MENU
klinika

Ankohen banorët

Fier-Seman, rruga e ‘vdekjes’

28.01.2019 - 16:56

Një 20-vjeçar humbi jetën mbrëmjen e së dielës pasi u përplas nga një makinë pranë shtëpisë së tij në rrugën Fier-Seman. Banorët thonë se aksi i rikonstruktuar vetëm pak muaj më parë është bërë i rrezikshëm, pasi në të gjithë gjatësinë e tij mungon sinjalistika ndërsa shoferët lëvizin me shpejtësi në zonë të banuar.

E rikonstruktuar vetëm pak muaj më parë, rruga Fier-Seman mbetet problematike për numrin e lartë të aksidenteve.

Më i fundit u shënua mbrëmjen e së dielës, ku 20 vjeçari Arif Xhafa u përplas nga një makinë 20 metra larg shtëpisë së tij në Dërmenas.

Drejtuesi i mjetit fillimisht u largua nga vendngjarja për tu arrestuar këtë të hënë.

Rruga është rreth 12 kilometra e gjatë dhe përshkon zonën e banuar.

Por përgjatë saj mungon ndriçimi e sinjalistika kufizuese, ndërsa nga ana tjetër vetë drejtuesit e mjeteve lëvizin me shpejtësi mbi normat e lejuara.

“Në të këtë zonë këtu duhet të qëndrojnë tabelat, informacioni. E dyta, shpejtësia e lartë nga shoferët”.

Rikonstruksioni i rrugës ishte kërkesë e hershme e këtij komuniteti, por tashmë thonë se ajo po merrr jetë për shkak të mangësive dhe shkeljes së rregullave.

“Është bërë shumë e mirë, por ç’më duhet mua, po merr jetë njerëzish. Makina ka plot, nuk ka sinjalistikë”.

Për vite me radhë, rruga ishte kthyer në burim aksidentesh për shkak të gjendjes së degraduar, ndërsa tashmë rreziku është i njëjtë, por shkaqet janë të tjera.