MENU
klinika

Intervistoi: Mentor Nazarko

Kadare: Përse populli shqiptar nuk e ka lenë fenë ta dominojë!

28.01.2019 - 16:39

(vijon pjesa e parë)

Mentor Nazarko: Është edukative…Është shumë e bukur kjo parabolë që bëre me Senekën, sepse ke alibinë, madje shpjegimin universal të raportit me Enver Hoxhën për të cilin të akuzojnë këto, që thonë që e ke glorifikuar, dhe prandaj nuk “vdiqët”

Ismail Kadare: Nuk është fare e vërtetë. Unë kam dyzet vepra, a dyzet e pesë, varet si ndahen titujt, nga të cilat në njërën është i pranishëm shefi i regjimit, dhe në atë, vetëm në rreth 30 për qind të saj. Dhe ajo vepër vazhdon të qëndrojë, vazhdon të lexohet dhe do të lexohet gjithmonë. Unë nuk kam turp prej saj, sepse ajo vepër nuk është e tillë, dhe nuk ka pse të mohoj unë veprën time dhe të kem ndjenjë faji, dhe nuk ka asnjë vepër tjetër që mund të quhet problematike.

Mentor Nazarko: Ka një moment të afërt, që është botimi i një libri me dokumente që tregon që ju përndiqeshit, mbikqyreshit nga Sigurimi, që kishte njerëz që vepronin për t’ju shkatërruar, që është libri i Dashnor Kaloçit, “Kadare në dokumentet e Pallatit te Ëndrrave”. Fatos Lubonja, një nga kritikët tuaj kryesorë, më i kualifikuari dhe ndoshta më cilësori në statusin e tij publik, thotë që nga ato dokumente, që sipas tij nuk janë përzgjedhur në mënyrë korrekte, nuk del kjo përndjekje, përkundrazi, dhe përmend Zylyftar Ramizin dhe të tjerë. Cila është përgjigjja juaj për këtë?

Ismail Kadare: Përgjigjja ime është që unë nuk e marr fare seriozisht këtë Lubonjën që po thoni ju…

Mentor Nazarko: Fatosin

Ismail Kadare: Po, sepse shkrimi i tij ishte një lloj përçartje, dhe asgjë tjetër. Ju përmendët një Zylyftar Ramizi. Zylyfar Ramizi ka qënë shef i Sigurimit shqiptar dhe zëvendës ministër i brendshëm. Ditën që u dënua me vdekje, në zemërim e sipër, ose në panik e sipër, tha “do t’ju them edhe unë disa gjëra që do t’ju prishet gjaku”, dhe foli kundër meje.

Tani, të përmendësh këtë argument kundër meje, është turpi më i madh. E para, sepse në një letër që i kam shkruar Ramiz Alisë, të vetmin që propozova për të hequr urgjent nga posti ka qenë Zylyftar Ramizi, kur ky ishte ende në post, dhe ky letrën sigurisht e mori vesh nga të parët, dhe e ka treguar. Nuk ka se si të dalë një njeri dhe të marrë sharjet e Ramizit kundër meje, dhe ta botojë këtë shpifje pa pikë ndërgjegje.

Unë po flas me një fjalor të ashpër, e di, që nuk i shkon një bisede letrare, por unë jam që në Shqipëri nuk duhet kurrsesi që, nën maskën e mendimit të lirë, të justifikohen shpifjet. Shpifja vjen pas vrasjes, ose është njëlloj si një vrasje.

Të shpifësh kundër një shkrimtari të njohur, (sepse kjo është shpifje e pastër, ai tha “Kadareja ka qenë agjent i Sigurimit”) është diçka, por si e boton ti sot në gazete këtë gjë? Së paku duhet vënë në kllapa “sipas kokës së tij, mendjes së tij”, aq më tepër pas një libri që ka njëqind e një dokumente ku vërtetohet e kundërta, apo jo? Si e gjete ti që në këto dokumente nuk ka të vërteta? Ato janë dokumente me emra, me data, me shifra, me faksimile, me çdo gjë që ka një dokument, dhe vetëm në një shtyp të degjeneruar mund të dalë dikush në këtë mënyrë për të thënë që këto dokumente janë fallco, dhe mos t’i përgjigjet askush.

Unë kam deklaruar në intervista, në shtypin shqiptar apo dhe në atë botëror, kudo, me përgjegjësi personale, që të shkojnë të kërkojnë në mijëra arkiva, dhe nuk do të gjejnë një radhë timen kundër një shkrimtari tjetër. Ç’do më tepër, atëherë? Këtë deklaratë e kam bërë 5-6 vite më parë, sigurisht që janë turrur të kërkojnë por nuk kanë gjetur dot, dhe tani na del ky shpifës ordiner, fare i neveritshëm, dhe thotë “po, ato dokumente janë të falsifikuara”. Kemi një kaos total, dhe Shqipëria po e vuan së tepërmi këtë kaos, sepse kaosi nuk të lejon të shpjegosh asgjë, çdo gjë e nxin, çdo gjë e çorienton.

Mentor Nazarko: Duke mbetur në temën e të kaluarës, është një figurë interesante, për atë sa flitet për të, dhe është figura e Mehmet Shehut. Presidenti francez Hollande përmendi librin tuaj Pasardhësi, si ndër librat e suksesshëm. Rreth Mehmet Shehut ka folur Nexhmie Hoxha që tregonte se si ndodhi tragjedia e tij, dhe si përpjekje për të justifikuar të shoqin. Ka pasuar ditët e fundit historiani dhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo që thoshte që është vetëvrarë, ndërkohë vëllai i Mehmet Shehut thotë se e kanë vrarë. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje që vjen nga e kaluara por që ende krijon kaq shumë vëmendje publike?

Ismail Kadare: Pyetja juaj më tingëllon pak e çuditshme. Unë nuk kam asnjë qëndrim të veçantë nga ajo që duhet të ishte qëndrimi i opinionit publik në përgjithësi, i shtypit, i shoqërisë. Mendimi i parë që më vjen është që Shqipëria nuk duhet të merret me kaq zell të madh, me kaq zjarrmi si të thuash, me asnjë nga figurat që kanë drejtuar diktaturën. Sigurisht duhet të merret me seriozitet, të zbërthejw krimet e tyre…

Mentor Nazarko: Është një vrasje e pazakontë apo jo…

Ismail Kadare: Sigurisht! Vrasja e një kryeministri është një ngjarje e pazakonshme, dhe mund të jetë edhe shume simbolike për një vend. Megjithatë, ato deklarata që bëhen poshtë e përpjetë dhe që kam parë, pra që në Shqipëri po zgjohet interesi për diktaturën…

Mentor Nazarko: Është një sondazh i OSBE që thotë që 53%…

Ismail Kadare: … e duan regjimin! Këtë unë e gjykoj një sondazh racist kundër popullit shqiptar.

Nuk mundet kurrsesi që një popull që ka vuajtur në një regjim kaq të egër pas 27 vitesh që ky regjim ka ikur, ti degradojë mendja dhe papritur të ndjejë nostalgji për atë kohë.

Kjo nuk është thënë për vendet e tjera, dhe nuk ka pse të thuhet dhe nuk ka pse shqiptarët të ndihmojnë këtë gjë, që është një hedhje balte kundër kombit shqiptar, kundër popullit shqiptar.

Mentor Nazarko: Bashkim Shehu thoshte që e shpjegueshme është në qoftë se në sondazh kanë marrë pjesë mosha mbi 50 vjeç, që ka qenë dominante.

Ismail Kadare: Po pse ajo moshë nuk kishte…? Ajo lidhet me sa ishin pro regjimit dhe sa ishin kundra. Nuk është e vërtetë që shumica e njerëzve ka qenë me komunizmin.

Mentor Nazarko: Kjo po, por ka ndodhur një gjë, që kudo në këto vendet ish-komuniste, papritur njerëzit ballafaqohen me atë që sistemi i ri ekonomikisht është në rënie, nuk kishte fabrika, nuk kishte punësim 100%, nuk kishte garanci, as spitale falas, ajo ndjenjë e barazisë në varfëri. Kapitalizmi në ato vitet e para është i tmerrshëm, dhe disa thonë “sa mirë kemi qenë, ç’na u desh”…

Ismail Kadare: Po janë klishe të vjetra. Edhe përpara piramidave thoshin “përpara ishte më mirë”, po çfarë mund të ishte më mirë përpara piramidave? Mund të ishte rastësisht më mirë…

Mentor Nazarko: Mos e nxisin nostalgjinë, siç thotë edhe opozita, këto muzetë që po hapen, si te Ministria e Brendshme, Bunk’Arti, Shtëpia me gjethe…

Ismail Kadare: Ato mund ta nxisin, por në radhë të parë duhet të nxisnin anti-nostalgjinë, pra të kundërtën, dhe mund t’i pranosh të dyja. Por që populli shqiptar të jetë katandisur në atë derexhe që t’i mbushen sytë me lot për atë regjim, jo, është diçka që nuk mund ta pranoj, është një fyerje. Mendoj gjithashtu që këto deklarata duhet të verifikohen.

Nga i kanë marrë të dhënat, nga i kanë nxjerrë. Me sondazhet në Shqipëri, është vërtetuar dhe unë kam shkruar disa herë, bëhen spekulime të pështira. Kam shkruar dhe nuk kam marrë përgjigje nga askush, për shembull, për çështjen e popullsisë të Shqipërisë, e cila ka 500-600 vjet që nuk ka ndryshuar, përtej kohëve të fundit. Nuk është normale. Ka sondazhe të paturpshme. Janë të gjitha me qëllim, janë pa qëllim, gjysmë me qëllim, rastësore, këtë nuk e di.

Por nuk ka popull që 500 e ca vjet përpara të ketë bërë qoftë edhe një farë pengese për një perandori për një kohë të caktuar, dhe të ketë qenë 1 milion banorë, si para 30 vjet më parë. Nuk ekzistojnë popuj të tillë.

Mentor Nazarko: Ju jeni vlerësuar nga presidenti francez si një pro evropian i vendosur, edhe pse vini nga një vend i vogël, siç thonë, me një shumicë myslimane, dhe që ka lavdëruar islamin e moderuar shqiptar. Ndërkohë ka shfaqje të ekstremizmit islamik në vend. Cili është gjykimi juaj për këtë?

Ismail Kadare: Ky është një shqetësim, me thënë të drejtën, dhe një gjë jo shumë e shpjegueshme, jo fort logjike. Unë nuk kam ndonjë mendim që të zbërthej se përse ndodh. Në radhë të parë dyshoj se ndodh. Është vërtetë Shqipëria një vend ku po rritet islamizmi, siç thonë? Karakterizohet vërtetë si një komb me shumicë myslimane? Kjo është një lloj formule që zakonisht përdoret, kur flitet për popullsitë e botës.

Për një vend që ka një harmoni fetare të konfirmuar, nuk ka me “me shumicë “ a “pa shumicë”. Këto terma përdoren për shtete të cilët ndërtojnë sistemet e tyre shoqërore, politike dhe juridike edhe në bazë fetare.

Populli shqiptar në këta 100 vjet, nuk ka lejuar që feja të ndikojë në sistemin e tij të brendshëm, shtetëror, juridik, politik. Prandaj nuk ka pse ta pranojmë ne këtë kualifikim, i cili në botë ka marë vetvetiu një konotacion racist, dhe me sa duket do të vazhdojë kështu.


Mentor Nazarko: E majta shqiptare ka disa prekursorë, si paraprijës, që kanë qenë intelektualë por edhe patriotë, vlen të përmendet Sejfulla Malëshova dhe të tjerë. Pse e majta nuk i referohet këtyre figurave?

Ismail Kadare: Sepse është një mungesë e saj, do të thosha unë, tregon që nuk ka thellësi, që nuk ka sinqeritet ndoshta, sepse një lëvizje e majtë ka edhe ajo ligjet e saj, origjinën, idolet e saj, dhe ne kemi pasur një plejadë të tillë që përmendët ju, si Sejfulla Malëshova, që ishte intelektual i madh, dhe të tjerë si ai. Këta janë dënuar nga regjimi i kaluar dhe me sa duket vazhdon jehona e këtij dënimi.

Mentor Nazarko: Në Shqipëri është duke ndodhur një lloj rinovimi ose më mirë rilindje urbane, domethënë rishikimi ose rindërtimi i shesheve kryesore. Në fakt, nga disa vëzhgues kjo konsiderohet pak si restaurimi i atyre qendrave dhe qyteteve që ishin ndërtuar dhe projektuar nga Mbreti Zog. Pra kemi një udhëheqës të majtë si Edi Rama i cili, megjithëse e kritikon publikisht Zogun, në fakt është duke nxjerrë në dritë ato që ishin pjesë e trashëgimisë më të rëndësishme, që janë planet rregulluese urbane, apo monumentet, godinat kryesore të asaj periudhe. Ju bën përshtypje kjo?

Ismail Kadare: Unë mendoj që kjo nuk lidhet thjesht me figurën e Ahmet Zogut dhe as me mbretërinë e mbretit Zog, sesa lidhet me atë që ne e quajmë “evropianizimin” e Shqipërisë, pra prirjen evropiane të Shqipërisë. Është kjo një prirje e ngritur artificialisht, apo një prirje natyrale, shpëtuese për Shqipërinë? Sepse Shqipëria sot është shumë evropianiste, ne e dimë, ne linjën e saj politike, ideore e të gjitha, por a është vërtetë kjo një nxitje e viteve të fundit apo është një linjë që vazhdon prej shumë shekujsh?

Unë mendoj që Shqipëria të drejtën e saj për të hyrë në Evropë nuk e ka mohuar kurrë. Tërë Rilindja kombëtare shqiptare është një lëvizje absolutisht evropianiste, dhe prandaj nuk është një e gjetur si modus vivendi, “se kështu është koha, Bashkimi Evropian ka këto kërkesa dhe ne duhet t’i përshtatemi”.

Jo, lidhjet shqiptare me Evropën përbëhen nga shumë elementë, përveçse është truall evropian i mirëfilltë, ka kujtesë historike të mirëfilltë, ka gjuhën evropianiste etj.

Dhe kjo ringjallje e trashëgimisë, për të cilën folët ju, unë e lexoj në radhë të parë si një trashëgimi që na lidh me kujtimet evropiane. Shqipëria, për fat të keq, nuk i kultivon disa herë kujtimet evropiane. Çdo vend do t’i gjurmonte kudo dhe do t’i vinte në pah.

Po marr një shembull që duket fare banal dhe i thjeshtë. Në Bulevardin kryesor të Tiranës ndodhet ndërtesa e Hotel Dajtit, e cila po prishet përballë syve tanë. Të kalosh andej, të vjen për të qarë, me ato dritaret e shkulura. Ka qenë hoteli më modern në Ballkan, për disa vite. Një pjesë e historisë së Shqipërisë ka kaluar atje, janë zhvilluar ngjarje të mëdha, të gëzueshme, të hidhërueshme, komplote, ballo… Pse ne, që i kemi kaq të rralla këto…

Mentor Nazarko: Qeveritë e majta nuk ia dhanë lejen e ndërtimit një ndërtuesi të madh, si Behgjet Pacolli, që supozohet do ta rikthente në shkëlqimin e dikurshëm, sepse kishte nostalgji për atë hotel…

Ismail Kadare: Në qofte se kjo është bërë me qëllim, dhe me ndërgjegje, është një ndërgjegje e keqe që e ka bërë. Këto nuk janë thjesht qeveri të majta, por janë qeveri dëmprurëse për popullin shqiptar.

Si ka mundësi që ti ndërtesën kryesore, “nostalgjike” të viteve ’30 dhe ’40 e hedh mënjanë. Je gati të ngresh lloj-lloj hauresh, t’i rindërtosh dhe ringjallësh, dhe nuk mbron atë që çdo qytet do ta kishte për krenari. Asnjë qytet evropian nuk do të guxonte të linte të shkatërrohej hotelin e saj me të famshëm të viteve ’30 dhe ’40. Do të ishte një krim publik.

Mentor Nazarko: Gjithmonë ne kemi bërë intervista së bashku kur kemi krijuar media të reja, si me Ditën dhe ABC-në. Tani po krijojmë një portal, Konica, dhe doja një gjykim tuajin për figurën e Konicës dhe rezonancën e tij aktuale. I duhet Shqipërisë sot një mendje kritike e formatit të Konicës?

Ismail Kadare: Së pari, dua të saktësoj që, sipas mendimit tim, për figurat që ne do të kujtojmë, mund të kujtojmë ose duhet të kujtojmë, nuk duhet të nisemi nga mendimi “i duhet sot apo jo”. Përkundrazi, “a kanë qenë, a janë të tilla”? Në qoftë se ata kanë qenë të tillë, ata prapë janë. Konica është një figurë e rëndësishme e kombit shqiptar, me gjurmë të thella shumë, që nuk i ka zbehur dot asnjë kritikë studimore marksiste leniniste.

Dhe kjo është një shenjë e mirë, lidhet me atë frymën evropianiste dhe të natyrshme që ka vendi ynë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka edhe mendime trillane, për të qenë i butë…

Mentor Nazarko: Në Kosovë do të thonin trullane…

Ismail Kadare: Trullane, dakord. Mendime pra që nuk hynë në punë. Por kjo nuk do të thotë asgjë, madje do të thoja që Noli, Konica dhe Zogu përbënin një treshe pak të habitshme. Këta kanë qenë tre armiq, shpeshherë të betuar të njëri-tjetrit, dhe më pas tre miq, ndoshta jo të betuar por gjithsesi miq që kanë arritur të bëhen të tillë herëpashere.

E bënë sepse ndërgjegjja e tyre ishte e kthjellët dhe kuptuan që e donte e mira e Shqipërisë, e bënë thjesht si qenie njerëzore, e bënë thjesht si krijues të politikës, të diplomacisë, të filozofisë shqiptare, këtë unë nuk jam në gjendje ta them, por ata janë një shembull, sepse armiqësia Noli –Zog ka qenë aq e madhe sa për çudi ka dhe një simetri të pabesueshme, ku të dy e kanë dënuar me vdekje njëri-tjetrin në mungesë, dhe më pas të dy u pajtuan pas luftës së dytë botërore.

Konicën gjithashtu e kritikojmë pse u bë ambasador në Amerikë, por ai ka dhënë shpjegimet e tija, që janë të gjitha pothuajse të besueshme.

Mentor Nazarko: E kisha fjalën edhe për sensin demistifikues të tij…

Ismail Kadare: Në këto çaste që jetojmë, nuk vuan demistifikimi shqiptar për shembuj. Ka mjaft ushqim të brendshëm dhe nuk ka pse ta marrë diku.

Mentor Nazarko: Një pyetje tjetër lidhet me jetën tuaj midis Shqipërisë dhe Francës. Përgjithësisht, intelektualet që kanë jetuar dhe jetojnë në Francë sjellin edhe kriticizmin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin e saj në Shqipëri, Kosovë, Ballkan etj. Ndërkohë ju në asnjë rast në shfaqjet tuaja publike nuk keni bërë një kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë që ka bërë në Shqipëri. Cili është gjykimi juaj për raportin midis shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara?

Ismail Kadare: Unë mendoj që Shqipërisë, krahas thashethemeve dëmprurëse, që janë përhapur me shumice sot në botë, dhe që duhet të na brengosin jo thjesht në emër të patriotizmit të modelit klasik, por për imazhin e njeriut shqiptar, ka edhe një thashethem që do ta quaja pozitiv dhe po aq të përhapur në botë, që ky është një shtet që ka simpati për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe amerikanizmin.

Kjo është e vërtetë dhe nuk na turpëron. Të parën e quaj turp, që të na dalë nami që jemi vendi i drogës, i prostitutave dhe gangsterëve, patjetër asnjë vend nuk do t’ia uronte vetes.

Por që të dalë nami që Shqipëria është tepër e dalldisur pas SHBA, përveç një buzëqeshje nuk i bën dëm vendit. Për mua është gjë pozitive, dhe unë jam dakord. Populli shqiptar, me gjithë akuzat që i bëjnë, pra që e ka mendjen nga Lindja, nga Otomanët, nga kinezët, megjithatë për çudi mendjen e tij di ta ketë edhe nga ky kontinent i ri i botës, ky vend i madh dhe demokratik.

Mentor Nazarko: E kisha fjalën edhe për atë kriticizëm që shihej kur bëhej fjalë për armët kimike, ka intelektuale që jetojnë këtu në Francë dhe kritikojnë ambasadorët amerikanë që përfshihen në çështjet e reformës për drejtësi.

Ismail Kadare: Unë këtë do ta quaja konformizëm ndaj vendit ku jetojnë. Unë nuk e kam ndjerë kurrë këtë gjë, dhe as nuk e kam ndjerë dhe as nuk e kam quajtur të nevojshme.

Mentor Nazarko: Ka një moment që bashkon Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, pra vendet e Ballkanit, që është momenti i mosqarkullimit të elitave. Kemi pra të njëjtat figura që bëhen presidentë, o kryeministra dhe ngjan sikur Perëndimi, amerikanët përfshirë, po krijojnë mekanizma që t’i venë në qarkullim elitat, nëpërmjet reformave në drejtësi, nëpërmjet prokurorive dhe gjykatave speciale. A e quani të nevojshme këtë që po ndodh?

Ismail Kadare: Nuk kam ndonjë përgjigje interesante për këtë gjë.

Mentor Nazarko: Faleminderit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN