MENU
klinika

Nga Sukaj, tek Ahmataj

Lëvizjet e bujshme sot në futbollin shqiptar

29.01.2019 - 17:11

Sot, në futbollin shqiptar janë bërë shumë lëvizje, që nga emërimi i trajnerit të ri të Luftëtarit, transferimit të Sukajt të Flamurtarit, por edhe shumë të tjera.

SUKAJ – Pas largimit të Tomislav Busic, ka ardhur edhe zyrtarizimi nga klubi vlonjat i Xhevahir Sukajt, që zëvendëson me menjëherë boshllëkun e lënë në skuadër.

Në fillim të sezonit, Sukaj firmosi me skuadrën e Laçit, por aventura e tij me bardhezinjtë përfundoi ende pa nisur dhe tashmë në Vlorë, ai do të ketë edhe njëherë mundësi të tregojë vlerat e tij.

REGINALDO – Mungesa e Reginaldo-s në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, u duk se ishte një mungesë për shkak dëmtimi dhe këtë e pranoi edhe vetë Armando Cungu pas ndeshjes, por mesa duket, gjërat janë ndryshe.

Presidenti i Kukësit, Gjici ka vendosur që ta përjashtojë pa afat nga skuadra e parë sulmuesin mozambikas, duke e detyruar që të stërvitet me Kukësin B. Kjo vjen si pasojë e sjelljeve të Reginaldo-s dhe sidomos, pasi firmosi te Kukësi edhe Vasil Shkurtaj.

TEQJA-QAQI: Kukësi dhe Kamza kanë shkëmbyer dy mbrojtëse qendre mes tyre. Olsi Teqja ka kaluar te skuadra e trajnerit Armando Cungu, ndërsa Harrallamb Qaqi i bashkohet Kamzës, ku u fol se do të kalonte që në fillimin e merkatos dimërore.

Një lëvizje pak e çuditshme “kokë për kokë”. Në këtë rast, i fituar del Qaqi, i cili mund të luajë rregullisht me Kamzën, ndërkohë që Teqja duhet të fitojë konkurrencën me Shametin, Cuculin dhe Krasniqin te kuksianët.

AHMATAJ – Julian Ahmataj nga sot është zyrtarisht trajneri i Luftëtarit dhe objektivi i tij tashmë është mbijetesa, gjë të cilën Ahmataj ka treguar se di si arrihet. Ai ka firmosur sot kontratën me bluzinjtë dhe do të nisë menjëherë nga puna për ndeshjen e radhës në kampionat.

Ahmataj vjen në krye të stolit bluzi pas një periudhe pushimi, duke qenë se e mbylli sezonin e kaluar si trajner i Kamzës, pasi e mori skuadrën në një moment mjaft të vështirë, por që në fund arriti ta mbante në Kategorinë Superiore.