MENU
klinika

83-vjetori

Kadare/ Përfaqësuesi i letërsisë shqipe nëpër botë!

28.01.2019 - 18:46

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese.

Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist dhe si i tillë, veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës.

Ai krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

Kadare u lind më 28 janar 1936 në Gjirokastër, në një familje qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga familja Dobi. Çifti do të kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Shahinin dhe Kadrien.

Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Kur u vendos diktatura komuniste në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç.

Në moshën 12 vjeç arrestohet nga regjimi i sapovendosur komunist nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ua kishin treguar gjithkujt me hare.

Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.

Si ndëshkim, në shkollë iu thye nota e sjelljes nga pesë në tre. Më vonë do t’i përshkruante këto ndodhi në novelën ‘Koha e parasë’. Sipas Kadaresë qe skenar i mirëkalkuluar, në mënyrë që të goditej gjenerali Tahir Kadare.

Në moshën 13-vjeçare zbuloi Makbethin, një ndër veprat e Shekspirit dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista ‘Pionierinë Tiranë’, Më 1954 botoi një përmbledhje poetike e quajtur “Frymëzime djaloshare”.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve.

Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore. I zhgënjyer nga realizmi socialist mendon të lërë letërsinë.

Detyrohet t’i braktisë studimet para kohe për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe dhe nisi punë si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare.

Ballafaqimi i brezit të ri dhe të vjetër (1960-1961)

Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60, Kadare ishte i njohur për poezi, kurse nga vitet ’60 edhe për prozë.

Rinia i pëlqente veprat e tij, për ta ai kishte diçka të re për të thënë. Ai hyri në rrethet e shkrimtarëve dhe kishte marrëdhënie të mira me figura letrare. Në vitin 1961 botoi edhe një vëllim poetik me titull ‘Shekulli im’.

Ndërkaq qysh pas kthimit në Shqipëri filluan sulmet ndaj tij duke e akuzuar për dekadencë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Konflikti mes tyre dhe brezit të ri që po dilte në skenë u shfrytëzua nga Enver Hoxha i cili në vitin 1961 organizoi një mbledhje mes shkrimtarëve të dy brezave.

Kadare që i përkiste brezit të ri mbrojti letërsinë e re dhe çuditërisht Hoxha këtu mori anën e të rinjve. Kjo manovër e Hoxhës ishte edhe goditje ndaj brezit të vjetër ish-partizan.

Kalimi në prozë (1962-1965)

Gjatë qëndrimit në Moskë kishte shkruar romanin “Qyteti pa reklama” duke sfiduar qëllimshëm rregullat e realizmit socialist.

Për shkak të temës delikate të romanit, që bënte fjalë për studentë të shthurur e amoralë që arrijnë suksesin me anë të falsifikimeve, e që ishte në kundërshtim të plotë me frymën pozitive e heronjtë pozitivë që proklamonte realizmi socialist, romani mbeti pa u botuar.

Këtë vepër ia tregoi një miku të tij i cili e këshilloi që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin “Ditë kafenesh” më 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli u ndalua.

Në vitin 1962 e botoi tregimin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ të cilin më pas e zgjeroi, e bëri roman dhe e botoi të plotë në vitin 1963. Në roman kishte injoruar realizmin socialist, mungonte heroi pozitiv dhe nuk përmendej Partia.

Ai u prit keq nga kritikët zyrtarë dhe u injorua. Romani pasues, “Përbindëshi”, i cili ishte antidogmatik u botua në revistën ‘Nëntori’, mirëpo menjëherë u etiketua si dekadent dhe u ndalua.

Fillimet e suksesit ndërkombëtar (1970-1973)

Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze ‘Albin Michel’ botoi në frëngjisht romanin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ përkthyer nga Jusuf Vrioni. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë.

Pas botimit në Francë, u zgjodh deputet gjer më 1982, u detyrua të futej në Partinë e Punës të Shqipërisë. Pas zhgënjimit nga temat aktuale, u rikthehet temave historike. Në këtë kohë Kadare shkroi e botoi romanet ‘Kështjella’ (1970) dhe ‘Kronikë në gur’ (1971), të cilat përkthehen e botohen në Francë njëra pas tjetrës.

“Kështjella” bënte fjalë për rezistencën e shqiptarëve kundër osmanëve, ndërsa romani autobiografik “Kronikë në gur” bënte fjalë për qytetin e Gjirokastrës dhe fëmijërinë e Kadaresë aty gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu të revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, ‘Les lettres albanaises’.

“Vitet e terrorit” (1980-1983)

Në vitin 1980 botoi në një përmbledhje të përbashkët romanet ‘Prilli i thyer’, ‘Kush e solli Doruntinën’ së bashku me dy kapitujt e parë të romanit ‘Pallati i ëndrrave’ maskuar si novelë.

Një vit më vonë, me rastin e ribotimit të një libri të mëhershëm shfrytëzoi rastin dhe e futi në të versionin e plotë të Pallatit të ëndrrave, duke arritur kështu ta kapërcente censurën.

Vepra bënte fjalë për një shtet totalitar, që në shikim të parë dukej si Perandoria Osmane, ku një institucion i quajtuar Tabir Saraj (Pallati i ëndrrave) monitoronte, mblidhte dhe analizonte ëndrrat e qytetarëve për të zbuluar në to shenja të konspiracioneve kundër shtetit.

Shumë shpejt njerëzit filluan të vërenin se përshkrimet e kryeqytetit ku luheshin ngjarjet ishin identike me Tiranën, dhe atmosfera e terrorit, spastrimeve dhe burgosjeve ishte e ngjashme me Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Romani u dënua rreptësisht në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe u ndalua. Kadare u përball me akuzuat se vepra kishte aluzione kundër regjimit komunist dhe që ‘Pallati i Ëndrrave’ ishte në fakt ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së.

Kadare i shpëtoi arrestimit për shkak të njohjes ndërkombëtare dhe ndërhyrjes së presidentit francez në mbrojtje të tij.

Në vjeshtë 1981 Bashkim Shehu, djali i kryeministrit Mehmet Shehu, i tregoi në mirëbesim se i ati pas kthimit nga një takim me Enver Hoxhën ia kishte ndaluar takimin me Kadarenë me arsyen se ai ishte agjent i Perëndimit.

Në vitet 1981-1982, Enver Hoxha ngarkoi Sigurimin dhe Hetuesinë të përgadisnin dokumentet procedurale për arrestimin e Ismail Kadaresë nën akuzën veprimtari armiqësore dhe bashkëpunëtor në komplotin e Mehmet Shehut.

Kadare do të akuzohej si sabotator i vijës së Partisë në art dhe kulturë. Ishte vlerësuar se kishte ardhur momenti për ta dënuar Kadarenë si armik të Partisë dhe të Diktaturës së Proletariatit. Shtypi botëror këtë herë e mbrojti hapur.

Në një shkrim të revistës franceze Lire, Bernard Pivot shkroi se Franca ishte e shqetësuar për faktin që Kadare nuk po i përgjigjej ftesës për të ardhur në Paris. Në shkrim ishte fraza “Ne presim Ismail Kadarenë dhe jo kokën e tij në pjatë…”

Më 1983 mundi të shkojë në Francë, me paramendimin që të mos kthehej. Në vitin 1985 vdiq Enver Hoxha. Shpresat për liberalizimin e Shqipërisë pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë u venitën. Po atë vit u ndalua romani “Nata me hënë” që bënte fjalë për përpjekjet e partisë komuniste dhe shoqërisë komuniste për të shkatërruar jetën e një vajze të pafajshme.

Romanin tjetër “Vajza e Agamemnonit” ku në mënyrë të hapur shpreh mendimet kundër regjimit komunist, e shkroi atë vit dhe bashkë me disa vepra tjera anti-komuniste e nxori fshehtas jashtë shtetit nëpërmjet botuesit dhe mikut të tij francez Claude Durand, me udhëzimin që të botohesin në rast se regjimi e eliminonte Kadarenë pas shpine.

Në vitin 1986 botoi romanin “Krushqit janë të ngrirë” që fliste për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981. Në vitin 1988 u bë anëtar i Institutit Francez.

Rënia e komunizmit (1989-1990)

Në vitin 1989, disa muaj para rënies së regjimit komunist, Nexhmije Hoxha e emëroi zv.kryetar të Frontit Demokratik.

Në vjeshtën e vitit 1990, i zhgënjyer nga përpjekjet e udhëheqjes komuniste për t’i zgjatur jetën regjimit, Ismail Kadare vendosi të arratiset nga Shqipëria në Paris dhe të kërkojë nëpërmjet mediave perëndimore vendosjen e demokracisë.

Me ndihmën e botuesit francez arrin të organizojë ikjen e familjes së tij. Ikja e tij u mirëprit nga ata që donin demokratizimin e Shqipërisë, kurse pas arratisjes u shpall tradhtar dhe Ramiz Alia kërkoi ndjekjen penale të tij.

Pas komunizmit

Pasi la Tiranën dhe aplikoi për azil politik në Francë, mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.

Pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992, Kadare u kthye në Shqipëri. Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit.

Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

Jeta mes Parisit dhe Tiranës

Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e shkencave sociale dhe politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze Fayard botoi veprën komplete të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip.

Gjatë viteve të 90-ta ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar parathëniet. Në vitet e 90-ta Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

Në vitin 1997 deklaroi se kishte hequr dorë nga shkrimi i poezive kurse më 2011 deklaroi se kishte hequr dorë nga shkrimi i letërsisë artistike.

Kadare është shkrimtari i vetëm shqiptar me njohje ndërkombëtare të gjerësishme dhe është i përkthyer në 45 gjuhë.

Letërsia e Kadaresë ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare. Ai e sfidoi realizmin socialist për tre dekada duke iu kundërvënë realizmit socialist me realizëm subjektiv.Studiuesja Alda Bardhyli e ka quajtuar aftësinë e Kadaresë për t’iu shmangur realizmit socialist të jashtëzakonshme.

Pothuajse në të gjitha veprat e tij e ka sfiduar regjimin përmes një “disidence të heshtur”. Kadare iu shmang realizmit socialist dhe censurës shtetërore përmes mjeteve alegorike, simbolike, historike dhe mitologjike.

Albanologu Robert Elsie, ka thënë se kushtet në të cilat Ismail Kadare ka jetuar dhe shkruar nuk ishin të krahasueshme me vendet tjera komuniste në Evropë ku kishte të paktën një shkallë të caktuar të tolerancës për disidencë, përkundrazi, situata në Shqipërinë Socialiste ishte e krahasueshme me atë në Korenë e Veriut ose Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ’30 kur drejtohej nga Stalini.

Megjithatë Kadare shfrytëzoi çdo rast për të sulmuar regjimin në veprat e tij nëpërmjet alegorive politike, të cilat kuptoheshin nga lexuesit e edukuar shqiptarë.

Mirënjohjet

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Kosovë;
Prix mondial Cino Del Duca, Francë, 1992;
Çmimi “Bokaçio” Itali,1997;
Herder Prize, Austri, 1998;
Ovid Prize, Rumani, 2003;
Man Booker International Prize, Britani, 2005;
Princi i Asturias për Letërsinë, Spanjë, 2009;
Çmimi “Lerici Pea”, Itali, 2010;
Çmimi Jeruzalem, Izrael, 2015;
Commandeur de la Légion d’Honneur (C. LH), Francë, 2016
Çmimi “Letërsia shqipe”, Kosovë, 2017;
Çmimi “Nonino”. Itali, 2018;
Çmimi i karrierës akademike, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2018.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN