MENU
klinika

Gjykata rrëzon ankesën e përmbaruesve

Hyjnë në fuqi tarifat e ulura përmbarimore

10.01.2019 - 10:04

Ka hyrë më në fund të fuqi udhëzimi i ri i Ministrave të Drejtësisë dhe Financave për tarifat e shërbimit përmbarimor privat. Udhëzimi i nxjerrë në muajin gusht ishte ankimuar në Gjykatën Administrative nga Shoqata e Përmbaruesve. Por, në fund të muajit dhjetor, Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi përfundimisht kërkesën e tyre, duke i hapur rrugë zbatimit të tarifave të reja.

Pas një beteje që zgjati më shumë se një vit, ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë kanë rishikuar udhëzimin e shumëdebatuar të vitit 2017, që rriti në përmasa marramendëse tarifat e shërbimit.

Udhëzimi në fjalë u kundërshtua ashpër sidomos nga Shoqata Shqiptare e Bankave, e mbështetur edhe nga Banka e Shqipërisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sipas tyre, rritja e tarifave ishte e pajustifikuar dhe e pambështetur në argumente ekonomikë.

Në varësi të shumës së pasurisë që do të ekzekutohet, udhëzimi i ri i ul tarifat fikse të shërbimit përmbarimor nga dy deri në katër herë.

Sipas Shoqatës së Bankave, edhe me udhëzimin e ri tarifat janë relativisht të larta dhe të pakrahasueshme me me praktikat më të mira ndërkombëtare, sidomos për pjesën e tarifave fikse. Megjithatë, Shoqata e Bankave pranon se udhëzimi i ri sjell përmirësime të mëdhja krahasuar me atë të vitit 2017. Bankat kërkojnë  një reformë tërësore në fushën e përmbarimit, për të sjellë eksperiencat më të mira dhe standardet më të përparuara.