Figura e Ali Pashës pa dyshim që është shoqëruar me shumë debate mes historianëve. Por për çka bien të gjithë dakord është ashpërsia e tij dhe masakrat që kreu ndaj armiqve.
Një luan i vërtetë në karakter dhe i pamëshirshëm, rreth Ali Pashës qarkullojnë fantazma dhe histori tmerri.
Një histori drithëruese është pa dyshim dhe amaneti i nënës së tij, Hankos. Ajo, pasi ngeli vejushë, u bë femra më e pushtetshme në qytetin e Tepelenës dhe zonave përreth. Amaneti i saj për Aliun ishte që të digjte dhe të hakmerrej ndaj Hormovës dhe Kardhiqit, dy fshatra që e përdhunuan atë dhe të bijën për një muaj rresht.
Kjo histori hakmarrjeje dhe lidhja e fortë mes Ali Pashë Tepelenës dhe nënës së tij, përshkruhet mjaft mirë në librin e Aleksander Dumas.
Pjesë të shkëputura nga libri i përkthyer shqip:
…Hankoja e kishte Aliun pikë të dobët, jo vetëm se e kishte gjakun e vet, por edhe se ajo shihte tek i biri një pasqyrim të karakterit të saj. Gjatë bashkëjetesës me të shoqin, të cilin e kishte pasur frikë, ajo ishte dukur në sy të njerëzve si një grua e zakonshme, por sapo Veliu dha shpirt, ajo iu dha pasioneve të saj të forta, që i pati ndrydhur në gjirin e saj. Duke qenë se Hankoja vetë shfaqte ambicie, energji, guxim, sakrificë, hakmarrje, ajo i kultivoi këto ndjenja edhe te shpirti i paepur i të riut Ali. Ajo nuk lodhej kurrë së këshilluari.
– Biri im, i thoshte ajo, ai që nuk është i aftë të mbrojë trashëgiminë e vet, e ka hak ta humbasë atë. Të mos harrosh se pasuritë e të tjerëve u përkasin atyre për aq kohë sa ata janë aq të fortë sa për ta ruajtur, dhe se, vetëm nëse bëhesh aq i fuqishëm sa për t’ua marrë, ato pasuri bëhen të tuat. Suksesi justifikon gjithçka dhe atij që është i pushtetshëm, i lejohet të bëjë gjithçka.
Kur kapi zenitin e madhështisë së tij, Aliu deklaronte shpesh se e kishte arritur suksesin falë përkushtimit të së ëmës.
– Për gjithçka i jam borxhli nënës, i tha Aliu një ditë konsullit francez. – Kur babai vdiq, ai nuk më la gjë tjetër, përveçse një stallë kafshësh dhe disa ara. Imagjinata ime, e përndezur nga këshillat e një gruaje që më rilindi, përderisa më bëri burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës, por edhe vezir, zbuloi sekretin e fatit tim.
Duke ndjekur frymën e Hankos, që atëherë Tepelenën do ta konsideroja vetëm qytetin e lindjes, nga ku do t’i hidhesha si luan gjahut që mendërisht e kisha gllabëruar. Ëndërroja vetëm për pushtet, thesare, saraje; me pak fjalë, çfarë kam fituar deri më tani dhe çfarë më mbetet ende për të bërë! Për ta kuptuar drejt. Dua të arrij më shumë! Nuk jam i kënaqur me kaq.
Hankoja nuk merrej vetëm me fjalë; ajo përdori çdo lloj mjeti për ta bërë sa më të pasur dhe sa më të pushtetshëm djalin e saj të shtrenjtë. Së pari, ajo helmoi fëmijët e skllaves së preferuar të Veliut, e cila kishte vdekur para tij. Kështu, pasi shtiu në dorë kontrollin brenda familjes, ajo duhej të ruhej nga rreziqet që mund të vinin nga jashtë. Hanko hodhi tutje perçen dhe furkën e leshit, hoqi dorë nga detyrat zakonore të një gruaje tradicionale dhe mori armët me pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve të saj.
