Ish-shefi i Policisë së Vlorës i dyshuar si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës, Jaeld Çela i ka dërguar një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku kërkon të mbyllet hetimi ndaj tij.
Çela vijon të jetë në arrati prej më shumë se një viti, ndërsa Krimet e Rënda do të shqyrtojnë kërkesën e tij në datën 11 shkurt. Ish-zyrtari i policisë është shpallur në kërkim bazuar në një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë në nëntor 2017.
Sipas hetimeve, ish-drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, që është shoferi i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Më herët, organi i akuzës, mbylli hetimet për 9 persona të dyshuar si anëtarë të grupit Habilaj, por ndau dy dosjet që po hetoheshin bashkë, atë të ish-zyrtarëve të policisë dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Emrat e zyrtarëve që dyshohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit jane ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jael Cela, Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në drejtorinë e Qarkut Vlorë si dhe ish-drejtori i Postës së Dhërmiut, Sokol Bode, të cilët më pas u rratisën jashtë vendit.