MENU
klinika

Muzika klasike shqiptare

Kosova dhe Shqipëria me orkestrale në arTurbina

31.01.2019 - 12:12

 Në datën 3 shkurt arTurbina do të zhvillojë një mbrëmjë koncertrale të artistëve të Teatrit Operas dhe Baletit me artistët që do të vijnë nga Kosova. Koncerti i titulluar “Crescendo musicale” do të dirigjohet nga mjeshtri Rafet Rudi. 

Ky koncert madhështor dhe ngjarje për Shqipërinë kulturore do të zhvillohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor të Shqipërisë dhe Kosovës.

Premiera që do të mbahet në 3 shkurt do të përmbajë një program të pasur të autorëve shqiptarë, Korale nga Jan Kukuzeli me interpretimin e  korit të TOB.

Më pas do të vijojë me “dall’ Antiphonario” nga Gjergj Danush Llapacaj, “Sancta Maria”, “Sancta Maria de Amelphitana” gjithashtu nga kori i teatrit të operës.

Gjithashtu do të vijojë me “O Magnum mysterium” nga Th. L. de Victoria, “Agnus Dei” op. 167 nga Egil Hovland koncert për fagot dhe kor  “a cappella” me interpretimin e  Orges Malaj- fagot si dhe kori. Më pas do të vijojë me “Missa in D dur” KV 194 nga i famshmi Mozart.

Solistët që do të performojnë në këtë koncert do të jenë të njohurit Emiljana Palushaj; Ina Gaqi; Gerald Murrja; Enea Cerashi dhe Bledi Domi.

Maestro Rafet Rudi është një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës klasike si dhe një figurë e njohur intelektuale në Kosovë, anëtar i akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve si dhe Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Ai është i apasionuar pas zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë.

Ai është dirigjent permanent i Korit të Filarmonisë që nga viti 2006, me të cilin ka pasur shumë përfaqësime edhe jashtë tij (Kroaci, Itali, Angli, etj).

Rudi është laureat i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve të rëndësishme si:

-Çmimi i Dhjetorit të Kosovës për krijimtari (1983);

-Çmimi i Festivalit Ndërkombëtar BEMUS;

-Çmimi vjetor i SHKK për vitin 1982

Ai është autor i shumë veprave të të gjitha gjinive. Ndër veprat kryesore mund të përmendim: Simfonia, Koncert për kitarë dhe orkestër harkor, Kohë koncertale për piano dhe orkestër simfonike, Kuartet harkor, “The return” për mezzosoprano dhe orkestër simfonike, “Malli për udhëtarin e humbur”/Afresk arbëresh III’/ “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor, “Laudatio Funebris” për soprano dhe orkestër harkor,  Impresionet për Flaut dhe orkestër simfonike, etj.

Veprat e tij profesionale janë botuar në Francë, Holandë, Zvicër dhe në Gjermani. Ato luhen në shumë vende të botës.

Kjo është për herë të parë që para publikut shqiptar do të shfaqen veprat me rëndësi të madhe historike të Gjergj Danush Llapacaj (shek. XVI), Jan Kukuzelit (shek. XIII) dhe Niketa Dardanit (Niketa i Remisianës, nga shek. IV).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


‘’Mozart dhe bashkohësit e tij’’

TKOB sjell muzikën e vërtetë klasike në Tiranë