MENU
klinika

Modelet e fqinjve

Kreditë me probleme, ja si i uli Mali i Zi

29.01.2019 - 15:45

Megjithë përmirësimet, Shqipëria ende ngelet një ndër ekonomitë me nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon. Nevoja për ulje të mëtejshme nga niveli aktual prej afërsisht 13% u nënvizua edhe në raportin e publikuar të martën nga FMN.

Modelet pozitive në rajon nuk mungojnë, ku një nga më domethënësit është ai i Malit të Zi, ku raporti i huave me probleme ndaj totalit të huave është zvogëluar ndjeshëm në vitet e fundit. Konkretisht, nga niveli prej mbi 25% në vitin 2011, ky raport ka rënë në 6.7%, mbështetur në të dhënat më të fundit të Shoqatës së Bankave të Malit të Zi.

Banka Qendrore e Malit të Zi u kërkoi bankave të përgatisin një strategji trevjeçare të zgjidhjes së çështjes së huave me probleme, zbatimi i të cilave monitorohet dhe mbikëqyret vazhdimisht.

Për më tepër, ligji për ristrukturimin vullnetar të borxhit financiar (Modeli Podgorica) u ndryshua, me qëllim nxitjen e rimëkëmbjes së debitorit, që në kthim do të ndikonte në likuiditetin e ekonomisë. Në shtator 2018, totali i huave të ristrukturuara arriti në 36.7 milionë euro.

Bankat transferuan hua të këqija te shoqëritë e faktoringut, si dhe shitën pjesë të portofolit të huave me probleme. Sot, bankat zbatojnë politika më shtrënguese huadhënie në krahasim me dhjetë vjet më parë, ndërkohë që baza ligjore ka ndryshuar thelbësisht.

Tashmë, në Mal të Zi huatë me probleme nuk janë më një problem sistemik, ndërsa Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN