MENU

Mali i Zi

I publikoi korrupsionin. Policia ‘pushton’ A1 Tv!

29.01.2019 - 15:52

Policia malazeze, ka hyrë në Televizionin privat A1 në pronësi të Dushko Knezheviç, i cili është nën hetime të Gjykatës Speciale në Mal të Zi për korrupsion dhe pasuri të paligjshme.

Knezheviç, i cili gjendet në arrati, e akuzoi pushtetin aktual se po ndërhyn pa të drejtë në pronën private duke shkaktuar trysni tek bashkëpunëtorët e tij. Ai akuzoi presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç se po hakmerret ndaj tij dhe se po tenton të konfiskojë pasurinë e tij.

Gjukanoviç është shef i grupit kriminel në Mal të Zi dhe si hakmarrje ndaj punës time ai po përpiqet të konfiskojë pasurinë time në Mal të Zi”, tha ai.

Knezheviç trasmetoi në stacionin e tij televiziv disa pamje filmike ku shihet dhënia e parave për Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviçit në prag të zgjedhjeve në Mal të Zi.

Ndërkohë, drejtoria e policisë bëri të ditur se punonjësit e saj po veprojnë në përputhje me ligjin dhe do të vazhdojë aktivitetin e vet në përputhje me urdhër të prokurorit special.

Prokurori special Milivoje Katniç, javën e kaluar, deklaroi se ekziston dyshimi se kryetari i Atlas Grup, ku bën pjesë edhe Televizioni A1, Dushko Knezheviç ka bërë vepër penale të krijimit të organizatës kriminale, fshehjen e tatimeve dhe të kontributeve dhe pastrim parash.

Prokuroria gjithashtu ka theksuar se Knezheviç është i dyshuar edhe për pastrimin e parave në rastin Telekom. Prokurori special Katniç ka shtuar se prej 1 janarit e deri me 13 dhjetor janë ngritur 25 akt-akuza, 13 prej të cilave kanë të bëjnë me krimin e organizuar, 10 të tjera me korrupsion të lartë, kurse dy me vepra të tjera penale.

Ndërkohë, Knezheviç, i cili aktualisht gjendet i strehuar në Londër vazhdon të trondisë opinionin e Malit të Zi me materiale të ndryshme dokumentare dhe filmime kundër presidentit malazez, Milo Gjikanoviç dhe partisë së tij.