Me 26 janar të vitit 2013, VV-ja e pati mbajtë nji protestë «solidarizimi i qytetarëve me shqiptarët e Preshevës Medvegjës e Bujanocit».
Ishte koha kur Ivica Daçiq, asokohe ministër i Brendshëm, e pati ba diellin dy gisht për shqiptarët (aksioni infamoz kur 900 efektivë të xhandarmërisë serbe e hoqën lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë).
Në protestë organizatorët e VV-së, në mesin e katër kërkesave të artikulueme, patën thanë që e përkrahin platformën politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të miratuem nga këshilltarët komunal të këtyre tri komunave në vitin 2006.
Në fakt, platforma politike e miratume nga këshilltarët e tri komunave të mbetun në Serbi, me 14 janar 2006, përmbante edhe këtë formulim:
«Duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik-territorial-kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për BASHKËNGJITJE të Luginës së Preshevës me Kosovën».
Meqë sot disponimi i qendrave vendosëse perëndimore po purteket gjithnji e ma shumë kah opsioni i shkëmbimit territorial, pse VV-ja po bahet antipodi i asaj që pretendonte se ishte?
Më 2013, VV e sulmonte Thaçin se po e kurbanizon Luginën. Më 2019, Thaçi, i mirë ose i keq, me ose pa vullnetin e tij, po e ndërkombëtarizon Luginën dhe opsionin për bashkim me Kosovën. Ajo çka po ndodh absurdshëm âsht se VV po bahet Thaçi i 2013-ës (pozicioni ahtisaarian), e Thaçi po bahet VV-ja e 2013-ës (pozicioni anti-ahtisaarian).
Pa frikën e hatërmbetjes prej dikujt, këtu jam me Thaçin. Pikë!