MENU
klinika

Fan Noli

Lindja dhe rrugëtimi i një kolosi shqiptar

06.01.2019 - 16:34

Fan Noli lindi më 6 janar të vitit 1982 dhe sot është 137 vjetori i lindjes së tij. Ai është  një nga njerëzit më të kulturuar në hapësirën mbarëshqiptare. Ai ka qenë një nga personalitetet shumëpërmasore në lëmin e kulturës dhe dijetar në shumë lëme të lëvrimit të veprimtarisë së tij. Nismëtar dhe veprimtar politik.

Ka qenë diplomat i shkëlqyer në proceset më të rëndësishme të Shqipërisë, orator dhe komentator politik brilant, shkrimtar dhe sidomos poet i mrekullueshëm ku lëvronte aq natyrshëm satirën e sarkazmën e tij, sa dhe elegjitë për figurat kombëtare, përkthyes shumë i mirë si dhe dramaturg.

Noli ishte nga stilistët më të mëdhenj me përkthimet e tij nëpërmjet elegancës së tij stilistikore në letërsi. Falë njohjes së tij në shumë gjuhë si në greqisht, anglisht dhe frëngjisht e disa gjuhëve të tjera arriti një shkallë më të lartë të letërzimit në shqip të shumë autorëve si europianë dhe amerikanë.

Një nga figurat më të ndritura të letërsisë pavarësisht se nuk krijoi shumë vepra në letërsi. Ai ka përkthyer emrat më të rëndësishëm të letërsisë europiane të shekullit të XIX.

Mbahej si politikan marksist me ideal rregullimin e stabilizimin e shtresës së ulët, që u duk më shumë në pah në revolucionin të qershorit të 1924 për të ardhur në pushtet si kryeministër në 1924, një pushtet që zgjati pak 6 muaj dhe e vështirë të njihej ndërkombtarisht..

Nga përkthyesit më të mirë të Shqipërisë që vjen aq natyrshëm në veprat e veta dhe aq kuptueshëm për të gjithë, publicist i shkëlqyer dhe polemizues i të njëjti rangu me figurat e tjera. Njëkohësisht mbajti mbi supe dhe veladonin e zi të klerikut për një kishë të pavarur autoqefale shqiptare.

Njohës i shkëlqyer i shumë gjuhëve të huaja dhe dialogues brilant, si me personalitete të ngritura politike, e deri tek njerëzit e thjeshtë. Historia e tij është, sa e shumëllojshme, dhe e pafundme në lëmin e kulturës. Nuk i mungoi dëshira për muzikolog.

Mbi të gjitha ai ishte patriot i flaktë i Shqipërisë, një nga nacionalistët e zjarrtë të saj që veproi deri në fund të jetës së vet vetëm dhe vetëm për Shqipërinë.

Bashkëkohës i Rilindjes Kombëtare me emra të njohur si Thanas Tashko dhe Jani Vruho Nikolla Naçon, Shahin Kolonjën e Kristo Luarasin e deri tek personalitetet më të diskutuara si Ahmet Zogu, Faik Konica a Avni Rustemi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali etj.

Fan Noli lindi në 6 janar në Trakinë Lindore nga Edreneja, me origjinë pretendohej se vinte nga Qyteza e Kolonjës.
Kolonja mbahet për sensin e pompozitetit, por më shumë për njerëz luftëtare dhe mendimtarë, po aq sa ka nxjerrë një vargan të gjatë me figura të rëndësishme në shekuj.

Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht për gjashtë vjet, më tej prindët e dërguan në gjimnazin grek të Edrenesë, ku qëndroi katër vjet. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin grek.

Rrugëtimi i tij do të vazhdonte si aktor, për dy vjet në Greqi me trupën në Pirgos të Peloponezit ku në këtë kohë shkruan edhe dramën “Israelitë dhe filistinë”.

Më pas në vitin 1903 është mësues i greqishtes në Egjipt dhe njëkohësisht përktheu në greqisht traktatin apo veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Në prill 1906 u nis për në Shtetet e Bashkuara ku punon si zv/redaktor të së përkohshmes “Kombi”.

Në Boston Noli me një grup shqiptarësh kombëtaristë krijuan Kishën Ortodokse Shqiptare të pavarur. Ai u bë prifti i parë i kishës së re Autoqefale Shqiptare dhe i dha Shqipërisë kishën e pavarur shqiptare. U hirotinos prift më 8 mars 1908 nga kryepeshkopi Platon Rozhdestvensky i Kishës Ruse në Shtetet e Bashkuara.

Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në 1919 u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. U shugurua në 1923 peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit.

Pas vitit 1932 ai tërhoqet nga jeta politike dhe i kushtohet përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Përfundimisht më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e tij e madhe, Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dhe kjo ishte ëndërr edhe për gjithë shqiptarët ortodoksë.

Interesante është lëvizja e tij drejt artit, ai u regjistrua si student në Universitetin e Harvardit, duke e përfunduar më 1912 Bachelor of Arts. Ai do t’i rikthehet muzikës, pasionit të tij në vitin 1935 dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938. Në 1945 Noli filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën me një disertacion për Skënderbeun.

Deri në 1909 ishte kryeredaktor i ‘’Kombi’’ dhe më pas botoi dhe drejtoi revistën ‘’Dielli’’. Më pas me hapjen e shoqërisë ‘’Vatra’’ ishte bashkëthemelues me Faik Konicën. Dy personalitete të mëdhaja të kombit shqiptar që sa ishin miq dhe armiq të përhershme në ide, që sa ziheshin aq edhe pajtoheshin.

Itinerari i tij do të zhvillohet në Europë, ku më 10 gusht 1911 udhëtoi drejt Evropës, duke mbajtur shërbesa fetare e takime patriotike sidomos në Bukureshtit e Sofies.

Pas shkrirjes së shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” u bë organi i shtypit i shoqërisë panshqiptare ”Vatra”, bashkëthemelues i të cilës qe edhe Noli me Konicën. Përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit, si dhe mori pjesë në Kongresin e Triestes, organizuar nga Konica në marsin e 1913.

Më 24 maj 1915 u kthye në Amerikë. Nga 1915-1916 u rikthye si kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit. Dhe në 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës ”Vatra”.

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë.

Rikthehet në Boston më vonë dhe themelon të përjavshmen “Republika”, si sfidë të hapur kundrejt kundërshtarit të vet Ahmet Zogut, Mbretit të Shqiptarëve.

“Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington. Këtu rifillojnë polemikat dhe kundërshtimet, sa kalojnë dhe në teka personale vjershërore dhe në sarkazma të shumëfishta kundrejt njëri-tjetrit.

Në korrik të 1918-tës mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë.

Zgjidhet kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920.

Në 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923) dhe ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit.

Si pikëpamje politike ai afronte më shumë me ideologjinë marksiste me tipare nga komunizmi, por jo të komunizmit që u instalua si marksizëm-leninizëm në Shqipëri pas viteve 1945 e deri në stalinizmin e saj. I përket spektrit të majtë dhe ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Ai është një nga oratorët më të mirë në parlament përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rustemit që më pas u vranë, Stavro Vinjaut. Ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Viti 1924 e gjen atë falë revolucionit të tij si Kryemnistër dhe më pas si i dënuar me vdekje në mungesë nga regjimi i Zogut i rikthyer përzëri në pushtet. Pati vështirësi edhe për njohjen e qeverisë së tij. Demokratizimi i tij nëpërmjet reformave e sidomos reformës së tij të famshme agrare, por kjo lëvizje idealiste nuk pati shumë sukses.

Ai hidhërohet shumë me vrasjen më 1926 të mikut të tij Luigj Gurakuqi në Bari si dhe vrasja e Bajram Currit në Dragobi, sa krijon dhe elegji për ta si Syrgjyn vdekur” dhe “Shpell’e Dragobisë”.

Në nëntor 1927 ishte delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Madje ai ka marrë pjesë edhe në varrimin e Leninit në 1924.

Vepra e parë e Nolit ishte drama me tre-akte ‘’Israilitë dhe Filistinë’’, e botuar në Boston 1907 dhe u fillua kur ai shëtiste në 1902 me trupën e aktorëve në Greqi. Kjo dramë është bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër.

Ai është një nga përkthyesit më të mirë të literaturës kishtare si liturgjinë ortodokse në dy vëllime në gjuhë shqipe. Vepra që mbahet mend më shumë tek ai është më 1921 në prozë “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468, në Boston.

Më 1947 botoi përpunimin që i bëri ‘George Castrioti Scanderbeg’ (1405-1468), New York 1947; që do i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit.

“Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe, e botuar në New York 1947.

Ai ka përkthyer mjeshtërisht Shekspirin po dhe shumë autorë të tjerë të Europës ku renditen më shumë romancierët klasikë të Europës.

Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria, me ndërhyrjen e Faik Konicës tek Ahmet Zogu dhe krijoi edhe një farë paqëtimi me këto figura. Ndahet nga jeta në vitin 1965 dhe prehet në Forrest Hill Cemetry në SHBA. Shqipëria humb një nga figurat më të ndritura të saj, një figurë shumëdiesionale të mendimit shqip.

“Syrgjyn Gjallë E Syrgjyn Vdekur”

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Përgatiti E. Kllapi

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët