MENU
klinika

Nga kursi dhe mosrimbursimi i TVSH-së

Eksportuesit ngrenë alarmin

11.01.2019 - 15:47

Unioni i Eksportuesve Shqiptarë (UESH) u shpreh të premten se gjendja e këtij sektori është përkeqësuar ndjeshëm, për shkak të dobësimit të euros dhe vonesave në rimbursimin e TVSH-së nga Ministria e Financave.

Sipas Unionit të Eksportuesve, mbivlerësimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje të mëdha, sepse të ardhurat e ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet në lekë.

“Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve të ardhurave për kompanitë tona. Theksojme se fitimi mesatar i ndërmarrjeve eksportuese dhe rieksportuese është rreth 15%, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit,” thuhet në deklaratën e Unionit të Eksportuesve.

Unioni vëren se gjatë muajve të fundit ka patur një bllokim të rimbursimit të TVSH-së dhe për pasojë një bllokim të likuiditeteve të kompanive rieksportuese, me pasojë asfiksimin e sektorit në marrëdhëniet me nënkontraktorët.

“Kërkojmë nga ana e Qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv dhe ndërmarrjeve të tjera që iu takon sipas ligjit rimbursimi i TVSH-së. Kërkojmë nga ana e Qeverisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet eksportuese të dalin nga gjendja e vështirë dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre,” shprehen përfaqësuesit e industrive eksportuese.

UESH kërkon dialog të hapur me qeverinë shqiptare për të arritur një zgjidhje të shpejtë të këtyre shqetësimeve që prekin një nga sektorët që numëron numrin më të madh të të punësuarëve në vend dhe që siguron miliona euro nga eksporti i prodhimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN