MENU
klinika

Iu “vodh” emri nga deputeti i LSI

Ky është drejtori i ri i Albcontrol

23.01.2019 - 13:31

Qeveria shqiptare ka emëruar drejtorin e ri të agjencisë së kontrollit ajror, Albcontrol. Ai do të jetë Mina Kusta, drejtori ekonomik i shoqërisë gjatë kohës që ajo drejtohej nga Belinda Balluku. Ministrja e re ka gjetur një zgjidhje të brendshme për të drejtuar Albcontrol. Para eksperiencës në Albcontrol, Kusta ka punuar në sektorin bankar, si drejtues në NBG Bank dhe Raiffeisen Bank.

Albcontrol ëhstë një ndërmarrje shtetërore që siguron të ardhura të mëdha për buxhetin, nga pagesat për përdorimin e hapësirës ajrore shqiptare. Për këtë arsye, pagat në këtë ndërmarrje janë shumë të larta dhe puna aty është shumë e lakmuar nga njerëzit me lidhje të rëndësishme politike.

Megjithatë, emri i Mina Kustës është bërë i njohur në publik për një arsye tjetër, që nuk ka shumë lidhje me detyrën e tij. Emri Mina Kusta ishte përdorur në Itali nga ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica.

Pasi ishte arrestuar nga policia italiane për një vjedhje, Rehovica nuk kishte dhënë emrin e tij, por atë të Mina Kustës. Siç do të rezultonte më vonë, Rehovica dhe Kusta ishin të njohur që në fëmijëri dhe, madje, kishin ndjekur edhe shkollën së bashku.

Për këtë arsye, Rehovica, me sa duket, ka menduar të mashtrojë policinë italiane duke përdorur emrin e të njohurit të tij. Por, mashtrimi i Rehovicës u zbulua nga shenjat e tij të gishtërinjve.

Gjatë verifikimeve të bëra në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, u zbulua se Rehovica ishte proceduar në Itali për vjedhje. Për këtë arsye, atij iu hoq mandati i deputetit.