MENU
klinika

Albert Çaçi

Konfuzioni sirian

19.01.2019 - 09:41

3 ditë më parë, në  një atentat  me bombë në qytetin e Manbinj (Hierapolis), në veri të Sirisë humbën jetën mbi 20 persona, midis të cilëve edhe 4 ushtarë amerikanë, të cilët po përgatiten për  të lënë Sirinë.

Logjika e do që këtë atentat mund ta kenë kryer ose ata që po kërkojnë largimin e shpejtë të trupave të SHBA ose ata që duan që ata të vendosin rishikimin e vendimit të tyre duke qëndruar në Siri. Dhe ata nuk janë të pakët.

Kjo është një ngjarje mjaft e rrezikshme që mund t’i japë rrugë një përshkallëzimi  në një teatër luftimesh mjaft të komplikuar, duke i kthyer përsëri në pikën e nisjes.

Qyteti i Manbinj, me reth 100 000 banorë, ka një rëndësi strategjike, jo më shumë nga vendodhja gjeografike, sesa nga  fakti që është një pikë ku takohen trupat e shumë aktorëve të luftës në Siri.

Në fakt, qyteti banohet me shumicë  arabe, por është okupuar nga trupat kurde të YPD, me mbështjen e trupave speciale të SHBA, që  kur ia morën qytetin xhihadisteve të ISIS.

Po pikërisht këtu trupat e rebelëve pro-turq të mbështetura nga ushtria turke, në vashdim të operacionit “Olive Branch”, që morën territoret e Afrinit, duke shpërngulur kurdët, ndaluan ofensivën, pasi  këtu ndodheshin trupat speciale amerikane. Plani i Turqisë për të avancuar drejt Rakës dhe përzënë kurdët në lindje të Eufratit dështoi. Dhe Erdogani dëshiron që ta nisë ofensivën e re pikërisht këtu.

Njoftimi i  papritur i Trump për largimin e menjëhershëm nga Siria shkaktoi një tërmet të vërtetë. Jo vetëm që ai u pasua me dorëheqjen e Sekretarit  të Mbrojtjes Mattis, por u kritikua ashpër nga media kryesore amerikane, si dhe nga shumë senatorë dhe kongresmenë, madje duke e konsideruar si një dhuaratë për Putinin.

Kurdët e quajtën këtë veprim si një thikë prapa shpine, kur tashmë janë vetëm përballë 80 mijë ushtarë të Erdoganit gati për ofensivë. Ata, të ngelur tashmë pa shumë opsione, iu drejtuan Assadit dhe rusëve, duke kërkuar  një marrëveshje, që të lejojë ushtrinë e Asadit të ndërhyjë për mbrojtjen e kufirit shtetëror sirian në pjesën kurde.

Veprimi i parë shumë provokues për Erdoganin, ishte pikërisht lejimi i trupave të Assadit dhe ato ruse të vendosen në periferi të Manbinj, që në rast se turqit sulmojnë, ata të mund t’ia dorëzojnë sirianëve. Vendosja pas 6 vitesh  e flamurit sirian në qendër të qytetit ishte mesazh i qartë për Erdoganin.

Erdogani i xhindosur kërcënonte dje Sirinë se nuk duhet të hyjë në qytetin sirian të Manbinj me ushtrinë e saj, pasi ky është objektiv i rebelëve pro-turq dhe ushtrisë turke.

Që rendi botëror është cënuar rëndë, kjo tashmë është një fakt i kryer. Por të kërcënosh ushtrinë e një shteti të hyjë në një qytet të saj, këtë mund ta etiketosh në çfarëdo terminologjie antiterroriste, por vetëm për të drejtë ndërkombëtare nuk bëhet më fjalë në këtë zonë të botës.  

Në fakt, kjo dëshmon për situatën shumë të vështirë, në të cilën ndodhet Erdogani, pasi e ka të qartë se çdo gabim taktik mund t’i kushtojë shumë rëndë.

Po të shikosh oshilacionet  e lëvizjes së marrëdhënieve të Trump me Erdoganin, pas vendimit për tërheqje, është me të vërtetë impresionuese. Ajo kalon nga refuzimi i takimit të këshilltarit të sigurisë  amerikane Bolton, tek kërcënimi i Trump se do ta shkatërrojë ekonomikisht Turqinë po preku kurdët, tek entuziazmi i Erdoganit se u arrit marrëveshja me Trump për të krijuar një fashë 32km gjatë kufirit në territorin e Sirisë.

Por Erdogani nuk ka problem vetëm me SHBA. Problemet ndoshta më të mëdha i ka me Asadin dhe Putinin. Gjatë vizitës së fundit të Ministrit të Mbrojtjes turk në Moskë, ku kërkoi aprovimin  për tu futur në Sirinë verilindore, Erdogani mori një “Jo” të prerë. Madje rusët ia bënë të qartë se çdo avion  turk që do të sulmojë kurdët, do të rrëzohet. Erdogani po kërkon me ngulm një takim urgjent me Putinin, por ky i fundit po ia vonon.

Putini po mban qëllimisht një profil të ulët në këtë situatë dhe pothuajse nuk është shprehur publikisht, duke fshehur çdo shenjë euforie. Ai e ka të qartë se largimi i amerikanëve është një fitore e madhe strategjike për Rusinë,  pasi kurdët e ngelur pa alternativë do të pranojnë një marrëveshje me Asadin, duke i dhënë praktikisht fund luftës. Por çdo provokim ndaj  amerikanëve apo qoftë edhe i izraelitëve në jug mund të ketë pasoja të paparashikueshme. Kjo është edhe arsyeja pse S-400 vazhdojnë të mos hyjnë në veprim në sulmet e fundit të aviacionit israelit mbi Damask.

Nga ana tjetër, kurdët kanë deklaruar se kurrë nuk do të lejojnë trupat turke të vendosen në një fashë 32km brenda territorrit sirian, duke spostuar kurdët nga territoret e tyre, megjithëse Erdogani deklaron përkohësisht.

Se ç’kupton Erdogani me termin “përkohësisht”, kurdët dhe sirianët e kanë të qartë, pasi kanë parasysh se ç’ndodh me Qipron turke, kur Turqia ndërhyri në 1974 përkohësisht, dhe tani mbas 45 vitesh jo vetëm që s’ka ndërmend të largohet, por mendon të vendosë rreth 300 mijë kolonë turq. 

Rusët kanë në plan të propozojnë me të vërtetë një fashë sigurie përgjatë kufirit, por këtë ta realizojë ushtia siriane, duke ndarë Turqinë nga kurdët.

Ndërkohë, kurdët kanë një pretendim tjetër, që aty të futen trupat e OKB, por Rusia, Siria, dhe  Irani nuk pranojnë, pasi mund të përsëritet historia e një pjese tjetër të Sirisë, Rafshnaltës së Golanit, ku janë vendosur trupat e OKB që nga 1967, dhe ky territor vazhdon edhe sot të jetë i okupuar nga Izraeli.

Sidoqoftë, veprimi i Trump për tërheqjen e trupave amerikane është një vendim që afron përfundimin e këtij konflikti, që për 7 vjet shkaktoi dëme kolosale dhe një emigracion masiv, që tronditi nga themelet Europën, por nga ana tjetër me dinamikën e ngjarjeve, shpesh iu afrua një konfrontimi mjaft të rrezikshëm, midis Rusisë dhe SHBA, që mund të kishte pasoja katastrofike për gjithë paqen botërore.

Që lufta po mbaron duket edhe nga veprimet e Petromonarkive, të cilat po shpejtojnë tashmë që të rivendosin marrëdhëniet diplomatike me Damaskun dhe ta ripranojnë atë në Legën arabe, pasi tani është koha e ripozicionimeve, dhe çdo vonesë ka pasoja.

Këto veprime i përshpejton edhe fakti që midis Arabisë Saudite dhe Turqisë, marrëdhëniet janë mjaft të ndera, jo vetëm për mënyrën si e trajtoi Turqia vrasjen e gazetarit Kashogi, por mbi të gjitha për pozicionimin turk në krah të Katarit, dhe ajo që është më shqetësuese për bashkëpunimin turko-iranian.

Vendet sunite, Arabia Saudite, EAU, Egjipti, por edhe Izraeli  shikojnë tashmë Turqinë me politikën e saj neootomane në aleanca me Rusinë, dhe Iranin si një rrezik të madh strategjik për ta.

Duke u qartësuar tashmë se përpjekjet e tyre (mbi 150 miliard dollarë kanë qenë financimet për rebelët për 6 vjet) për të larguar Asadin dështuan, ata po tentojnë tashmë të kundërtën, atë të afrimit me Asadin, duke adaptuar një politikë të re.

Më në fund, Arabia Saudite është përpara faktit të kryer që  Irani ka forcuar shumë pozitat në aksin Teheran-Bagdat-Damask-Hesbollah, dhe prova e forcës nuk funksionoi, pasi nuk kishin llogaritur ndërhyrjen e befasishme të Putinit në 2015, që ndryshoi gjithë rrjedhën e ngjarjeve.

Saudët tashmë po mundohen të lozin një kartë tjetër. Nëse Iraku ka  mbi 60% të popullsisë shite, Siria ka mbi 60% sunitë, kështu një politikë afrimi duke marrë pjesë edhe në rindërtimin e Sirisë, hapjen  e ambasadave, pranimi në Legën arabe, tërheqja e mbështetjes për gjithë rebelët pro-saudë, që kanë mbetur në Siri, mund të rezultojë më efikase. Kjo mund ta drejtojë Asadin drejt politikës së të atit, Hafëzit, i cili  në vitet ‘70-‘80 mbante marrëdhënie shumë të mira, si me Arabinë Saudite, por edhe me Iranin e Ajatollahëve, por pa e lejuar, siç ndodh sot, trupat iraniane që të vendoseshin në Siri.

Pra, prova e forcës mbaroi, tashmë është koha e diplomacisë.

Në fakt, situata në Siri vazhdon të jetë mjaft konfuze dhe me një shkallë të madhe rreziku. Shkaku kryesor është në faktin  se, me përjashtim të konflikteve botërore, nuk ka një luftë tjetër, ku te jenë përfshirë direkt ose indirekt kaq shumë aktorë, me kaq shumë interesa të kundërta me njëri-tjetrin.

 Do jetë një fat i madh që kjo luftë të shkojë drejt përfundimit, pasi jo të gjithë e kanë patur të qartë se çfarë shkalle të lartë rreziku ka patur lufta e Sirisë për paqen botërore. Dhe kjo falë profesionalizmit shumë të lartë të ushtarakëve rusë dhe amerikanë, që falë një komunikimi korrekt mes tyre, arritën të evitonin incidentet që mund t’i jepnin rrugë një përshkallzimi katastrofik.

Aktualisht, me gjithë konfuzionin që mbizotëron akoma, në fund të tunelit po duket më në fund dritë për sirianët, që përfunduan për 8 vjet në një nga luftrat më absurde të historisë së Lindjes së Mesme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit