MENU
klinika

Në pritje të largimit

Gjiknuri inspekton punimet në Autostradë

07.01.2019 - 13:09

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektuan punimet që po kryhen në segmentin Tiranë-Qafë Kashar për ndërtimin e dy tombinove që pritet të zgjidhin problemin e përmbytjeve.

Gjiknuri tha se kjo është ndërhyrja e parë serioze që po bëhet për sistemimin e një problemi shumëvjeçar.

“Po merr zgjidhje çështja e përmbytjeve që ndodhnin në këtë zonë sa herë kishte reshje intensive të shiut. Me këtë investim ne evitojmë pjesën më të madhe të këtij problemi me të cilin qytetarët u ndeshen jo vetëm vjet por edhe më parë. Investimi është në kuadër të programit rehabilitues të rrugëve. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pengesë që mund të krijohet gjatë këtyre ditëve në trafik, por kjo është e domosdoshme për të evituar probleme edhe më të mëdha. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë në këtë rast. Vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro. Një vlerë e cila nuk ishte menduar më parë për mirëmbajtjen e rrugëve. Produktet janë të prekshme, me sinjalistikën, riparimin e disa akseve kryesore. Edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullim shtresash asfaltike”, theksoi ministri Gjiknuri.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren. Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342,000 euro pa TVSH.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN