MENU
klinika

Qe vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës

Gjykata pezullon gjobën 400 mijë euro ndaj tregut të shumicës

15.01.2019 - 13:08

Gjykata Administrative ka pezulluar gjobën ndaj tregut monopol të shumicës të produkteve bujqësore për Tiranën. Autoriteti i Konkurrencës në përfundim të hetimit të thelluar, në nëntor të vitit të kaluar gjobiti ndërmarrjen EKMA Albania me 9.9% të xhiros vjetore dhe detyrimin për ndalimin e shkeljes së konkurrencës nëpërmjet masave përkatëse.

Ndaj këtij vendimi është kërkuar sigurimi i padisë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe gjyqtari Avni Sejdi e ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë me Vendimin e datës 27.12.2018. Por, po në këtë Gjykatë është përsëritur kërkesa për sigurimin e padisë nga ndërmarrja “EKMA Albania”  dhe po i njëjti gjyqtar, me vendimin e datës 10 janar, vendos pranimin e sigurimit të padisë duke pezulluar Vendimin e Komisionit të Konkurrencës deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Ky vendimi i Gjykatës i jep të drejtën ligjore ndërmarrjes që ka monopolin në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes të mos paguajë gjobën për shkelje të rëndë të konkurrencës dhe të vijojë me moszbatimin e detyrimeve të lëna nga Autoriteti.

Në këto kushte, EKMA mund të vazhdojë të operojë me kontrata të njëanshme që nuk janë në përputhje me dispozitat e Kodit Civil për qiratë, duke vendosur palët, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të pabarabarta kontraktuale.

Deri në vendimin final, do të vijohet me çmimet e larta ndaj qiramarrësve, çmime që, sipas AK, nuk kanë lidhje me zonën gjeografike dhe nuk janë të orientuara drejt kostos. Kompania, gjithashtu, mund të vazhdojë me faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente për faturat e dritave dhe ujit për qiramarrësit.

Autoriteti i Konkurrencës shprehet se pasojat e sigurimit të padisë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes do të jenë shumë të rënda për konkurrencën në këtë treg, dhe bën të ditur se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e vendimit të pezulluar nga Gjykata.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendimi nga Autoriteti i Konkurrencës

Tregu monopol i shumicës gjobitet me 400 mijë euro