MENU
klinika

Rritje me 12%

Fluturimet, tre milionë udhëtarë vitin e kaluar

28.01.2019 - 14:50

Tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri numëroi pothuajse tre milionë pasagjerë vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, tregu i fluturimeve u rrit për të shtatin vit radhazi. Nga viti 2017, numri i pasagjerëve u shtua me 12%. Tregu po rritet sidomos nga zgjerimi i turizmit.

Të dhënat e publikuara javën e kaluar treguan se numri i vizitorëve të huaj arriti shifrën rekord prej afro gjashtë milionë. Por, edhe numri i vizitave të shqiptarëve jashtë vendit u rrit sërish për vitin 2018 dhe arriti në 5.4 milionë.

Potencialet e tregut të fluturimeve janë ende të mëdha, megjithatë, për momentin, mungesa e një aeroporti alternativ dhe më ekonomik për fluturimet ndërkombëtare ngelet një pengesë. Autoriteti i Aviacionit Civil më në fund ka ndërmarrë disa përpjekje për të liberalizuar shërbimet në aeroportin e Tiranës, çka do të ulte kostot e operatorëve dhe çmimet e biletave. Ndërkohë, funksionimi i një aeroporti të dytë do të kërkojë të paktën disa vite.

Operimi i aeroportit të Kukësit do t’i besohet një konsorciumi operatorësh privatë. Fituesit e garës u shpallën në fund të dhjetorit, por kontrata me ta nuk është nënshkruar ende.

Ndërsa, transporti detar për vitin e kaluar ishte në stanjacion. Kjo rrugë udhëtimi u përdor nga rreth 1.5 milionë pasagjerë, në rritje me vetëm 1% krahasuar me një vit më parë. Transporti detar përdoret sidomos në lëvizjet e shtetasve me Italinë dhe më pak me Greqinë, gjatë sezonit turistik.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN