1525 – Në Zvicër, themelohet Lëvizja Anabaptiste, kur mbi 10 persona shkelën traditën mijëvjeçare të pagëzimit, duke u pagëzuar përsëdyti. Disa e konsiderojnë lëvizjen Anabaptiste si protestante, të tjerë thonë se është lëvizje më vete. Sektet fetare Amish dhe Mennonite janë pasardhës të drejtpërdrejtë të anabaptistëve zviceranë. Shprehja “Anabaptist” do të thotë “ri- pagëzim”. Themeluesit e kësaj doktrine besonin se pagëzimi i njeriut kur është foshnje, bëhet pa vetëdijen e tij, dhe se njerëzit duhet të pagëzohen përsëri kur arrijnë moshën e pjekurisë dhe ta kryejnë këtë rit me vetëdije a dëshirën e tyre.
1535 – Francë – dhjetëra protestantë u dogjën në turrën e druve në sheshin para Katedrales Notre – Dame de Paris (Shën Maria e Parisit). Shkaku ishte “Çështja e Pankartave”, incident që ndodhi më 18 tetor 1534, kur brenda natës afishe antikatolike u shfaqën në vende publike në Paris, Orleans dhe qytete të tjera të mëdha në Francë. Madje një afishe e tillë ishte ngjitur edhe në derën e dhomës së gjumit të Mbreti Francis I. Kjo bëri që “Affaire des Placards” të sillte fundin e qëndrimit të butë të mbretit, i cili deri atëherë ishte përpjekur t’i mbronte protestantët nga masat e ashpra të parlamentit të Parisit.
1789 – Romani i parë amerikan, “The Power of Sympathy” publikohet në Boston, Masaçusets. Romani, botuar nga Isai Thomas, dhe shkruar në formë epistolari (letër-këmbimi) nga William Hill Brown, flet mbi rreziqet e pasioneve të pa kontrolluara. Libri mbron edukatën morale dhe të menduarit racional, si mënyra për të parandaluar pasojat e joshjeve ose të vepruarit nisur nga pasionet.
1861 – Lufta Civile Amerikane: Jefferson Davis jep dorëheqjen nga Senati i Shteteve të Bashkuara, dhe shkon në Riçmond për t’u bërë President i Konfederatës së shteteve kundërshtare të Bashkimit gjatë Luftës Civile (1861-1865). Davis ishte diplomuar nga Akademia Ushtarake në Uest Point. Në Luftën amerikane – meksikane, ai ishte kolonel i një regjimenti vullnetarësh. Më pas shërbeu si Sekretar i Luftës (sot Sekretar i Mbrojtjes) nën presidentin Franklin Pierce (1953 – 1857), dhe pastaj si senator demokrat i Mississippit.
1924 – Në Moskë, vdiq Vladimir Ilyich Lenin – Ai u bë revolucionar kur vëllai i tij, Aleksandër Ulyanov, u ekzekutua (1887) për pjesëmarrje në një komplot kundër car Alexandrit. Lenini studioi për ligj, por e ndërpreu shkollën kur u dëbua nga Rusia – Ai praktikoi ligj për pak kohë, por shpejt hoqi dorë, duke e përqendruar vëmendjen në studimin e veprave të Karl Marksit dhe në propagandën mes punëtorëve. Lenini u internua në Siberi në vitin 1895 dhe pas mbarimit të dënimit më 1900 u dëbua nga Rusia dhe u kthye vetëm kur qeveria ishte e zënë me Luftën e parë Botërore, dhe ai pati mundësi për t’u marrë me revolucion. Pas fitores së revolucionit të tetorit 1918, Lenini u bë kryetar i Këshillit të komisarëve të Popullit (të gjitha postet e rëndësishme i mori për vete).
1925 – Republika e parë shqiptare: Ahmet Zogu thirri në Tiranë Asamblenë Kombëtare, mbi të cilën kontrolli i tij ishte thuajse i plotë, për të debatuar mbi miratimin e një kushtetute republikane. 62 nga 64 deputetë u bindën për të votuar në favor të një sistemi të tillë qeverisës. Kështu, Republika shqiptare u shpall, me Zogun si President, duke zëvendësuar Regjencën 4-anëtarëshme, e dalë nga Kongresi I Lushnjes (1920), e cila u shfuqizua.
1950 – Në Londër vdiq Eric Arthur Blair – emri i tij i penës, George Orwell – romancier dhe eseist, lindur në Bengal, Indi më 1905; shkolluar në Angli; shërbeu 7 vjet në Birmani për Policinë Mbretërore indiane; u kthye në Evropë dhe në vitin 1933 botoi librin e tij të parë, “Down and Out in Paris and London”, përshkrim autobiografik i viteve të varfërisë së vetë-detyruar. Më 1936 shkon në Luftën e Spanjës për të shpëtuar republikën, por plagoset rëndë dhe kthehet në Londër. Orwell shkroi dhjetëra ese politike. Prirjet e tij, thuhet se ishin të majta. Por ai ishte kritik i mprehtë i imperializmit, fashizmit, kapitalizmit, dhe stalinizmit, të cilat i shihte, pa dallim, si forma të shtypjes politike. Veprat e tij shprehin shqetësim për kushtet sociale-politike të kohës, sidomos për liritë njerëzore. Libri “Animal Farm” (1946) është legjendë satirike mbi dështimin e stilit sovjetik të komunizmit, ku “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”; Por edhe libri “Nineteen Eighty – Four “ (1949) është një roman profetik që përshkruan dystofinë (e kundërta e utopisë), ku njerëzit shohin vetëm ëndërra të këqia, dhe de-humanizmin e njerëzve në një shtet të fuqishëm kapitalist totalisht të automatizuar, ku “Vëllai i madh po ju shikon”.
1977 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhimi Karter shpall amnisti për të gjithë ata amerikanë që i ishin shmangur rekrutimit gjatë luftës në Vietnam, disa prej të cilëve ishin strehuar në Kanada.
1999 – Lufta kundër Drogës: Kartelet e Drogës pësojnë humbjen më të madhe, kur Roja Bregdetare amerikane kap një anije me rreth 4 mijë e 300 kilogram kokainë në bord.
2006 – Vdiq Ibrahim Rugova -akademik, politikan, presidenti i parë i Kosovës; kur ishte 6-javësh (janar 1945) babai i tij dhe gjyshi u vranë nga forcat komuniste. Por ndryshe nga udhëheqës të tjerë të Ballkanit që zgjodhën luftën, Rugova përqafoi politikën e rezistencës paqësore në fushatën e tij për një Kosovë të pavarur, duke ndjekur shembullin e Mahatma Gandit dhe Martin Luter Kingut.
Me të folurën e tij të butë, i diplomuar në Sorbonne – dhe shallin e tij karakteristik – Rugova tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe shtypjes që u bëheshin shqiptarëve në Kosovë. Si kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partia e parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist, Rugova iu përgjigj valës së shtypjes dhe dhunës serbe me krijimin e pushtetit paralel në arsim, shëndetësisë dhe vendor; diaspora shqiptare në perëndim ndihmoi financiarisht në këtë drejtim.
Rugova lindi në fshatin Cerrce, Kosovë; ndoqi shkollën e mesme në Pejë; studioi filozofi në Universitetin e Prishtinës, një vit akademik 1976-77 në Sorbonne, Paris. Autori i 10 librave, Rugova punoi si redaktor i gazetës Bota e Re, dhe revistës Dituria në vitet 1970 në Prishtinë. Për dy dekadat e ardhshme, ai u përfshi në Institutin për Studime Shqiptare në Prishtinë, në fushën kërkimore. Në vitin 1988, Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, organizatë që u bë fokusi i rritjes së opozitës shqiptare ndaj sundimit serb në Kosovë. Një vit më pas, ai u zgjodh kryetar i LDK-së.
Në fillim të viteve 1990, Jugosllavia federale u përfshi nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje. Ndërsa kroatët dhe pastaj myslimanët e Bosnjës luftonin për të dalë nga mbizotërimi serb-jugosllav, disa shqiptarë të Kosovës argumentuan se ata duhet të hapin një “front jugor” për të fituar lirinë e tyre. Rugova iu përgjigj se kjo do të ishte katastrofë për shqiptarët. Pasi qindra mijëra njerëz ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kroaci dhe Bosnje, Rugova kishte frikë se e njëjta gjë mund të ndodhte me popullatën shqiptare të Kosovës.
Sistemi i tij paralel i qeverisjes kishte mbështetje të gjerë mes shqiptarëve, por ata kaluan në zhgënjim mes të viteve 1990, kur çështja e statusit të Kosovës u injorua nga marrëveshjet e Dejtonit hartuar mes Millosheviçit dhe udhëheqësve perëndimorë për të shënuar fundin e konfliktit boshnjak në nëntor 1995.
Deri në fillim të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte bërë organizata kryesore e rezistencës në Kosovë, duke përkrahur luftën në vend të taktikave paqësore. Gjatë luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s, popullariteti i dr. Rugovës u zbeh. Por pas çlirimit të Kosovës, shumë gjëra kishin ndryshuar, përfshi e mendësitë; Rugova zgjidhet President në zgjedhjet e marsit 2002 duke fituar 58 për qind të votave. Disa javë më vonë, ai doli ballë për ballë me Millosheviqin, kur dha prova si dëshmitar në Hagë, në gjyqin për krime lufte ndaj ish-udhëheqësit jugosllav.