MENU
klinika

Pas afro tre vjetësh

Kurum del zyrtarisht nga falimenti

07.01.2019 - 14:58

Kurum International, një nga kompanitë më të mëdha në vend, ka dalë zyrtarisht nga procedurat e falimentit. Më datë 4 janar, Qendra Kombëtare e Biznesit ka regjistruar daljen zyrtare nga falimenti dhe kthimin me status të biznesit aktiv për kompaninë që operon ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.

Gjykata e Tiranës, me miratimin unanim të komitetit të kreditorëve, ka vendosur të mbyllë procedurën e falimentit për riorganizim, që ishte hapur në fillim të vitit 2016, me kërkesën e vetë kompanisë. Pas miratimit të planit të riorganizimit, Kurum-it i janë kthyer të drejtat e disponimit të pasurive të veta. Megjithatë, kompania do të vazhdojë të jetë nën mbikëqyrje për zbatimin e planit të riorganizimit, nga administratorja e mëparshme e falimentit, Lindita Kikino.

Në momentin e kërkesës për faliment, në vitin 2016, borxhi i Kurum ndaj kreditorëve kishte vlerën e rreth 225 milionë eurove.

Kreditorët kryesorë të Kurum janë Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim, Banka Kombëtare Tregtare, Raiffeisen Bank dhe banka turke Deniz Bank. IFC pati financuar blerjen nga Kurum të HEC-eve të Ulës-Shkopetit dhe atyre të Bistricës, me rreth 77 milionë euro kredi. Kreditë nga sistemi bankar shqiptar, ndërkohë, kishin vlerën e 35 milionë eurove.

Megjithëse treguesit financiarë të kompanisë nuk janë publikuar, besohet se vlera totale e borxhit është ulur në rreth 185 milionë euro në fund të vitit 2018.