MENU
klinika

Liria Ekonomike

Heritage: Shqipëria fiton 13 pozicione, lë pas Francën e Italinë

31.01.2019 - 14:27

Në raportin e fundit të Fondacionit Heritage për vendin tonë theksohet fakti se Shqipëria ka bërë progres përsa i përket indeksit të lirisë ekonomike.

Ky indeks merr në analizë 180 vende të botës, mes të cilëve Shqipëria rënditet në krah të vendeve që kanë liri ekonomike të moderuar.

Sipas të dhënave të publikuara në raportin e Heritage, Shqipëria nga vendi i 65-të që ishte vitin e kaluar është ngjitur në vendin e 52-të, duke fituar kështu 13 pozicione, duke lënë pas vende si Bosnje Hercegovina, Serbia apo Mali i Zi, si dhe vende shumë më të zhvilluara si Franca apo Italia

Pra vlerësimi i lirisë ekonomike në Shqipëri është rritur me 2 pikë duke e çuar në 66.5 pikë.

Përsa i përket procedurave për të hapur një biznes në vendin tonë, Heritage i cilëson si të shtrenjta.

Procedurat për hapjen e bizneseve të reja (start-up) janë bërë më pak të kushtueshme dhe nuk kërkohet më një kapital minimal për të hapur një kompani. Kërkesa për punë në ekonominë formale, e cila ka një nivel shumë të lartë vetëpunësimi, ndikohet ndjeshëm nga sektori publik.

Qeveria vazhdon të bëjë një tërheqje nga subvencionimi dhe kontrollet e çmimit për energjinë elektrike, ujin dhe transportin por vazhdon të subvencionojë së tepërmi sektorin bujqësor“, shkruhet në raportin e Fondacionit Heritage.

Raporti i plotë: Treguesi i Lirisë Ekonomike 2019 për Shqipërinë

Vlerësimi i lirisë ekonomike të Shqipërisë është 66.5, duke e bërë ekonominë e saj të 52-tën në botë, për sa i përket lirisë, në Treguesin e 2019-s. Vlerësimi i përgjithshëm është rritur me 2.0 pikë, i udhëhequr nga përmirësime të ndjeshme për vitin e dytë radhazi në shëndetin fiskal dhe vlerësime më të larta në efikasitetin juridik, lirinë e punës dhe shpenzime qeveritare. Shqipëria renditet e 27-ta ndër 44 vende në rajonin e Evropës, dhe vlerësimi i saj i përgjithshëm është nën mesataren rajonale por mbi mesataren botërore.

Për të promovuar kandidaturën e saj në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka qenë duke kaluar në një sistem ekonomik më të hapur dhe fleksibël, duke zbatuar ristrukturime të ndjeshme.

Progresi në rritjen e të ardhurave dhe ulja e varfërisë ka qenë i konsiderueshëm. Një regjim tregtar konkurrues i mbështetur nga një strukturë rregulluese relativisht efikase ka inkurajuar zhvillimin e sektorit sipërmarrës në rritje.

Për të mbajtur të qëndrueshëm këtë progres, qeveria planifikon reforma shtesë për të përmirësuar sundimin e ligjit, për të inkurajuar rritjen e lirisë ekonomike dhe për të siguruar zhvillim ekonomik gjallërues të vazhdueshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN