee në 9 Prill 1865. Megjithëse zhdukja e skllavërisë erdhi si rezultat i luftës, lufta qe bërë për arsye nacionale, qe bërë për të ruajtur bashkimin kombëtar. Fitorja e luftës konsolidoi idenë se Unioni ishte i pandashëm.

Frymëzim për udhëheqësit botërorë

Linkoln vazhdon të mbetet dhe konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë. Ndërsa jeta e tij u pre në mes, legjitimeti i zotit Linkoln vazhdon të jetojë, si një nga presidentët më të mëdhenj në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për të janë shkruar më tepër libra se sa për çdo president tjetër amerikan. Fytyra e tij është gdhendur tek monedha amerikane dhe vlen për t’u theksuar se miliona njerëz e vizitojnë memorialin e tij në Uashington.

Disa fakte interesante për presidentin amerikan:

– Ai krijoi një sistem bankar kombëtar ndërsa ishte president. Ai gjithashtu themeloi Departamentin e Bujqësisë.

– Ishte presidenti i parë që kishte një mjekër.

-Ai shpesh ruante letra dhe dokumente në kapelen e tij të çuditshme.

– Gjatë luftës civile, presidenti përballoi vështirësi të shumta edhe brenda kabinetit të tij, madje pësoi edhe fatkeqësi familjare. Djali i tij 11 vjeçar, Uilli, vdiq në Shtëpinë e Bardhë dhe gruaja e tij gati u çmend nga dëshpërimi.

– Ai nuk as alkool dhe as duhan.

– Lincoln ishte presidenti i parë që përdori telegrafin.

– Arkivoli i tij është hapur pesë herë.

– Familja e tij ishte shumë e varfër. Ai lindi në një kabinë druri, dhe gjatë jetës u përball me shumë vështirësi. Madje biznesi i tij dikur falimentoi.

Thëniet më të famshme të Abraham Linkolnit

– Shqetësimi im nuk është nëse Zoti është në anën tonë; shqetësimi im më i madh është se si të jemi në anën e Zotit; sepse Zoti gjithmonë është i drejtë.

– Unë eci ngadalë drejt të ardhmes time, por kurrë nuk kthehem mrapa.

-Më mirë të jem askush, se të jem një njeri i keq.

– Karakteri është si një pemë, dhe reputacioni është hija e saj. Hija është ajo që mendojmë që është, por pema është ajo e vërteta.

– Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen, është ta krijosh atë.

– Më jepni 6 orë për të prerë një pemë, dhe unë do të kaloj 4 orët e para duke  mprehur sëpatën.

– A nuk jam duke i shkatërruar armiqtë e mi, kur i bëj ata miq?

– Njerëzit e thjeshtë janë më të mirët në botë: kjo është arsyeja pse Zotit ka bërë kaq shumë të tillë.

– Të gjithë duan të jetojnë gjatë, por askush nuk dëshiron të plaket.

– Dhe në fund, nuk numërohen vitet e jetës tuaj… Por jeta gjatë viteve tuaja…

– Pothuajse të gjithë mund t’u bëjnë ballë vështiresive, por nëse doni të testoni karakterin e një njeriu, jepini pushtetin.

– T’i besosh secilit është rrezik, por të mos i besosh askujt është më rrezik.