MENU
klinika

10 milionë euro “u dogjën” në 2018

Ish-pronarët, nuk ndahen as fondet e parashikuara

28.01.2019 - 10:17

Kompensimi i ish-pronarëve është kthyer në një proces paradoksal, ku madje as fondet e përcaktuara në buxhet nuk shpërndahen. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, vitine  kaluar për kompensimin e  pronarëve u paguan 2.7 miliardë lekë, nga 4 miliardë lekë që ishte fondi i parashikuar në buxhet. Më shumë se 10 milionë euro të parashikuara në buxhetin e vitit të kaluar nuk janë shpërndarë.

Me ligjin e vitit 2016, qeveria shqiptare përcaktoi një formulë të re të kompensimit të pronarëve, duke e ulur faturën në rreth 600 milionë euro. Por, sipas shoqatës “Pronësi me Drejtësi” fatura e drejtë e kompensimit, me çmime tregu është rreth 5 miliardë euro.

Me ligjin e ri, qeveria shqiptare ka përcaktuar se kompensimi do të bëhet me vlerën që toka ka pasur në momentin shpronësimit të ish-pronarëve. Por, me shumë të ngjarë, ky parashikim ligjor do të hidhet poshtë nga Gjykata e Strasburgut. Sipas Shoqatës, ka tashmë precedentë ku gjykata u ka dhënë të drejtë ish-pronarëve.

Që nga viti 2015, janë rreth 90 çështje për të cilat hetimi gjyqësor ka përfunduar dhe janë në pritje të shpalljes së vendimit. Vlera e këtyre vendimeve është mbi 420 milionë euro, faturë që pritet t’i vijë shtetit shqiptar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN