MENU
klinika

Gjeniu i fantashkencës

Isaac Asimov, shkrimtari i të gjitha zhanreve

06.01.2019 - 12:43

“Nëse rrjedha po të shpie atje ku dëshiron të shkosh, mos diskuto!”

Shkrimtari amerikan me origjinë ruse lindi më 2 janar 1920 në Petroviçi. Doktor në biokimi,  emigrant çifut, dashurues i fjalëve, Isaac Asimov është padyshim një nga shkrimtarët më prodhimtarë dhe më popullorë amerikanë, sa i përket zhanrit të fantashkencës, me një karrierë që shtrihet përgjatë gjashtëdhjetë viteve.

Prindërit e tij ishin me origjinë nga fshati Smolensk, në ish-Bashkimin Sovjetik të asaj epoke. Në vitin 1923, ata emigruan në Amerikë dhe vendosen në një lagje të Bruklinit në Nju Jork, kohë kur Isaac ishte vetëm tre vjeç.

Nxënës shumë i keq në disiplinat sportive, Isaac, nga ana tjetër, ishte nxënës i shkëlqyer në lëndët shkencore dhe letrare. Përgjatë studimeve mori shumë diploma, veçanërisht doktoraturën në biokimi. Në përfundim, i propozuan një vend në universitetin e Bostonit.

Paralelisht Asimovi publikon tregimet e para në revistën “Amazing Stories”  në vitin 1939 me ciklin “Jim Spark”, një seri aventurash hapësinore botuar me pseudonimin Paul French.

Suksesi qe i menjëhershëm, si rrjedhojë braktisi veprimtarinë akademike për t’iu përkushtuar kryekëput pasionit të vet: të shkruante, çdo ditë, tetë orë në ditë, duke i dhënë jetë një krijimtarie të pasur, fryt i talentit të tij të jashtëzakonshëm.

Autori i ciklit të robotëve dhe trilogjive, Asimovi, i mbiquajtur doktori i mirë, do linte gjurmët e veta në historinë e shkencës me anë të gjenisë së tij krijuese, si dhe trillimin e koncepteve, si psiko-historia ose tri ligjet e robotikës, që kanë ndikuar shumë gjenerata autorësh.

Cikli i librave me robotë të Isaac Asimov është trilogjia më e famshme dhe më e lexuar në gjithë letërsinë e fantashkencës. Mjeshtër i pakundërshtueshëm i trillimit, përbri Robert A. Heinlein dhe Arthur C. Clarke, Asimov është konsideruar si një “Tri Gjigantët” e letërsisë shkencore amerikane.

Me penën e tij, Asimov përshkruan deri në detaje hapësirat, dujke e joshur lexuesin jo vetëm me fjalët e përzgjedhura, por edhe me saktësinë dhe prakticitetin e tyre. Suksesi i tij ka ardhur nga martesa e mrekullueshme midis trillimit letrar dhe të vërtetës shkencore, gjë e cila ia shndërron librat njëherazi në të besueshëm dhe fantastikë, pasqyrë e vërtetë e së ardhmes.

Po ashtu vlen të theksohet edhe talenti i tij satirik e ironik, që shfaqet në disa prej veprave të tij, sidomos në parathëniet e tyre.

Shkroi ndër të tjera “Zotat vetë”, “Dielli i zhveshur”, “Gandahar”, Ndajnatë”, “Fundi i përjetësisë” etj.

“Unë, roboti” (novela), “Guvat e çelikta” (roman), “Përballë flakës së diellit” (roman). Në këtë trilogji, Isaac Asimov parafytyron të ardhmen tonë, në të cilën robotët, fillimisht konceptuar në mënyrë rustike, bëhen gjithnjë e më të sofistikuar, gjë e cila krijon më shumë probleme sesa progres.

Nga ana tjetër, shkrimtari nuk pranoi kurë t’i pajiste personazhet jashtëtokësorë të veprave të tij me ndjenja të holla njerëzore, karakteristikë që tërhoqi vëmendjen e lexuesit, veçanërisht të kritikës.

Isaac Asimov në rrugëtimin e jetës së tij shkroi rreth 500 libra. “Unë, roboti” botuar më 1950 ndikoi tejet në faktin se si i konsideruan më pas shkrimtarët makinat inteligjente.

Botoi po ashtu “Themeli”, “Themeli dhe Perandoria”, si dhe “Perqandoria e Dytë” (1951-1953), trilogji që mori statusin e letërsisë klasike.

I etur për lexim, ai nuk ndaloi kurrë së lexuari. Asimov ishte kalustrofil, e kundërta e klaustrofobisë, pra ai kënaqej nga hapësirat e ngushta, të mbyllura.

Madje, në vëllimin e parë të autobiografisë së tij rikujton dëshirën e fëmijërisë për të pasur një kabinë të vetën në metronë nëntokësore të qytetit të Nju Jorkut, ku të mbyllej dhe të dëgjonte rrapëllimën e trenave që kalonin, ndërkohë që ai lexonte.

Nga ana tjetër, kishte frikë të udhëtonte me avion. Gjithë jetën e tij udhëtoi vetëm dy herë me avion, fobi e cila ndikoi në disa vepra artistike të tijat, si prozat e mistereve, romanet me robotë e të tjerë.

Asimov shquhej për gojëtarinë e tij, kështu që shpeshherë merrte pjesë në kuvendet letrare të gjinisë në të cilën shkruante, ku tregohej gjithnjë miqësor.

Jonjerzillëku i kompjuterit qëndron në faktin se: një herë programuar e vënë në punim do të jetë krejtësisht i ndershëm”, – do shprehej Asimovi.

Asimov u nderua me dhjetëra çmime amerikane dhe botërore për krijimtarinë letrare. Po ashtu u nderua edhe në kuadrin e veprimtarisë humaniste. Vdiq më 6 prill 1992 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervistë me shkrimtarin e njohur shqiptar

Në pritje të romanit në italisht “Piccola saga carceraria”