MENU
klinika

NBA

Lakers ia dalin vetëm pas kohës shtesë

18.01.2019 - 11:53

Një fitore me vuajtje për Los Angeles Lakers, teksa triumfuan në kohën shtesë 128-138 në shtëpinë e Oklahoma City Thunder, ku në mungesë të LeBron James rolin e protagonistit për skuadrën kaliforniane e mori Kyle Kuzma, që realizoi në total 32 pikë, i ndihmuar edhe nga 26 pikët dhe 12 “rebound” të Ivica Zubac.

Nuk mjaftoi për Thunder loja e mirë e Paul George dhe Russell Wesbrook, që shënuan respektivisht 27 dhe 26 pikë. Kjo fitore i mban Lakers shumë pranë zonës play off në Konferencën e Perëndimit.

Vuajtën më shumë nga ç’parashikohej Toronto Raptors, që gjithsesi iu imponuan 111-109 Phoenix Suns, falë një depërtimi të Pascal Siakam kur sirena po sinjalizonte fundin e kohës së rregullt.

Serge Ibaka ishte më i miri për kanadezët me 22 pikë, ndërsa Kyle Loëry shtoi edhe 16 pikë të tjera. Për Suns nuk mjaftuan 30 pikët e Devin Booker.

Rezultoi si shëtitje për Denver Nuggets përballja me Chicago Bulls, që u dorëzuan pa kushte me rezultatin e thellë 135-105. Pas një periode të parë të mirë (28-30), “Bulls”-at pësuan një rënie drastike, duke u lënë shumë hapësira Jamal Murray-t dhe Nikola Jokicit, që e mbyllën ndeshjen me 25 dhe 18 pikë të realizuara.