MENU
klinika

I lartë, por i largët

Rritet çeku social për emigrantët në Itali, kriteret

28.01.2019 - 09:46

Është 65 € më i lartë se vitin e shkuar, por ngrihet me 5 muaj edhe mosha kur mund të kërkohet“, kështu është bërë me dije nga Instituti Nacional për Sigurimin Social në Itali.

Ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët emigrantë në Itali që përfitojnë nga pagesa sociale.

Sipas njoftimit të INPS, shuma vjetore e çekut social për emigrantët nga 5.889,00 euro që ishte për vitin 2018, ka shkuar në 5.954,00 euro për 2019.

Në faqen zyrtare të saj, INPS shpjegon se kjo rritje e vogël e shumës vjen si rrjedhojë e një rritjeje me 1.1 % të kostos së jetesës në Itali.

Kjo rritje e çekut ka hyrë në fuqi që me 1 janar të 2019. Por ky lajm nuk është vetëm i mirë për emigrantët.

“Pas çdo të mire, fshihet gjithmonë diçka ‘jo e mirë”, një shprehje kjo që vlen edhe për rastin konkret.

Një tjetër ndryshim ka prekur çekun social për emigrantët. Pas rritjes së shumës së përfitimit, është rritur edhe mosha e përfituesve të këtij çeku.

Duke nisur nga 1 janari i 2019, përfituesit e çekut social janë vetëm ata që kanë mbushur 67 vjeç.

Lidhur me rritjen e moshës, INPS më 6 dhjetor 2018 sqaronte se kjo rritje e moshës për të drejtën e pensionit është e lidhur me reformën Fornero, që përshtat moshën e daljes në pension me rritjen e “shpresës së jetëgjatësisë”.

KUSH E PËRFITON ÇEKUN SOCIAL?

-Shtetasit më të varfër italian, komunitarë dhe jo komunitarë me kartë qëndrimi në Itali prej të paktën 10 vitesh.

-I moshuari që aplikon, nëse nuk është i martuar s’duhet të ketë asnjë formë fitimi apo të ketë të ardhura vjetore më të ulëta se çeku.

-Të gjithë të moshuarit e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur.

-Të gjithë të moshuarit e martuar që kanë të ardhura familjare jo më të ulëta se çeku social.

-Në masë të reduktuar, kanë të drejtën e çekut dhe të martuarit me të ardhura familjare më të ulëta se shuma e një çeku.

SHEMBULL: Nëse një i moshuar i pamartuar që jeton në Itali, ka një pension në Shqipëri prej 1.000 € në vit, do të marrë si çek social vetëm 4.954,00 në vit, ose 13 këste nga 381,08 €. Por një i moshuar mbi 67 vjeç që jeton me bashkëshorten që arrin të fitojë 8.000 euro në vit do të marrë si çek social vetëm 3.908,00 në vit (11.908,00-8.000,00), ose 13 këste nga 300,62 €. Nëse bashkëshortja fiton deri në 5.954,00 euro në vit, i moshuari fiton çekun social të plotë.

Kujtojmë që ky çek nuk është i përhershëm, ka karakter të përkohshëm sepse çdo vit verifikohet përmbushja e kriterit të të ardhurave nën shumën e çekut dhe i rezidencës efektive në Itali.

RREGULLA:

-E drejta e çekut nuk u kalon trashëgimtarëve.
-Nuk është i transferueshëm jashtë Italisë.
-Nëse përfituesi i çekut qëndron jashtë Italisë mëshumë se 30 ditë çeku social pezullohet.
-Një vit pas pezullimit, e drejta e çekut humbet.

SI APLIKOHET PËR ÇEKUN SOCIAL?

-Kërkesa paraqitet online në faqen në internet në INPS përmes shërbimit përkatës. Klikohet mbi butonin “Accedi al servizio”.
-Kërkesa paraqitet edhe përmes numrit të gjelbër 803.164 (falas nga rrjeti i telefonisë fikse) ose 06.164.164 (nga celularët).
-Përmes patronateve në Itali, ku jepen informacione rreth dokumeteve të nevojshme si edhe përpilohen kërkesa për të interesuarit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqetësimet e Ministrit të Financave

‘Jelekverdhët’, katastrofë ekonomike për Francën