Rreth vetes mblodhi banditët e dikurshëm të bandës së të shoqit, disa prej të cilëve u joshën nga pagesa e dhurata, të tjerë nga hiret e saj femërore. Por nuk u mjaftua me kaq, ajo rekrutoi të tjerë banditë. Pa kaluar shumë kohë, Hanko u vu në krye të njerëzve më mizorë dhe më aventurierë të Toskërisë. Me ndihmën e tyre, ajo u bë njeriu më i pushtetshëm në Tepelenë dhe ndëshkonte ashpër çdokënd që i dilte kundër.
Por banorët e dy fshatrave fqinje të Hormovës dhe Kardhiqit, nga frika se mos kjo grua e tmerrshme, e ndihmuar nga i biri, tashmë i bërë burrë, do t’i godiste herët a vonë, thurën një aleancë të fshehtë kundër saj, me qëllim që ta hiqnin qafe sa më parë. Pasi u informuan se Aliu kishte nisur një fushatë të largët me ushtarët më të zotë, ata i befasuan tepelenasit, pasi rrëmbyen Hankon dhe të bijën, Shanishanë, dhe i çuan në Kardhiq. Fillimisht ata menduan t’i ekzekutonin.
Në ato rrethana nuk pyeste kush për prova fajësie përpara një dënimi me vdekje. Por bukuria e tyre i shpëtoi dhe, për t’u hakmarrë, pengmarrësit parapëlqyen çnderimin në vend të vrasjes. Kjo gjendje, gjatë së cilës rrëmbyesit kënaqnin epshet e tyre seksuale, zgjati një muaj. Ata i çonin çdo natë shtëpi më shtëpi që bejlerët e agallarët të dëfreheshin me to. Më në fund, një grek nga Gjirokastra, i quajtur G. Malikovo, pasi kishte ndier keqardhje, pagoi njëzet mijë piastra dhe i ktheu në Tepelenë.
Aliu sapo ishte kthyer dhe shkoi të takonte nënën e motrën, të zbehura e të sfilitura, të turpëruara dhe të tërbuara. Mes rënkimesh, me lotët që u rridhnin lumë, ato i treguan se ç’kishte ngjarë. Hankoja u hodh përpjetë duke i fiksuar sytë e saj mbi Aliun e shastisur dhe tha:
– Biri im! Biri im! Shpirti im nuk do të gjejë paqe derisa Hormova dhe Kardhiqi të shkrumbohen nga kordha jote, derisa të mos mbetet gjallë askush që ka dëshmuar çnderimin tim.
Aliu, tek i cili kjo histori makabër kishte ngjallur pasionet e tij gjakatare, u zotua për një hakmarrje edhe më mizore dhe iu përkushtua me mish e me shpirt planit për mbajtjen e fjalës. Duke e konsideruar veten bir të denjë të të atit, ai e kishte filluar jetën ashtu siç kishin bërë heronjtë e Greqisë së lashtë, duke vjedhur dele e dhi. Që kur mbushi 14 vjeç, ai e quante veten bir hyjnor të Jupiterit dhe Majas. Kur u bë burrë, ai e shtriu edhe më tej veprimtarinë e tij. Në kohën që flasim, Aliu merrej me plaçkitje dhe me anë të këtyre sulmeve banditeske shtoheshin të ardhurat e Hankos, e cila, që prej kthimit nga Kardhiqi, nuk shfaqej më në publik dhe i qe përkushtuar punëve shtëpiake.
Aliu kishte mbledhur rreth vetes një forcë të konsiderueshme, e gatshme për të sulmuar Hormovën, një prej fshatrave, për të cilin ai kishte dhënë fjalën se do ta shkrumbonte. Aliu u nis drejt Hormovës në krye të banditëve të tij, por ndeshi në rezistencën e kundërshtarëve dhe humbi një pjesë të trupave, duke u detyruar t’ia mbathte e të shpëtonte kokën. Revanin nuk e ndaloi derisa arriti në Tepelenë, ku u prit nga një Hanko e vrazhdë dhe e zhgënjyer prej disfatës së Aliut. Etja e saj për hakmarrje vazhdonte të shtohej.
– M’u hiq qafe! – i bërtiste të birit.
– Zhduku, more burracak! Shko të tjerrësh me gratë në harem! Ç’punë ke ti me shpatën, më mirë mëso të tjerrësh lesh!
Djaloshi nuk tha një fjalë të vetme. Thellësisht i lënduar nga sharjet e së ëmës, ai u largua kokulur drejt maleve duke u munduar të fshihte poshtërimin në shoqërinë e një miku të vjetër.
* * *
Për shumë kohë, nëna e tij Hanko kishte vuajtur nga kanceri në mitër, rezultat i një jete të shthurur. Duke e ndier se po i vinte fundi, ajo dërgonte tek i biri, lajmëtar pas lajmëtari, me qëllim që ai ta takonte përpara se ajo të ndërronte jetë. Kur gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua, ai u nis drejt Tepelenës, por arriti shumë vonë.
Atje gjeti të motrën, Shanishanë, duke vajtuar mbi trupin e pajetë të nënës së tyre, e cila kishte dhënë grahmën e fundit para një ore. E pushtuar nga tërbimi dhe duke vjellë vrer kundër Perëndisë, Hankoja u kishte lënë amanet fëmijëve të saj, duke rënkuar nga dhembjet e duke mallkuar për fatkeqësitë që i kishin ndodhur në jetë, t’i plotësonin një për një dëshirat e saj të fundit.
Pasi i bënë nderimet e rastit, mes hidhërimit të vdekjes së nënës së tyre, Aliu dhe Shanishaja lexuan bashkërisht letrën ku përshkruhej amaneti i Hankos së ndjerë. Ajo kërkonte që të kryheshin disa vrasje të veçanta dhe përmendte fshatra të ndryshme, të cilat, një ditë, duhej të shkrumboheshin, dhe urdhëronte që sa më shpejt të ishte e mundur të shfaroseshin nga faqja e dheut banorët e Hormovës e Kardhiqit, të cilët i kishin shkaktuar tmerret më të padurueshme në jetë.
* * *
I emëruar në pozicionin e tanishëm me ferman të Sulltanit, Aliu iu përkushtua zgjidhjes përfundimtare të kërkesave të tij. Tani ishte pesëdhjetë vjeç dhe në kulmin e zhvillimit të tij intelektual: përvoja mund të quhej mësuesja e tij, kishte nxjerrë mësim nga çdo ngjarje. Një mendje e paarsimuar me tekste shkollore, por tejet e mprehtë dhe zhbiruese, i krijonte mundësinë të kuptonte faktet, të analizonte shkaqet dhe të parashikonte pasojat; dhe ndërsa çështjet e zemrës nuk ndërhynin kurrë në konkluzionet e nxjerra nga inteligjenca e tij djallëzore, me anë të një lloj sekuence logjike ai kishte thurur një plan veprimi të përkryer.
Ky njeri, kryekëput i paditur, jo vetëm për idetë e historisë, por edhe për emrat e mëdhenj të Europës, kishte arritur të zbulonte intuitivisht dhe – si rrjedhojë natyrale e karakterit të tij impulsiv dhe praktik – të kuptonte Makiavelin, siç demonstrohet në qindra raste në shpalosjen e madhështisë së tij dhe ushtrimin e pushtetit të tij. Duke mos besuar në Zot, duke përçmuar njerëzit, duke dashuruar vetëm vetveten, duke ëndërruar vetëm për vetveten, duke dyshuar te të gjithë rreth tij, i guximshëm në ideim, i patundur në vendosmëri, i paepur në veprim, i pamëshirshëm në hakmarrje, herë pas here i pacipë, i përulur, i dhunshëm ose i zhdërvjellët – në varësi të rrethanave, gjithmonë dhe plotësisht i logjikshëm në egoizmin e tij, ai është Çezar Borxhia i rilindur mysliman; ai është modeli ideal i mishërimit të politikës fiorentinase – princi italian i konvertuar në satrap.
* * *
Pasi konsolidoi pushtetin duke asgjësuar fisnikët, duke mashtruar popullin me premtime boshe dhe duke nanuritur vigjilencën e Portës së Lartë, Aliu vendosi se kishte ardhur koha të lante hesapet me Hormovën. Në rininë e tij, ai kishte përjetuar turpin e disfatës dhe për tridhjetë net Hanko e Shanishaja qenë trajtuar si prostituta nga luftëtarët hormovitë. Kështu, pashai i pamëshirshëm do të ndërmerrte një ndëshkim të dyfishtë; kishte një hak të dyfishtë për të larë.
Këtë herë, i sprovuar me sfidat, Aliu do të përdorte artin e tradhtisë. Kështu, me të arritur në kala, ai negocioi me hormovitët duke u premtuar një amnisti, ku të gjithë do të faleshin, madje një pjesë e tyre do të shpërbleheshin. Hormovitët, tashmë të entuziazmuar se po bënin paqe me një rival, rreth bëmave e tmerreve të të cilit flitej gjithandej, kërkuan armëpushim, me qëllim që të sheshonin problemet. Pikërisht këtë gjë kishte parashikuar edhe Aliu.
Hormova, duke besuar te traktati i paqes, u sulmua në befasi dhe ra në duart e Aliut dhe të gjithë ata që nuk arritën të shpëtonin, u vranë brutalisht në errësirën e natës ose nga dora e xhelatit të nesërmen në mëngjes. Ata që i kishin dhunuar nënën dhe motrën, do të përjetonin hakmarrje të llahtartë. Qofshin fajtorë apo thjesht të akuzuar, ai u çau trupat tejpërtej duke i futur në hell, u shqeu mishin me masha të përvëluara dhe i poqi ngadalë mes dy zjarreve; grave u rruan kokat, i fshikulluan në publik dhe më pas i shitën si skllave. Fisnikët e krahinës, akoma të parrënuar krejtësisht, u detyruan ta ndiqnin këtë spektakël tragjik hakmarrës dhe jashtëzakonisht tronditës. Kjo ishte një fitore vendimtare për Aliun.
Fshatra, qytete, krahina, të tmerruara nga mizoria e pakufishme, u dorëzuan pa shtënë një pushkë të vetme. Emri i Aliut, i cili personifikonte atë masakër që lartësohej si një vepër e lavdishme në sytë e këtij populli të egër, jehoi si rrufe nga lugina në luginë dhe nga mali në mal. Me qëllim që të gjithë bashkëluftëtarët e tij të bëheshin pjesë e këtij gëzimi, Aliu shtroi një banket madhështor – siç i kishte hije kësaj fitoreje të shumëpritur. Një festë njerëzish të harbuar, e pangjarë më parë, muhamedanë vetëm në emër. Vetë Aliu udhëhiqte korin e burrave gjatë kërcimeve pirrike dhe kleftike – rite luftëtarësh e kusarësh. Ndërsa vera vërshonte lumë, ngado shqyhej mish deleje, dhie dhe qengji, që piqej në zjarre bubulake, zjarre mbi rrënojat e Hormovës së përcëlluar.
Por nuk munguan as vallet me shpata, lojërat antike të gjuajtjes me hark, mundje mes burrave më të fuqishëm, ndërsa fituesit shpërbleheshin nga dora e prijësit të tyre. Më pas u nda plaçka e vjedhur, skllevërit dhe gjedhët; japigët, që i konsideronin si më barbarët ndër katër fiset që përbënin racën shqiptare dhe si llumi i ushtrisë, morën me vete në malet përgjatë Jonit dyer, dritare, gozhda, madje edhe tjegulla të shtëpive, të cilat qenë përpirë nga flakët.